Sipas njoftimit të Universitetit, ky memorandum i bashkëpunimit, formalizon një partneritet që synon avancimin e edukimit dhe praktikave ligjore në fushën e drejtësisë komerciale në Kosovë.
Memorandumi në fjalë është nënshkruar nga drejtori i Programit të USAID-it Drejtësia Komerciale, Christopher Thompson, Rektori i Universitetit, Mentor Alishani dhe Prodekani i Fakultetit Juridik të këtij universiteti, Halim Bajraktari.
“Ky bashkëpunim do të kontribuojë në zhvillimin e programeve arsimore, trajnimeve profesionale dhe aktiviteteve praktike për studentët e Fakultetit Juridik në Universitetin e Prizrenit”, thuhet në njoftimin e Universitetit “Ukshin Hoti”
Memorandumi, sipas njoftimit, parasheh organizimin e punëtorive, trajnimeve dhe projekteve të përbashkëta “që do të ndihmojnë studentët të përfitojnë nga përvoja praktike dhe të avancojnë aftësitë e tyre profesionale në fushën e drejtësisë komerciale”.
“Me këtë marrëveshje, USAID dhe Universiteti i Prizrenit synojnë të fuqizojnë brezat e rinj të profesionistëve të drejtësisë dhe të mbështesin krijimin e një sistemi ligjor më të fuqishëm dhe transparent në Kosovë”, përfundon njoftimi.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.