Prof. Dr. Selami Sylejmani
Lindi më 09.01.1954, në Bresanë, Komuna e Dragashit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa Shkollën e Mesme të Mjekësisë në vitin 1972, në Prizren. Fakultetin e Mjekësisë e regjistron në Universitetin e Zagrebit, ku e kryen vitin e parë, dhe për shkaqe ekonomike, i vazhdon studimet në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, ku edhe diplomon më 01.07.1980.
Pas vdekjes së prindit në një fatkeqësi komunikacioni, e gjithë familja (nëna dhe vëllezërit) i mbesin në përkujdesje, për çka dhe si absolvent, detyrohet të punoj si mësimdhënës në Shkollën e Mesme “Jeta e Re”, Suharekë nga 06.11.1979 deri më 31.08.1980 për të mbajtur familjen.
Ushtrimin e profesionit të mjekut e fillon në Suharekë më 01.09.1980, dhe pastaj e vazhdon në Shtëpinë e Shëndetit në Dragash deri më 13 Prill 1981, kur për shkaqe politike, përkrahjen e demonstratave të studenteve të Marsit 1981 për kërkesën Kosova Republikë, me procedurë të shpejtë, burgoset. Pas 7 dite pas lirimit nga burgu, dërgohet në shërbimin ushtarak të APJ-së.
Pas kthimit nga shërbimi ushtarak, përjashtohet nga puna për shkak të pa përshtatshmërisë moralo-politike, dhe për të mbajtur familjen, një periudhë detyrohet të del në rrugë për të punuar punë krahu.
Me ndihmën e Dr. Muharrem Avdiut, pediatër, drejtor i Shtëpisë së Shëndetit në Podujevë, me të cilin e kishin krye shërbimin ushtarak, punësohet në Orllan, Podujevë, ku punoi nga 31.08.1982 deri më 10.01.1983. Nga Janari i vitit 1983, punësohet në Qendrën Medicinale të Prizrenit.
Studimet postdiplomike në grupin “ULTRATINGULLI NË MJEKËSINË KLINIKE” i mbaroi në muajin Korrik të vitit 1987 në Zagreb, ku dhe i është lejuar tema e magjistraturës me titull “Paraqitja ultrasonike e shtatzënive të hershme patologjike, posaçërisht në Blighted ovum”
Më 29.02.1988, kryen specializimin në lëmin e gjinekologjisë me obstetrikë në Petrova Klinika Zagreb, Kroaci.
Më 23. Gusht, 1989, themeloi Kabinetin e Diagnostikës Ultrasonografike në Spitalin e Prizrenit. Pas represionit të regjimit të asaj periudhe, më 14.10.1991, përjashtohet nga puna nga drejtori i përdhunshëm punëdrejtues Dr. B. Zivgarević.
Për të mbijetuar, së bashku me Doc. Dr. Xhevat Hasanin, të cilin kohë më parë e kishin largua nga Instituti i Fiziologjisë i Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, themelojnë Poliklinikën GINEKOS.
Poliklnika Ginekos, në atë periudhë u bë Nënë Tereza e dytë. Në këtë periudhë (01.01.1992 deri më 28.06.1998) në Poliklinikën Ginekos u kryen 21314 vizita pa pagesë, prej të cilave:
4975 me gjysmë pagese,
5366 vizita falas për shkaqe sociale, 2776 vizita falas për punëtor të arsimit, 2977 vizita falas për punëtor medicinal, 2852 vizita falas me kartelë të Nënë Terezë, etj.
Në Poliklinikën Ginekos, pjesën praktike e kryen nxënëset e Shkollës së Mesme të Mjekësis Luciano Motroni të Prizrenit, studentet e Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës si dhe gjithashtu dhe një pjesë të stazhit e kryen edhe specializantet e gjinekologjisë me obstetrikë.
Punoi falas – pa pagesë, mësimdhënës i lëndës së gjinekologjisë dhe obstetrikës në Shkollën e Mesme të Mjekësisë Luciano Motroni në Prizren, për 10 vite, nga viti 1992 e deri në vitin 1999, për çka dhe në Janar të viti 2012, u shpërblye me MIRËNJOHJE nga Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës Prof. Dr. Ramë Buja, me motivacion: Për kontribut të veçantë në mbijetesën e arsimit shqip gjatë viteve 1992-1999.
Gjithashtu, punoi edhe në Ordinancën e Nëna Terezë në Arbanë të Prizrenit nga viti 1996 e deri në mbyllje si dhe në Maternitetin NËNA, në Prishtinë, deri në mbyllje, për çka dhe me rastin e 20 vjetorit të themelimit, më 09.12.2016, u falënderua nga Shoqata Humanitare Nëna Terezë me motivacion:
Falënderim për mbështetjen, ndihmën, dhe angazhimin e pashoq profesional e njerëzor në trajtimin me dinjitet të grave dhe motrave në maternitetin tonë që ngjalli shpresën, rriti besimin dhe moralin e popullit.
