Me 11 dhjetor 2016, myslimanët e gjithë botës përkujtojnë ditëlindjen e Fanarit që ndriçon të gjitha rrugët e mirësisë, do të përkujtojmë ditëlindjen e atij burri, të cilin vetë i madhi Zot e zgjodhi për të shpërndarë errësirën e padijes; do të përkujtojmë ditëlindjen e Profetit të fundit të njerëzimit, të atij Profeti që u urdhërua të komunikonte mesazhin e fundit dhe me të plotësuar nga të gjitha mesazhet qiellore. Mesazhi që mbarti dhe zbatoi Profeti ynë Hazreti Muhamedi a.s. i paraprinë të gjitha diturive dhe është gjithmonë shkencor e bashkëkohor. Mesazhi që solli Hazreti Muhamedi a.s., Kur’ani Kerimi, argumentet, mësimet dhe me legjislacionin e tij, për asnjë çast nuk ka njohur, nuk njeh e nuk do të njohë perëndim dhe që për lumturinë tonë në të dyja jetët, Libri i Allahut është në dorën e të gjithë myslimanëve, madje në dorën e mbarë njerëzimit. Libri me të cilin erdhi Hazreti Muhamedi a.s ka ndriçuar edhe shtigjet më të errëta dhe na jep zgjidhje për të gjitha çështjet e kësaj bote, sado të koklavitura që të jenë dhe falë legjislacionit të plotësuar nga vetë Allahu xh.sh, mesazhi që i madhi Zot i shpalli njerëzimit nëpërmjet Hazreti Muhamedit a.s, do të udhëzojë në rrugën e drejtë, në rrugën e vërtetë të gjitha popujt dhe kombet, pavarësisht nga vendi dhe koha, ku do që të ndodhen, derisa i madhi Zot të ketë vendosur që ata ta përjetojnë këtë jetë.
Ditëlindja e të Dërguarit të Allahut, Profetit të Islamit, Hazreti Muhamedit a.s. është ngjarja më e rëndësishme në të gjithë historinë e njerëzimit, sepse me këtë burrë, i madhi Zot do të derdhte mëshirën e Tij mbi të gjithë botët, do të ndriçonte mendjet e nxira nga padija e politeizmit, do të lartësonte dhe do të vinte personalitetin e njeriut në vendin që vetë Ai me madhërinë e Vet i ka caktuar të kryejë në këtë botë, për të qënë sunduesi i denjë i kësaj bote dhe, për këtë qëllim Ai ka dërguar profetë të shumtë për ta udhëzuar njeriun në rrugën që i siguron përparim, mirëqenie, qetësi shpirtërore e fizike dhe lumturinë në të dyja jetët. Hazreti Muhamedi a.s. erdhi në këtë jetë me datën 12 të muajit Rebijul-ev’vel, ditën e Hënë të vitit 571, vit në të cilin ka ndodhur edhe ngjarja e “elefantit”. Biografët e të Dërguarit të Allahut, bazuar në suren “El-Fijl”. dhe në përcjelljet e ndryshme të haditheve profetike të argumentuara sipas rregullave të saktësuara të kësaj dije të veçantë të Islamit, tregojnë se i Dërguari i Allahut lindi në këtë vit dhe pikërisht 40 dit pas kësaj ngjarjeje. Asgjësimi i ushtrisë së elefantit nga faktorë jasht fuqisë njerëzore, ishte njëra nga ndodhitë e jashtëzakonshme që paraprinë lindjen e të Dërguarit të Allahut. Nga historia mësojmë se kjo ushtri ishte nisur me qëllim që të shembte Qabenë, faltoren e parë të ndërtuar mbi tokë për të adhuruar Krijuesin. Mendja e shprishur e komandantit të kësaj ushtrie Ebrehe, ishte përgatitur të zhdukte njëherë e përgjithmonë ritualin e Haxhit që bëhej çdo vit në këtë “shtëpi” të nderuar, të zhdukte këtë adhurim që ekzistonte qysh nga koha e profetit Ibrahim a.s. Ka shumë tregime të vërtetuara plotësisht rreth ngjarjeve të tjera të jashtëzakonshme që paraprinë lindjen e Hazreti Muhamedit a.s.
