[miptheme_dropcap style=”normal” color=”#4d4d4d” background=””]P[/miptheme_dropcap]o e përcjellim ramazanin e bekuar – mikun tonë më të çmueshëm, i cili për çdo vit na përfshin me bollëk përmbajtjesh, të cilat nuk mund t’i përjetojmë në muajt e tjerë. Këto përmbajtje shpirtërisht na fisnikërojnë, forcojnë dhe na bëjnë më të mirë në çdo pikëpamje. Në këtë muaj me këmbëngulje dhe në vijimësi kemi ndërtuar dhe forcuar ndërtesën tonë të takvallëkut, të devotshmërinë tonë e cila është synimi bazor i agjërimit.ramazani është shkolla dhe trajnimi intensiv, i cili në mënyrë unikale na forcon karakterin tonë të besimtarit. Rritja dhe pjekja jonë shpirtërore në muajin mubarek fiton hov të veçantë sepse agjërimi dhe ni’metet e tjera të ramazanit në pikënisjen e tyre fuqimisht i lidhin ibadetet bazore, të cilat janë përkufizuar si shtylla të fesë sonë dhe e mbëltojnë në vetë palcën e jetës së përditshme të Islamit te muslimanët. Tash kur po e përcjellimramazanin e bekuar, për shkak të emanetit të ruajtjes së ndërtesës së devotshmërisë, të cilën në këtë ambient shumë të bukur të këtij ramazani e kemi ndërtuar, të përkujtohemi se si ramazani na ka ndihmuar që më fuqishëm të lidhemi për shtyllat e Islamit:
1. Shehadeti – Shtylla e parë e Islamit nëpërmjet të cilit shpirtrat tanë qysh në ezel kanë dëshmuar besimin në Krijuesin e tyre kur në pyetjen e Allahut të madhëruar:
“A nuk jam unë Zoti juaj?” “Po, si jo, – thanë ata …“. (El-A‘raf, 172).
Me këtë në zemrat tona është mbëltuar embrioni nga i cili është zhvilluar trungu i shehadetit. Me shehadetin hyhet në Islam dhe me të hyhet në xhenet.
Në Kur’an në mënyrë të tërthortë shehadeti quhet kelimetun tajjibetun – fjala e mirë kurse ajo është:
„A nuk e sheh se All-llahu sjellë shembull fjalën e mirë sikur pemën e mirë, rrënja e së cilës është e ngulitur fort, kurse degët i ka kah qielli.“ (Ibrahim, 24).
Shehadeti është trungu i mirë vetëm aq sa e përjetojmë Islamin si mënyrën tonë të jetës dhe aq sa çdo çast të jetës sonë e përplotësojmë me vlerat të cilat na i ofron Islami.
Agjërimi i ramazanit si ibadet i forcës së jashtëzakonshme është “rrënjë” e trungut të shehadetit, respektivisht të besimit tonë. Nëpërmjet përvojës së agjërimit depërton thellë në zemrat tona. “Frytet” e atij trungu, respektivisht veprat tona të mira janë më të shumta dhe më të mira, kurse ahlaku ynë, veprimi dhe mirësjellja e përditshme bëhet më e bukur dhe më fisnike. Kështu, agjërimi i ramazanit shehadetin tonë e ka bërë më përmbajtësor, më bindës dhe më efektiv.
2. Namazin – Shtyllën e dytë të Islamit, forma jonë më e drejtpërdrejtë dhe më dinjitoze e të falurit dhe falënderimit ndaj Allahut xh. sh., gjatë muajit të ramazanit e kemi forcuar me namazin e teravive dhe me nafile të shumta. Kështu kemi qenë më shumë në sexhde, kurse vetë sexhdeja në namaz na privilegjon të bëhemi më të afërmit te Krijuesi ynë. Kjo afërsi është garanti më i madh i suksesit dhe shpëtimit tonë sepse Allahu xh. sh. në Kur’an ka thënë:
„O besimtarë, kryene faljen dhe përuluni e adhuroni Zotin tuaj dhe bëni vepra të mira, ndoshta do të shpëtoni.“ (El-Haxhxh, 77).
