Para dy ditësh është përuruar asfaltimi i një rruge që lidh fshatin Kërstec të Komunës së Dragashit dhe dy fshatra të Shqipërisë, të banuar nga komuniteti joshumicë.
E sot në një reagim për media, nga komuna e Dragashit kanë thënë se ftesë për pjesëmarrje në këtë përurim nuk ka pasur kryetari i komunës, Bexhet Xheladini.
“Para dy ditësh u bë përurimi i rrugës së asfaltuar e cila lidh fshatin Kërstec të Komunës së Dragashit dhe dy fshatra të Shqipërisë të banuar nga komuniteti joshumicë. Për ndërtimin e kësaj rruge Qeveria e Kosovës ndau 2,6 Mil. euro. Në ceremoninë e përurimit, përveç Kryeministrit Kurti të ftuara ishin edhe shumë personalitete nga Kosova dhe Shqipëria, e ndër ta edhe kryetari i Bashkisë Kukës. Në këtë ceremoni nuk ishte ftuar kryetari i Komunës së Dragashit, z.Bexhet Xheladini, si dhe asnjë përfaqësues nga komuniteti joshumicë, nëpër pronat e të cilëve u ndërtua kjo rrugë”, ka thënë ai.
“Mosftuarja e kryetarit të Komunës sonë dhe ftuarja e kryetarit të Bashkisë Kukës, ishte një lëshim protokollar dhe një veprim i shëmtuar dhe jo i ndershëm i atyre që e organizuan këtë ceremoni. Po ashtu edhe injorimi që iu bë komunitetit joshumicë të Komunës sonë.Komuna e Dragashit është e përkushtuar për ndërtimin e raporteve të mira dhe korrekte ndërinstitucionale, pavarësisht dallimeve politike, partiake, ideologjike, etj. Andaj, shpresojmë që në të ardhmen, gjeste të tilla të pahijshme nga ana e institucioneve të mos ndodhin”, thuhet tutje në reagim.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.