Në Kur’ani kerijm, ajete të shumta na njoftojnë se disa nga profetët e mëparshëm, me urdhrin e Allahut kanë demonstruar mrekulli të ndryshme. Për Allahun xh.sh. asgjë nuk është e pamundëshme, ashtu siç na njofton ajeti 82 i sures “JASIJN” [Kur Allahu dëshiron një send, thotë: “Bahu” dhe sendi bëhet]. Në Kur’an tregohen disa nga mrrekullitë me të cilat erdhën profetët e mëdhenj dhe ndër këto mrekulli përmenden hapja e detit për Musanë a.s, shndërrimi i shkopit të tij në gjarpër, goditja e shkëmbit të fortë me shkopin e musasë që prej tij të buronte ujë për Benij Israilët që u ndodhën në shkretëtirë; Ijsai a.s. me urdhër të Allahut xh.sh. ngjall të vdekurit dhe shëron të verbrit e të sëmurët, zbritja e ushqimit të gatshëm për Hazreti Merjemin, mbartja e fronit të mbretëreshës Belkijs, me urdhrin e Allahut xh.sh. zjarri nuk e djeg Hazreti Ibrahimin, apo edhe ngjarja e djemve besimtarë të shpellës, të cilët braktisën vendin dhe u strehuan në shpellë për të ruajtur fenë e vërtetë, besimin në Zotin Një e të Vetëm, kurse Hazreti Muhamedi a.s., përveç disa mrekullive të kësaj natyre, ai erdhi me mrekullinë më të madhe, me mrekullinë e pa përsëritshme, me mrekullinë më kuptimplotë, me Kur’ani kerijmin, me Librin e fundit qiellor që u flet dhe do tu flasë breznive të njerëzimit me fjalën më të përsosur, me fjalën më të bukur e më të kuptueshme për të vërtetën më të madhe. Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe Muhamedi është i Dërguari i Tij.
Edhe nëna e nderuar e të Dërguarit të Allahut tregon se ajo nuk i pati vështirësitë e barrës si të gjitha gratë dhe ishte kuptueshme që kjo zonjë e nderuar do të ishte e privilegjuar, sepse prej saj do të lindte zotëria i gjithë njerëzimit; gjithashtu ajo e priste me gëzim të veçantë ardhjen e kësaj fëmije të dëshiruar, mbi të cilin ajo do të derdhte dashurinë e mëmës dhe kujdesin e babës, dashuri dhe kujdes që nuk ishte e shkruar ta derdhnin së bashku me babën e kësaj foshnjeje, i cili nuk e pa me sy babën e vet, sepse ai ndërroi jetë ende pa lindur ky frut i bekuar
Në lidhje me prejardhjen e tij të pastërt Hazreti Muhamedi a.s. ka thënë [Unë kam ardhur nga martesa me kurorë dhe jo nga lidhje jashtëmartesore, qysh nga Ademi a.s. dhe derisa më lindi baba e nëna ime; mua nuk më ka prekur asgjë nga ndyrësitë e kohës së injorancës]. Gjithashtu i Dërguari i Allahut e ka përshkruar veten me këto fjalë. [Unë jam thirrja e babait tim Ibrahimit, përgëzimi që dha Ijsai dhe ëndrra që pa nëna ime]. Imam Sejutiu shpjegon se të gjitha nënat e Profetëve të Allahut, kanë parë ëndrra në lidhje me profetët që do të lindin prej tyre.