Më 28.04.1995, mbron punimin e magjistraturës me titull: “Paraqitja ultrasonike e shtatzënive të hershme patologjike, posaçërisht në Blighted ovum” në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, në lokalet e Fakultetit të Studimeve Islame.
Në Prill viti 1999, pas rrethimit të lagjes Tusus, të Prizrenit, bastiset shtëpia, i arrestohet vëllai Hyrmeti, ndërsa pas disa dite e gjithë familja largohet në Shqipëri.
Në ndërkohë, më 26.05.1999, në Masakrën e Lagjes Tusus të Prizrenit, i pushkatohet vëllai së bashku me kushërinj, i digjet shtëpia dhe i demolohet ordinanca Ginekos.
Me kthimin nga Shqipëria në Qershor të vitit 1999, sërish kthehet në punë në Spitalin e Prizrenit, në të cilin punoi deri më 15.10.1999, kur dhe iu aprovua kërkesa për një vit pushim pa pagesë për të përfunduar punimin e disertacionit.
Më 02.05.2000, mbrojti punimin e disertacionit me titull:
Parashikimi i ovulacionit dhe vlerësimi i funksionit të vezoreve te gratë me anë të ultratingullit, në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës.
Pas përfundimit të pushimit pa pagesë, kthehet në Spitalin Rajonal të Prizrenit, por organet punë drejtuese të asaj periudhe, nuk shfaqin gatishmëri për të vazhduar punën në këtë institucion, me arsyetim se: nëse juve ju pranojmë në punë, duhet të largojmë tre pastrues të spitalit.
Vazhdon punën në ordinancën private Poliklinikën Ginekos, të cilën e regjistron në institucionet shtetërore më 24 Korrik 2000.
Më 22.12.2001, në Prizren, së bashku me një grup të mjekeve entuziastë, themeloi Shoqatën e Kosovës për Aplikimin e Ultratingullit në Mjekësi – SHKAUM, të cilën e udhëhoqi deri në vitin 2007.
Kjo shoqatë organizoi 18 aktivitete profesionale-shkencore (Simpoziume, shkollën për aplikimin e ultratingullit në mjekësi, punëtori, ligjërata dhe Kongresin e Shoqatës së Kosovës për Aplikimin e Ultratingulli Kosovason 2007).
Disa herë merr pjesë në konkurse të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, për mësimdhënës dhe atë: Mars 2002, Korrik 2004, Shkurt 2006, Prill 2007, Maj 2010, por asnjëherë nuk mori përgjigje as pozitive as negative.
Më 03.06.2013, në Universitetin Ndërkombëtar DIU Libertas, Zagreb, Kroaci, zgjidhet Docent. Më 17.09.2014, zgjidhet profesor në Universitetin publik Fehmi Agani në Gjakovë.
Më 18.02.2022, Federata e Paqes Universale – UNIVERSAL PEACE FEDERATION, e emëron Ambasador për paqe – AMBASADOR FOR PEACE.
Ka publikuar dhe referuar 186 punime e kumtesa në revista vendore dhe ndërkombëtare si dhe në takime profesionale e shkencore brenda dhe jashtë vendit, një libër për vijuesit e shkollës së ultratingullit në mjekësi drejtimin për gjinekologji, dhe një libër mbi sëmundjet e gjirit.
Është anëtarë i Odës së Mjekësve të Kosovës, Anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Obstetërve dhe Gjinekologëve të Kosovës, Kryetar i Shoqatës së Kosovës për Aplikimin e Ultratingullit në Mjekësi në periudhën 2001 – 2007, Anëtar i Shoqatës së Mjekëve të Kroacisë (Hrvatski Lječnički Zbor), Anëtari i ISUOG-ut (International Society of Ultrasound in Obstetrics and Gynecology), Anëtar nderi i Shoqatës së Perinatologeve të Shqipërisë, Anëtar nderi i Kolegjit të Kirurgeve të Kosovës.
Nga viti 2018, Drejtor i Shkollës Ndëruniversitare Ndërkombëtare të ultrazërit medicinal Ian Donald, për Republikën e Kosovës, të cilin mandat ende e mbaj. (IAN DONALD INTER-UNIVERSITY SCHOOL OF MEDICAL ULTRASOUND ). https://iandonaldschools.com.
Jeton dhe punon në Prizren.
(Biografi e kërkuar nga Kolegji i Kirurgeve të Kosovës me rastin e shpalljes Anëtar Nderi).
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.