Ndaj të gjithë atyre që besimin tonë e bënë më të plotë kurse praktikën fetare më të pasur ne në ramazansillemi me më përgjegjësi dhe më ndërgjegjshëm. Kështu është edhe me kryerjen e namazit. Në këtë mënyrë në këtë muaj të bekuar kemi qenë shumë më afër sendërtimit të synimit bazor dhe synimit të namazit: që mendimin tonë ta lidhim për Krijuesin tonë i cili ka thënë:
„ … dhe kryej faljen për të më përkujtuar.“ (Ta Ha, 14),
dhe që:
„ … Falja me të vërtetë të pengon nga amorali dhe nga çdo gjë e keqe…“. (El-‘Ankebut, 45) .
Pa kurrfarë dyshimi, sidomos në ramazan ne më së shumti e përkujtojmë Krijuesin tonë, kurse në kohën e agjërimit jemi më të mbrojturit nga çdo gjë mëkatare, e keqe, e paturpëshme dhe e shëmtuar. Agjërimi në mënyrë plotësuese e ka mborjtur gjuhën tonë nga të folurit e shëmtuar, na ka ruajtur nga mendimet e këqija, nga të pamurit dhe të dëgjuarit tonë e ka mbrojtur nga shikimi dhe dëgjimi i asaj që është mëkat ose shpie në të. Në të vërtetë, agjërimi i ramazanit është rrugë e mbrojtjes së gjithëmbarshme nga mëkati dhe rruga e fisnikërimit dhe veprimit tonë të përditshëm. Krahas përkrahjes së këtillë të agjërimit, namazi i kryer në rregull dhe me përkushtim rezulton me pastërtinë e pritur morale të besimtarit. Nga kjo nuk është e vështirë të përfundohet se si agjërimi i ramazanit namazin, në Kur’an shtylla më e përmendur e Islamit, e lidhë në hallkën e ibadetit, e cila na shpie në kënaqësi dhe shpërblim të Allahut të madhërishëm.
3. Zekati është shtylla e Islamit, i cili në themel e pastron dhe me këtë e bënë të shëndoshë, të sigurtë dhe me perspektivë pasurinë tonë. Duke e përcaktuar zekatin, Allahu xh. sh. në Kur’an ka thënë:
„Merre zeqatin nga pasuria e tyre që t’i pastrosh me të dhe t’i bësh të bekuar, edhe lutu për ata, lutja me të vërtetë do t’i qetësojë. Ndërkaq All-llahu dëgjon dhe di shumë.“ (Et-Tevbe, 103).
Zekati është rruga e cila botën rreth nesh e bënë më të mirë dhe më humane, kurse jetën më të lehtë dhe më të sigurtë. Dimensionet shpirtërore, sociale dhe ekonomike të zekatit janë të pakapërcyeshme. Zekati është rojtari ynë më i mirë i pasurisë së të pasurve sepse ai në përpikëri e pastron pasurinë e të pasurve, kurse vetëm ajo që është e pastër mund të bëhet e sigurtë nga infektimi, korrozioni, shkatërrimi.
Në gjurmë të kësaj, është krejt e kuptueshme që për zekatin si shtyllë të Islamit në kohën e ramazanit është menduar më shumë se në muajt e tjerë. Çdo e mirë, pra edhe zekati, nëse është kryer në muajin e ramazanit bëhet më efektiv, më i begat dhe shumëfish shpërblehet te Zoti i Madhërishëm. Në këtë mënyrë agjërimi iramazanit dhe zekati fuqishëm lidhen me shtyllat e tjera islame.
4. Agjërimi i ramazanit nëpërmjet ndërlidhjes shtresore të shehadetit, namazit dhe zekatit në praktikën tonë besimore ka rol të pazëvendësueshëm dhe në përgatitjen dhe trajnimin për përmbushjen e haxhit, detyrës së pestë islame. Udhëtarëve për haxh ju thuhet:
„ … Dhe furnizohuni me çka ju nevojitet për rrugë. Devotshmëria është furnizimi më i mirë…“. (El-Bekare, 197).
Porosia për haxhiun është që në këtë rrugën jetësore të niset me devotshmërinë, takvallëkun, paraprakisht të ndërtuar. Të gjithë ramazanët tanë deri në shkuarjen në haxh janë koha e ndërtimit tonë intenziv të devotshmërisë sepse ajo është synimi bazor i punës – e cila, ja, për haxhiun, është furnizimi më i mirë.