Ngjarjet e jashtëzakonshme e kanë shoqëruar Hazreti Muhamedin a.s. gjatë gjithë jetës së tij të bekuar dhe të mbushur vetëm me mirësi. Është shumë kuptimplotë fakti i mirësive të shumta që pa dhe që gëzoi Halimeja, qysh nga çasti kur e mori këtë fëmijë jetim dhe të varfër, prej të cilit nuk nuk mund të pretendonte të kishte përftime për rritjen e tij në mjediset e pastërta të fshatit. Sapo e vuri në prehër. Halimeja vuri re se gomari i saj i dobët i parakaloi kafshët e shëndosha të shoqeve të saja që kishin zbritur në qytet për të njëjtin qëllim dhe që kishin marrë udhën e kthimit shumë kohë përpara saj. Edhe burri i Halimes u habit shumë kur nga deveja e tij e vjetër që nuk kishte asnjë pikë qumësht, mori aq qumësht sa u ngopën të gjithë prestarët e familjes. Sipas jetëshkrimit të Profetit a.s. të shkruar nga Ibni Hisham, mësojmë se Halimeja tregon. «Sapo e vura në prehër këtë fëmijë, ndjeva se në gjoksin tim më vërshoi qumështi me shumicë, aq sa u ngop ai dhe vllai i tij prej qumështi; ëe dy fëmijët i zuri gjumi dhe bashkë me ta fjeta edhe unë me bashkshortin tim, pasi kishim disa dit që nuk flinim nga të qarat e fëmijës tonë së vogël, të cilin nuk e zinte gjumi nga uria». Nga mirësitë që po shikonte me ardhjen e kësaj fëmije të uruar në shtëpinë e tij, bashkëshorti i Halimes i tha asaj: «Dije mirë o Halime dhe të betohem në Zotin se ti ke marrë një njeri të bekuar, të betohem edhe një herë në Zotin se unë e shpresoj shumë këtë mirësi të madhe»
Muhamedi rritej nën kujdesin e xhajës së tij të dashur Ebu Talib, i cili edhe pse ishte në gjendje të keqe ekonomike dhe i përballonte me vështirësi nevojat e familjes së tij të madhe, për nipin e tij Muhamedin, të cilin e kishte marrë amanet prej gjyshit të Profetit Abdul-Mut’talibit, gjithmonë ndante për të ushqimin më të mirë, veshjen më të përshtatëshme dhe gjithnjë e mbante pranë vetes në kuvendet që kryesonte me cilësinë e tij si prinjës i fiseve të Mek’kes Nuk mungonin rastet ku shfaqeshin mirësitë që vinin’ nga prania e Hazreti Muhamedit. Ibni Asakiri në librin e tij kushtuar jetëshkrimit të të Dërguarit të Allahut tregon “Në një vit thatësire të madhe, kurejshët nuk po vendosnin se cilit ti drejtoheshin që të lutej për të rënë shi dhe së fundi iu drejtuan Ebu Talibit, i cili iu përgjigj ftesës së tyre. Kur u nis për të shkuar në Qabe bashkë me të tjerët, mori me vete edhe djaloshin Muhamed. Ebu Talibi ia mbeshteti nipit të tij shpinën në murin e Qabes; ndërkaq djali ngriti gishtin në drejtim të qiellit, në të cilin nuk shihej asnjë re, por, përnjëherësh, filluan të mblidhen retë aty këtu dhe nuk vonoi të bjerë shi i mjaftueshëm për të shtuar pjellorinë e luginës dhe barin e kullotave për bagetinë.
Për nga vetë krijimi i tij i pastër, i Dërguari i Allahut, Hazreti Muhamedi a.s., qysh në moshë shumë të re asnjëherë nuk iu qas idhujve, asnjëherë nuk i preferoi konkurset e vjershërimit që bëheshin në kohën e injorancës përpara Islamit, ku vjershëtorë të dëgjuar i thurnin lavde idhujve e të parëve të fiseve; ai asnjëherë nuk shfaqi interes për veprimet e kohës së injorancës që bënin bashkëqytetarët e tij. Ai kurrë nuk hëngri nga mishrat që idhujtarët bënin fli për idhujt; ai kurrë nuk vuri në gojë pije alkoolike që ishin shumë të përhapura në mesin e popullit të tij, ai kurrë nuk u bë pre e epsheve dhe nuk u njollos me lumin e veseve të ulëta, aq të zakonshme në mjedisin që e rrethonte. Të gjitha këto nuk mund të ndodhnin në personin e Hazreti Muhamedit a.s. sepse ai e kishte edukatën dhe moralin e pastër të dhuruar prej Allahut dhe do të përgatitej për të qenë mbajtësi i mesazhit të fundit e më të plotësuarit që Allahu me madhërinë e Vet do të shpallte nëpërmjet të Dërguarit të Tij të fundit për të gjithë botët. Edukata e tij e veçantë, cilësitë e tij të bukura dhe pajisja e tij me vetitë morale më të plotësuara, të gjitha këto bënë që ky djalë i ri të fitonte një respekt të veçantë dhe të gëzonte dashamirësinë e të gjithëve; që të gjithë, shikonin tek ky djalë vetëm mirësinë dhe begatinë.
