Thirrje për prindër, vaksinimi i fëmijëve kundër MMR: IKSHPK tregon rëndësinë e imunizimit

Opoja.net Opoja.net Shëndeti

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), përmes një njoftimi lidhur me vaksinën MMR (fruthi, shytat dhe rubella), u ka bërë thirrje prindërve për rëndësinë e vaksinimit të fëmijëve të tyre.

Për të ruajtur shëndetin publik dhe parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, është e rëndësishme që fëmijët tuaj të vaksinohen me vaksinat MMR (fruthi, shytat dhe rubella), ka thënë IKSHPK-ja.

“Gjatë këtij viti (periudha janar-mars 2025) janë regjistruar disa raste sporadike me fruth në vendin tonë, ndërkohë që vaksina mbetet mënyra më e sigurt për parandalimin e rasteve të reja”, theksohet në njoftim.

Njoftimi i plotë nga IKSHPK-ja:

Thirrje për prindër

Vaksinimi i fëmijëve me vaksinën kundër Fruthit, Shytave dhe Rubellës (MMR-Morbill, Mums, Rubellë)

Të nderuar prindër,

Në kuadër të mbrojtjes së shëndetit publik dhe me qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjeve ngjitëse dhe ruajtjes së shëndetit të fëmijëve, është shumë e rëndësishme që të siguroheni që fëmijët e juaj të jenë të vaksinuar me vaksinat MMR (fruthi, shytat dhe rubella).

Gjatë këtij viti (periudha janar-mars 2025) janë regjistruar disa raste sporadike me fruth në vendin tonë, ndërkohë që vaksina mbetet mënyra më e sigurt për parandalimin e rasteve të reja.

Çfarë është vaksina MMR?

Vaksina MMR jepet për të parandaluar fruthin, shytat dhe rubellën.

Ajo është e sigurt dhe e efektshme dhe është një nga mënyrat më të mira për të mbrojtur fëmijët nga këto sëmundje.

Kur duhet të vaksinohen fëmijët?

Vaksina MMR, sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit, jepet në dy doza:

  • Doza e parë në moshën 12-15 muaj.
  • Doza e dytë në moshën 5-6 vjeç.

Gjithashtu, fëmijët të cilët për arsye të ndryshme nuk kanë arritur që ta marrin vaksinën sipas Kalendarit të rregullt, mund të vaksinohen në çdo kohë, duke qenë se vaksina mund të jepet edhe pas moshës 6 vjeçe. Është e rëndësishme që fëmija ta kompletojë serinë e vaksinimit duke i marrë të dy dozat e vaksinës MMR, për ta siguruar mbrojtjen e plotë.

Pse është i rëndësishëm vaksinimi?

Për shkak të rasteve të fundit të fruthit në vend dhe në shtetet fqinje, është thelbësore që çdo fëmijë të jetë i vaksinuar, për të parandaluar shpërthime të mundshme dhe për të siguruar shëndetin e tyre dhe të fëmijëve të tjerë.

Ku mund t’i vaksinoni fëmijët tuaj?

Vizitoni Qendrën e Mjekësisë familjare më të afërt, aty mund ta vaksinoni fëmijën.

Të gjithë fëmijët që janë të vaksinuar me vaksinat MMR janë të mbrojtur nga këto sëmundje ngjitëse, dhe ndihmojnë kështu në parandalimin e përhapjes së tyre. /Gazeta Shneta/

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-