Policia e Kosovës ka arrestuar sot në Prizren një qytetar serb të veshur me uniformë të Ushtrisë së Serbisë.
Arrestimi i tij është kryer rreth orës 11:30 dhe me vendim të prokurorit të dyshuarit serb nga rrethi i Prizrenit, i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Hazir Berisha ka konfirmuar arrestimin e qytetarit serb, derisa ka thënë se serbi i arrestuar ka nënshtetësi të Kosovës.
“Diku rreth orës 11:45, qytetarët kanë informuar se në qytet është parë një qytetar me uniformë ushtarake. Policia ka intervenuar, e ka arrestuar qytetarin dhe në konsultim me prokurorin e Shtetit është vendos që ai të ndalet me masën e arrestit për 48 orët e ardhshëm”, ka thënë Berisha për Insajderin.
Gjatë tre ditëve të fundit, situata ndërmjet shteteve të Kosovës dhe Serbisë ka qenë e tensionuar për shkak të një treni serb me sloganin “Kosova është Serbi”, që tentoi të futej në Kosovë.
Treni u ndalua me urdhër të kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq, pasi autoritetet e Kosovës kishin njoftuar se nuk do ta lejonin hyrjen e trenit në territorin e Republikës së Kosovës. /Insajderi.com
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.