Jetëshkruesit e të Dërguarit të Allahut tregojnë se ai edhe përpara se të ngarkohej me detyrën e shpalljes së revelatës, ka qëndruar larg të gjitha veseve dhe mëkateve, sepse ai përgatitej me urdhrin e Allahut për të qenë modeli i vetëm që duhej të ndiqej në të gjitha veprimet që bënte e në të gjitha fjalët që nxirrte nga goja e tij e bekuar, natyrisht kur të vinte koha që ai të ngarkohej me detyrën e thirrjes në besimin në Zotin Një e të Vetëm.
Ishin të shumtë burrat e shquar të kohës që vlerësonin vetitë e rralla e të çmuara që shihnin tek ky djalë i ri, të cilin e thërrisnin me nderim “Muhemedi Besniku”, sepse të gjithë ishin të bindur dhe të sigurt se Muhamedi ishte i vetmi person tek i cili mund të linin për ruajtje edhe gjërat më të shtrejta që kishin. Është e mjaftueshme të ilustrojmë këtë vlerësim për personin e Hazreti Muhamedit a.s. me fjalët që i tha xhaja i tij, Ebu Talibi zonjës së nderuar Hatixhe ditën e fejesës së saj me atë që më vonë do të ishte Profeti i fundit, Profeti që do të shpallte udhëzimin për në rrugën e vërtetë. Zonja Hatixhe e kishte provuar vetë me pasurinë e saj ndershmërinë e këtij djali fisnik, por ajo u gëzua akoma më shumë kur dëgjoi se si përshkroi Ebu Talibi personin e nipit të vet. “…Pastaj duhet të dish se me këtë djalin e vëllait tim Muhamedin, nuk mund të barazohet asnjë burrë, as për nga ndershmëria, as për nga bujaria dhe as për nga virtyti, pavarësisht se ai ka pak pasuri dhe, dihet se pasuria edhe mund të pakësohet ose edhe mund të mbetesh fare pa pasuri betohem në lotin se me këtë djalë do të ndodhë diçka shumë e rëndësishme dhe e paparë ndonjëherë”
Urtësia, maturia dhe gjykimi i drejtë i të Dërguarit të Allahut, duke qenë akoma djalë i ri, shfaqeshin në çdo punë që ai bënte, në çdo fjalë që thonte dhe në çdo mendim që shfaqte. Ai jepte mendimin e tij të vyer sa herë që i kërkohej sepse edukata me të cilën e kishte paisur i Madhi Zot, nuk e lejonte Hazreti Muhamedin të shfaqte mendim pa ia kërkuar dikush, aq më tepër ai gjatë gjithë jetës së tij, kurrë nuk ua ka imponuar të tjerëve mendimet e veta për çështje që i përkisnin interesave të kësaj bote. Të gjithë bashkëqytetarët e tij, kishin një bindje të vetvetishme se nuk mund të arrinin mendime më të arsyeshëm se mendimi që do të jepte Muhamedi Besniku dhe kurrë nuk do të merrnin vendim më të drejtë e më të pranueshëm nga të gjithë se sa gjykimi që jepte Muhamedi.
