Njësitë e veçanta të Policisë së Kosovës, përveç që e luftojnë krimin gjithandej Kosovës dhe e mbrojnë sovranitetin edhe në pjesën veriore, që nga nata kur ndodhi sulmi terrorist te kanali i Ibër – Lepencit në Zubin Potok, po punojnë me orare të zgjatura e njëra prej këtyre njësive edhe pa orar. Sinjali ka mësuar se bëhet fjalë për zyrtarët policorë të Njësisë së Reagimit të Shpejtë, të cilët po vazhdojnë punën pa pushim.
Siç ka mësuar ekskluzivisht Sinjali, pjesëtarët e NJRSH-së, që po ruajnë rendin dhe po mbrojnë ligjin në pjesën veriore të Kosovës, pas shpërthimit të 29-nëntorit, nesër futen në ditën e tetë të punës pa pasur një orar të caktuar.
Njësia e Reagimit të shpejt është e vetmja njësi që po punon pa pushim qe shtatë ditë dhe sipas informacioneve që ka redaksia, një gjendje e tillë do të vazhdojë.
Bazuar në vlerësimin e situatës në pjesën veriore, për njësitë e tjera të Policisë, siç janë FIT, NJSO, NJNSH, por edhe patrullat policore është caktuar orari me të cilin po punojnë deri në një vendim tjetër.
Por, kjo nuk vlenë për NJRSH, pasi siç merr vesh Gazeta Sinjali sot është vendosur që të vazhdohet njëjtë, pa ndërrime dhe pa u liruar asnjëri prej tyre.
Sinjali ka dërguar pyetje edhe në Policinë e Kosovës për të marrë një sqarim lidhur me këtë situatë dhe posa të ketë një përgjigje zyrtare, do të iu mbajë të informuar.
Pas shpërthimit te kanali i Ibër-Lepencit, Këshilli i Sigurisë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj.
Përveç Policisë së Kosovës, edhe Forca e Sigurisë së Kosovës është aktivizuar në terren për këtë qëllim.
Shpërthimi në Ibër-Lepenc nuk ka shkaktuar viktima, por shkaktoi dëme të konsiderueshme, duke rrezikuar furnizimin me ujë dhe rrymë në vend.
Sulmi u dënua nga përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë, ndërsa Qeveria e ka akuzuar Serbinë se qëndron prapa sulmit.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.