Ndihmoje fqinjin kur ai kërkon ndihmën tënde

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Ndërsa bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.

Vëllezër besimtarë!

Tema e hutbes së sotme është: Kur fqinji kërkon ndihmë nga ti, ndihmoje

Në Islam, sjellja e mirë ndaj fqinjëve është me rëndësi të madhe. Kjo sjellje është në lidhje të pandashme me besimin tonë në Allahun dhe Ditën e Gjykimit. Shqetësimi i fqinjit bën pjesë në mesin e mëkateve të mëdha.

Sjellja e mirë ndaj fqinjëve theksohet në ajetet e Kuranit dhe në shumë hadithe të Pejgamberit (savs). Bamirësia dhe sjellja e mirë ndaj fqinjëve theksohen së bashku me besimin dhe ibadetin ndaj Zotit të botëve.

“Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); silluni mirë me prindërit, të afërmit, jetimët, të varfërit, fqinjët e afërt dhe të largët, me atë që keni pranë, me udhëtarin (që ka mbetur ngushtë) dhe me ata që janë robër nën pushtetin tuaj. Në të vërtetë, Allahu nuk i do njerëzit arrogantë e mburravecë.” (en-Nisa’, 36)

Abdullah bin Abasi (r.a.) duke sqaruar fqinjin e afërt dhe fqinjin e largët, thotë: “Fqinji i afërt është ai me të cilin jemi farefis, kurse fqinji i largët është ai me të cilin nuk jemi farefis.”

Çfarë vlere dhe rëndësie Islami u jep fqinjëve, më së miri e shohim nga fjalët e Pejgamberit (savs) të cilat prej tij i transmetojnë hz. Aishja (r.a.) dhe Abdullah bin Omeri (r.a.), thotë: “Xhibrili më porosiste vazhdimisht për fqinjin aq sa mendova se do ta bëjë pjesëtarë në trashëgimi.” (Buhariu dhe Muslimi)

Pejgamberi (savs) raportin tonë me fqinjët e lidh me besimin në Allahun e Plotfuqishëm dhe me Ditën e Gjykimit. Ebu Hurejre (r.a.) e transmeton hadithin: “Kush beson në Zotin dhe në Ditën e Gjykimit, le të flasë atë që është e dobishme ose le të heshtë. Kush beson në Zotin dhe në Ditën e Gjykimit, le ta nderoj fqinjin e tij. Kush beson në Zotin dhe në Ditën e Gjykimit, le ta mirëpresë dhe ta nderojë mysafirin e tij.” (Buhariu)

Sjellja e bukur dhe bamirësia e konfirmojnë besimin tonë dhe i japin vlerë të veçantë imanit tonë. Pa sjellje të mira me fqinjët, nuk ka as besim. Le ta dimë se shoku, miku dhe dashamiri më i mirë mes nesh, është ai që ka moralin dhe edukatën më të mirë ndaj shokëve, miqve dhe dashamirëve të tij, ndërsa fqinji më i mirë mes nesh është ai që ka moralin dhe edukatën më të mirë ndaj fqinjëve të tij në lagjen e tij.

Abdullah bin Amri (r.a.) transmeton se Pejgamberi (savs) ka thënë: “Më i miri i shokëve tek Allahu është ai që ka sjelljet më të mira ndaj shokut tij, kurse më i miri i të gjithë fqinjëve është ai që sillet më së miri me fqinjin e tij.” (Tirmidhiu)

Në të vërtetë, në kohën dhe në zamanin tonë, për veten e tij mund të thotë se është vërtet i lumtur ai që ka një fqinj të mirë dhe një fqinjësi të mirë. Sigurisht, cili prej nesh mund të jetë indiferentë ndaj bamirësisë, moralit dhe edukatës së mirë ndaj fqinjëve tanë, nëse jemi të vetëdijshëm se kjo na e zgjatë jetën tonë. Hz. Aishja (r.a.) transmeton se Pejgamberi (savs) ka thënë: “Mbajtja e lidhjeve familjare, morali i bukur dhe sjellja e mirë ndaj fqinjëve – i gjallëron lagjet dhe e zgjatë jetën.”

Në fakt, në moralin dhe edukatën e bukur bën pjesë edhe nderimi i fqinjëve sa herë që na jepet mundësia për të. Ebu Dherri (r.a.) transmeton se Pejgamberi (savs) ka porositur: “Kur të vëni ndonjë enë me lëng mishi për të zier, shtojani pak më shumë ujë dhe ndajeni me fqinjin tuaj!” (Muslimi)

Sigurisht, le ta dimë se askush prej nesh nuk është besimtar i vërtetë nëse çdo natë flemë të ngopur, duke e ditur dhe duke qenë të vetëdijshëm se në lagjen tonë ka fqinjë të cilët të uritur shkojnë në shtrat. Ibni Zubejri (r.a.) transmeton se Pejgamberi (savs) ka thënë: “Nuk është besimtar i vërtetë ai që ngopet i tëri përderisa fqinji i tij i afërm është i uritur!”

Muslimanëve problemet dhe telashet e të tjerëve, kryesisht, nuk ju interesojnë. Sa njerëz rreth nesh janë me probleme, sëmundje, varfëri, nevoja të ndryshme dhe ne, kryesisht, ata nuk i shohim. Sikur ne nuk jemi qenie shoqërore që jemi dërguar për njëri-tjetrin.