Qysh përpara se të ngarkohej me detyrën e profetësisë, Hazreti Muhamedi a.s. në asnjë rast nuk ka qëndruar larg problemeve shoqërore, por gjithmonë ka qënë pjesëmarrës aktiv në zgjidhjen e të gjitha problemeve të ndershme shoqërore dhe sa herë që i kërkohej mendim për zgjidhjen e ndonjë problemi tepër të vështirë, që i dilte përpara shoqërisë së kohës së tij, gjithmonë mendimi i tij vihej në konsideratë dhe zgjidhja realizohej ashtu siç kishte sugjeruar Muhamedi. Është më se e mjaftueshme të përmendim urtësinë me të cilën e zgjidhi Muhamedi problemin e vendosjes së Gurit të Zi në murin e Qabes, pasi falë urtësisë e maturisë së tij, u mënjanua një gjakderdhje e sigurtë në mes fiseve.
Vlerat dhe virtytet e të Dërguarit te Allahut, Profetit tonë, Hazreti Muhamedit a.s. nuk ishin të panjohura as për rabinët çifutë dhe as për priftërinjtë e krishterë, sepse librat e tyre të shenjta, Teurati dhe Inxhijli, i përshkruajnë qartë cilësitë e të Dërguarit të fundit. Me afrimin e kohës, ata filluan të flasin rreth cilësive të këtij profeti që pritej të vinte dhe pavarësisht nga shtrembërimet që ata kanë bërë në librat e tyre gjatë shekujve, asnjëherë nuk kanë mundur të shuajnë tërësisht njoftimin për ardhjen e këtij Profeti të njoftuar.
Po afrohej koha që i Dërguari i Allahut të merrte revelatën e parë, gjendja e tij shpirtërore e shtynte drejt përgatitjes për të përballuar mbajtjen dhe plotësimin e kësaj detyre të rëndë e të veçantë e cila do të kërkonte sakrifica të mëdha. Muhamedi a.s. nuk ndiente qetësi në atë mjedis idhujtarie, zemra e tij vuante kur shikonte se injoranca kishte pllakosur mendjet dhe shpirtrat e popullit të tij, ai vuante me tërë qenien e vet kur vërente padrejtësitë që u bëheshin të pafuqishmëve e të varfërve dhe gjithnjë u dilte krah atyre, i mbronte dhe i ndihmonte me sa kishte mundësi, por nuk ishte në gjendje të gjente një zgjidhje që do të plotësonte të gjitha mangësitë që sillte idhujtaria dhe pasoja e saj, injoranca më e madhe në të gjitha drejtimet e jetës, qoftë nga pikpamja materiale, qoftë nga pikpajma morale dhe e mendimit, megjithse paria e kurejshëve kishte arrirë një shkallë qytetarie dhe një zhvillim intelektual të lartë, por mjedisi i mbarsur me injorancën e idhujtarisë, i zhvleftësonte të gjitha vlerat e arritura, madje i kthente ato në fatkeqësi për popullin dhe veçanërisht për vegjëlinë.
Në këtë gjendje vuajtjesh të brendshme për popullin e tij, Hazreti Muhamedi a.s. largohej nga shtëpia dhe mbyllej në shpellën e malit Hira, ku vazhdimisht meditonte dhe ja, në një çast meditimi i shfaqet engjëlli Xhibrijl dhe e Urdhëron. “Lexo me emrin e Aij që krijoi. Atij që e krijoi njeriun prej një cope gjaku të mpiksur. Lexo me emrin e Zotit tënd që është më bujari. I Cili e mesoi njeriun të shkruaj me laps” (sure El-Alek, ajete 1-5).