5. Allahu i lartësuar na ka nderuar që edhe këtë vit ta dëshmojmë se si ramazani dhe agjërimi në të kanë rol të fuqishëm integrues, unjësues në forcimin e vetëdijes dhe forcës sonë të ibadetit me të cilën jetën tonë të Islamit e shndërron në bukuri të jashtëzakonshme dhe vlerë të pavlerësueshme me të cilën mundemi dhe duhet të mburremi në këtë botë dhe të kënaqemi në botën tjetër. Nëse suksesi ynë më i madh në këtëramazan ka qenë ndërtimi i godinës së devotshmërisë, atëherë porosia më e rëndësishme në përcjellje të këtij musafirit tonë të nderuar do të ishte: mos të lejojmë, pas ramazani, që kjo e arritur më e vlefshme eramazanit të rrëzohet apo të rrënohet. Mos të lejojmë të bëhemi si ata të cilët vlerën e përhershme dhe të pavlerësueshme e shesin për atë që është e vogël, në të vërtetë, nuk vlen fare:
„Dhe besën që i keni dhënë All-llahut mos e ndërroni për diçka që nuk vlen, – ajo që është te All-llahu, ta dini, se për ju është më mirë! Ajo që keni ju – është kalimtare, e ajo që është e All-llahut është e përhershme. Ata që kanë duruar Ne me siguri do t’i shpërblejmë me shpërblime shumë më të mira se sa që kanë punuar. Atij që bën mirë, qoftë mashkull apo femër, e që është besimtar, ne do t’i mundësojmë të çojë jetë të mirë, dhe vërtetë, do t’i shpërblejmë me dhuratë më të mirë se sa kanë punuar.“ (En-Nahl, 95-97).
Allahu i lartësuar dhe i Mëshirshëm, robërit e Tij të ndershëm e të mirë, pas ikjes së ramazanit të bekuar – muajit të agjërimit, muajit të Kur’anit dhe Lejlet’ul-Kadrit, i gëzon me ardhjen e bajramit, ditëve të bekuara në të cilat gëzohemi që iu kemi përgjigjur thirrjes që ta agjërojmë ramazanin dhe të jetojmë në të gjitha begatitë eramazanit. Gëzimin tonë e manifestojmë me buzëqeshje, me pastërti dhe petka të reja si simbol të pastërtisë shpirtërore, kënaqësisë dhe bindjes që Krijuesi ynë do të na përfshijë me mëshirën e Tij të paçmueshme. Jemi të vetëdijshëm se petkat më të mira të bajramit janë petkat e devotshmërisë:
و لِبَاسُ التَّقْوَي ذَلِكَ خَيْرٌ (Al-A‘raf, 26)
Të veshur në petkat e devotshmërisë së ramazanit me gëzim ta presim bajramin e ndritshëm dhe gëzimin tonë ta ndajmë me familjen, farefisin dhe fqinjët tanë. Ta lusim Allahun e madhërishëm të bëhemi në shoqëri të atyre për të cilët ndërmjetësojnë melekët e Tij:
„Ata (engjujt) të cilët mbajnë arshin edhe ata që janë rreth tij lartësojnë dhe lavdërojnë Zotin e vet, i besojnë Atij dhe e lusin t’i falë besimtarët. “O, Zoti ynë, Ti përthekon çdo gjë me mëshirën dhe dijenin tënde; prandaj fali ata, të cilët janë penduar dhe shkojnë rrugës tënde, dhe ruaji nga dënimi i zjarrit”! O, Zoti ynë, shpiej ata në kopshte të Adnit që ua ke premtuar edhe kush ka qenë i mirë nga prindërit e tyre, gratë e tyre edhe pasardhësit e tyre. Ti je, me të vërtetë, i fortë i urtë. Dhe ruaji prej veprave të këqia, sepse, atë që atë ditë Ti e ke ruajtur nga veprat e këqia, Ti e ke mëshiruar, e ajo është njëmend sukses i madh!” (El-Mu’min (Gafir), 7-9).
E lus Allahun e madhërishëm që të gjithë agjëruesve t’ua pranojë agjërimin dhe t’i shpërblejë me të gjitha veprat e mira të cilat i kanë bërë gjatë muajit të ramazanit.
Amin!
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.