Allahu i Plotfuqishëm dhe i Dërguari i Tij, rreptësishtë e ndalojë shqetësimin (ngacmimin) e fqinjit dhe na porosisin se nuk hyn në radhën e besimtarëve ai që është zullumqar, i keq dhe i pa përshtatshëm në lagjen e tij. Për të tillët heneti është i ndaluar. Buhariu transmeton një hadith ku Muhamedi (a.s.) me një rast në shoqëri me shokë ka thënë tre herë: “Pasha Allahun, nuk është besimtarë (i vërtetë).” Një njeri nga të pranishmit i tha: “Qoftë i mallkuar, po kush është ai, o i dërguari i Allahut?” Muhamedi a.s. i tha: “Ai nga dëmet dhe të këqijat e të cilit nuk janë të sigurtë fqinjët e tij.” (Muttefekun alejhi)

Shumë herë e kemi dëgjuar transmetimin ku Ebu Hurejre (r.a.) tregon se një herë një njeri e takoi Pejgamberin (savs) dhe e pyeti: “O i Dërguari i Allahut! Njëfarë gruaje supozohet se falet shumë, agjëron shumë dhe jep shumë sadaka, por ajo me gjuhën e saj i ofendon fqinjët e saj?”, e Pejgamberi (savs) tha: “Ajo do të shkojë në Xhehenem!”, kurse më pastaj i tha: “O i Dërguari i Allahut! Si është puna e një gruaje tjetër e cila nuk falet shumë, nuk agjëron shumë e nuk jep shumë sadaka, por ajo nuk lëshon ofendime ndaj fqinjëve të saj?”, e Pejgamberi (savs) tha: “Ajo do të hyjë në Xhenet!” (Ahmedi dhe Bejhekiu)

Pejgamberi (savs) e kishte një fqinj hebre, i cili vazhdimisht e shqetësonte dhe para dyerve të tij hidhte plehra. Pejgamberi (savs) ishte i durueshëm. Kur një mëngjes para derës nuk kishte mbeturina dhe shqetësime të zakonshme, Pejgamberi (savs) pyeti se çka kishte ndodhur me të. Ata i thanë se hebreu ishte sëmurë dhe ishte në shtratin e vdekjes.

Muhamedi (savs) shkoi në shtëpinë e tij për ta vizituar fqinjin e sëmurë. Kur hebreu e pa Pejgamberin (savs) e shqiptoi shehadetin, sepse ishte i vetëdijshëm se të gjitha këto shqetësime nuk ka mundur t’ia kthejë me të mirë, përveç se ai të cilin Allahu e ka dërguar pejgamber.

Sjellja e mirë dhe komunikimi i mirë janë të rëndësishme, është i rëndësishëm pranimi i gabimeve, pranimi se dikë e kemi fyer, është e rëndësishme kërkimfalja për shkak të fyerjes së shkaktuar, sepse Kurani na këshillon: “Fjala e mirë dhe falja e gabimit është më e vlefshme se sadaka që përcillet me fyerje…” (el-Bekare, 263)

Shembullin më të mirë të miqësisë së vërtetë dhe dashurisë ndaj muslimanëve të tjerë do ta gjejmë në jetën e Muhamedit (savs). Ai i vizitonte shokët e tij, u ndihmonte atyre që ishin në vështirësi, u shprehte besim dhe i inkurajonte të gjithë. Me ta i ndante momentet e gëzimit, e falte namazin, ju ofronte mbrojtje, ju ndante sadaka, ishte i butë dhe i mëshirshëm.

Në mënyrë të veçantë duhet të kemi kujdes që me fjalët apo me veprimet tona mos t’i ofendojmë muslimanët e tjerë, gjë të cilën e shohim nga përgjigjja e Pejgamberit (savs) të cilën ua dha shokëve të tij, kur ata e pyetën: “O i Dërguari i Allahut! Islami i kujt është më i miri?” Ai u përgjigj: “Islami i atij nga gjuha dhe duart e të cilit janë të sigurtë muslimanët e tjerë.” (Buhariu)

Pejgamberi (savs), ka thënë: “Detyrat ndaj fqinjit janë: (1) t’i ndihmosh nëse të kërkon ndihmë; (2) t’i japësh hua nëse të kërkon hua, (3) ta ngushëllosh nëse është i pikëlluar; (4) t’i shërbesh nëse sëmuret; (5) t’ia përcjellësh xhenazen kur të vdesë; (6) të gëzohesh nëse ai ka ndonjë gëzim; (7) ta ndash fatkeqësinë bashkë me të…”

Duke e ditur se sa është mëkat shqetësimi në çfarëdo mënyre i fqinjit të vet, Muhamedi a.s në një rast ka thënë: “Mos e shqetëso fqinjin as me erën (aromën) e gjellës sate, nëse nuk je në gjendje t’i japësh diçka prej saj. Mos e ndërto shtëpinë lart, nëse ia zë dritën apo frymën, e ai nuk pajtohet me këtë”.

Së fundi, ne duhet ta pyesim veten deri në çfarë mase zemra jonë është e mbushur me dashuri të vërtetë ndaj besimtarëve të tjerë. A mund të shpresojmë në mëshirën e Allahut apo ta presim zemërimin e Tij. Bota rreth nesh do të ndryshojë vetëm aq sa ne jemi të gatshëm për ndryshime të brendshme, për dashuri dhe dhembshuri të ndërsjellë, ashtu siç kanë bërë gjeneratat e para dhe më të mira të muslimanëve.

Le të jemi të mirë dhe të sjellshëm ndaj të gjithë fqinjëve tonë, në mënyrë që të jemi besimtarë të vërtetë dhe ta arrijmë rahatinë dhe lumturinë edhe të kësaj edhe të botës tjetër.

O Allah, na bëj prej atyre që kujdesen ndaj fqinjëve të tyre dhe ndaj tyre i përmbushin të gjitha detyrimet!

//Mehmed ef. Harçeviq; https://www.preporod.com/

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-