I Dërguari i Allahut pasi i përgjigjet Xhibrijlit se nuk din të lexojë dhe pasi e rimerr veten nga tronditja e ballafaqimit të parë me mesazhierin e Allahut xh.sh., ashtu i tronditur siç ishte, kthehet në shtëpi dhe i thotë zonjës Hatixhe. Mbulomë sa më parë dhe ashtu i mbuluar dëgjon përsëri zërin e Xhibrijlit ti thotë. “Ti që je i mbuluar. Ngrihu dhe paralajmëro. Dhe madhëroje Zotin tënd…” (sure El-Mudeth’thir, ajetet 1-3). Urdhri për të shpallur thirrjen erdhi dhe ai po u vonuar fton në Teuhijd, njeriun që ka më pranë, bashkëshorten e tij të nderuar zonjën Hatixhe, e cila pa nguruar beson në thirrjen që i bëhet, dhe vë në dispozicion të kësaj thirrjeje tërë pasurinë e saj që ka trashëguar dhe që ka shtuar me anë të tregtisë. Kështu zonja Hatixhe është myslimania e parë që iu përgjigj thirrjes së Profetit të Allahut për ti besuar me zemër dhe për të pohuar me gojë pa asnjë lloj imponimi. “Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguar i Allahut”.
Thirrjen e të Dërguarit të Allahut e pranojnë me radhë shoku i ngushtë i Profetit, Ebu Bekri, imam Aliu e kështu me radhë të gjithë sahabet e nderuar.
Qysh nga fillimet e thirrjes dhe deri në fundin e zbritjes së Kur’ani Krijmit, jeta e Hazreti Muhamedit a.s. është modeli më i përsosur që duhet të ndiqet nga të gjithë. Në personin e tij të bekuar, myslimani gjen devotshmërinë, bindjen e thellë në rrugën e Allahut, kryrjen e adhurimeve me përkushtim, gjen modelin e mësuesit të palodhur, të bababit të dashur e të dhembshur, gjen kryefamiljarin që punon pa u lodhur për ushqimin e familjes dhe për edukimin e të gjithë pjesëtarëve të saj me normat e moralit të pastër islam, gjen udhëzuesin shpirtëror që u mëson me durim të gjithëve besimin e vërtetë dhe edukatën e lartë islame, gjen udhëheqin që mendon natë e ditë për të mirën e popullit, gjen komandantin e urtë e trim që qëndron në vijën e parë të betejës, të komandantit që askush nuk e dallonte dot nga ushtari i thjeshtë, gjen trimin e paepur që lufton me besim të plotë në triumfin e së vërtetës e të drejtësisë, gjen gjykatësin më të drjetë në zbatimin e ligjit, gjykatësin që nuk ngurron të zbatoje ligjin deri në një edhe kur në gjykim është njeriu më i dashur për të, gjen administratorin më nikoqir dhe qeveritarin më të gatshëm për të qenë sa më afër halleve të popullit të thjeshtë, gjen nëpunësin e shtetit më të palodhur që detyrën shoqërore që i është besuar e kryen me përkushtim, me përgjegjësi të plotë dhe në përputhje me ligjin, gjen njeriun e fundit në pretendime dhe parin në sakrifica, gjen njeriun më të të përkorë në jetë, gjen shokun e udhëtimit, shokun e punës dhe shokun e betejës më të gatshëm e më të dhimbshëm, shokun që më parë shikon kolegun, bashkëluftëtarin, bashkëpunëtorin e bashkudhëtarin dhe pastaj veten; ose e thënë ndryshe, në personin e Hazreti Muhamedit që të gjithë gjejnë njeriun e vërtetë, gjejnë atë njeri të plotësuar për të cilin ka ardhur islami, gjen myslimanin e vërtetë, i cili kurrë dhe në asnjë rast e për asnjë interes vetjak nuk i ndanë fjalët nga veprat. Ky është Hazreti Muhamedi a.s. modeli i përsosmërisë njerëzore, modeli i qytetarit të nderuar që mbron vetëm të vërtetën, qytetari që punon dhe urdhëron vetëm të mirën, të atij qytetari të devotshëm që nuk ngurron të ndalojë të keqen me dorën e me fjalën e tij pa marrë parasysh se mund ta pësojë, të qytetarit të ndershëm e korrekt që punon dhe kujdeset të realizojë frytet e punës së tij vetëm me rrugë të ndershme e ligjore, gjen myslimanin e devotshëm që nuk merr nga të mirat e kësaj bote më shumë se sa ka nevojë, të myslimanit besimtar të vërtetë që shpenzon vetëm në rrugën e urdhëruar që ka urdhëruar Allahu dhe për bamirësi, të myslimanit që mbështetet vetëm në Allahun xh.sh., të myslimanit të vetëdijshëm se të ardhmen e ka vetëm tek Allahu xh.sh. dhe që gjithmonë ka urtësinë e urdhëruar në Kur’an për të ndihmuar të varfrit, jetimët, të pafuqishmit dhe ata që janë në fatkeqësi, gjen besimtarin e dashur e njeriun e mëshirshëm, gjen besimtarin e përulur që nuk mund të ndihet i qetësuar në shtëpinë e tij pa menduar më parë për nevojat e fqinjit e të afërmit të tij, gjen modelin e atij besimtari që nuk bie të për të fjetur pa pyetur veten nëse i ka plotësuar ai sot detyrat e tij ndaj Krijuesit, ndaj familjes, ndaj bashkëqytetarëve dhe ndaj vendit të tij.
Të gjithë janë borxhlinj ndaj të Dërguarit të Allahut dhe duke përkujtuar ditëlindjen e tij, nuk bëjmë gjë tjetër veçse i bëjmë thirrje vetes që të njihemi sa më mirë me jetën e Profetit tonë. Vetëm duke njohur figurën e pastër dhe të uruar të Hazreti Muhamedit a.s. dhe duke i vënë vetes detyrë të zbatojmë urdhrin e Allahut xh.sh për të pasur model në jetën tonë vetëm jetën e Profetit tonë, detyrimisht do të bëhemi më njerëzorë dhe me lejen e Allahut do të jemi myslimanë të vërtetë, që do të thotë njerëz të bindur me vetëdijë për ta kaluar jetën e kësaj bote në përputhje me urdhërat e Kur’anit dhe porositë e të Dërguarit të Tij.
Për jetën e të Dërguarit të Allahut, në shekuj janë shkruar vepra shkencore me shumë vëllime të mbështetura në argumente, saktësia e të cilave është vërtetuar plotsisht, ashtu siç janë shkruar edhe vepra më të thjeshta Të gjitha brezat e njerëzimit, myslimanë dhe jomyslimanë, kanë ndjerë e do të ndjejnë nevojën të bejnë hulumtime e studime të detajuara rreth jetës e veprimtarisë së Hazreti Muhamedit a.s.
Përkujtimi i ditëlindjes së të Dërguarit të Allahut, qoftë edhe me pak rrjeshta, ka shërbyer e shërben jo vetëm për të njohur sa më shumë nga jeta e Profetit tonë, por edhe për të na u rrënjosur në thellësi të zemrave dashuria e veçantë për Hazreti Muhamedin a.s dhe për të zbatuar urdhërin e Allaut xh.sh. për të kënduar salavati sherijf sa herë që të përmendim apo të dëgjojmë emrin e Muhamedit të Dërguarit të Allahut, ashtu siç e dëgjojmë emrin e tij të uruar në fjalët e Ezanit të puqur me emrin e lartësuar të Allahut: ESH’HEDU EN’NE MUHAM’MEDEN RESULULL’LLAH.
Allahu na bëftë prej atyre që adhurojnë dhe falënderojnë Krijuesin ashtu siç e kemi detyrë dhe vetëm Allahut i lutemi që gjuhët tona të na i bejë sa më të lakueshme për ta përmendur me përvuajturi Madhërinë e Tij me EMRAT E TIJ TË BUKUR, gjithashtu lutemi Krijuesit të na e bëjë të lehtë që të biem sa më shpesh SALAVATI SHERIF, duke iu lutur Allahut xh.sh. që Hazreti Muhamedin a.s. ta nderojë me gradat më të larta që Ai Vetë me madhninë e me mëshirën e Tij ka premtuar për të gjithë besimtarët e për të gjithë ymetin e Hazreti Muhamedi a.s.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.