Administrohen provat materiale në gjykimin për korrupsion ndaj dy zyrtarëve të “Eko Regjionit”

Opoja.net Opoja.net Opoja

Prizren- Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prizren, në gjykimin për korrupsion ndaj dy zyrtarëve të Kompanisë Rajonale për Mbeturina (KRM) “Eko-Regjioni”, Nehat Basha dhe Salih Shala, u administruan provat materiale.

Salih Shala, në cilësinë e menaxherit dhe Nehat Basha, në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv në Kompaninë Rajonale për Mbeturina (KRM) “Eko-Regjioni”, po akuzohen se kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare duke mos zbatuar procedurat e prokurimit për të bërë shtyrjen e mbeturinave në deponinë sanitare “Trokan” në Dragash, duke i shkaktuar KRM “Eko-Regjioni” dëm në vlerën prej 2 mijë e 700 euro.

Kurse, Basha akuzohet edhe se pa shpallur konkurs publik lidhi kontrata pune me gjashtë persona, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Gjatë seancës, kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha, tregoi stadin në të cilin ka arritur procedura në këtë çështje penale.

Gjykatësja gjithashtu kërkoi nga prokurori Genc Nixha që të bëhet konstatimi i disa shkresave.

Prokurori Nixha, propozoi që shkresat e sotme të vazhdojnë të lexohen, pasi që në seancën e kaluar kështu ishte paraparë.

Prokurori tha se nuk kishte pasur kohë të lexonte shkresat dhe të bënte konstatimin e tyre, andaj propozoi të ndërprehet seanca e sotme. Propozimi i prokurorit u aprovua nga trupi gjykues.

Ndryshe, aktakuza ndaj të pandehurve Salih Shala dhe Nehat Basha është ngritur më 22 dhjetor 2021 nga Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda.

Sipas dispozitivit të parë të kësaj aktakuze, të akuzuarit Salih Shala dhe Nehat Basha, po ngarkohen se si persona zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i përmbushin detyrat zyrtare e pastaj i tejkalojnë autorizimet zyrtare me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër apo që të i shkaktojnë dëm tjetrit.

Tutje në aktakuzë thuhet se, i akuzuari Salih Shala në cilësinë e menaxherit të KRM “Eko-Regjioni” në Prizren – Njësia në Dragash, më 27 gusht 2019, i bën kërkesë të akuzuarit Nehat Basha, në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të KRM “Eko-Regjioni në Prizren, që jashtë procedurave të prokurimit të bëhet shtyrja e mbeturinave në deponinë sanitare “Trokan”, në Dragash, të cilën kërkesë ky i fundit e miraton më 28 gusht 2021, me ç’rast kompanisë gjegjëse i shkakton dëm material prej 2 mijë e 700 euro.

Për këto veprime, Shala dhe Basha po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 lidhur me neni 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, i akuzuari Nehat Basha po akuzohet se si person zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar të kryeshefit ekzekutiv të KRM “Eko-Regjioni”, Sh.A, në Prizren, i tejkalon kompetencat me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose për tjetrin apo t’ua shkel të drejtat personave tjerë.

Në aktakuzë thuhet se në periudhën kohore 1 janar 2019 e deri më 1 gusht 2020, në kundërshtim me nenin 8 të Ligjit Nr.03/L-212 të Punës, i dekretuar më 18 nëntor 2010, pa shpallur konkurs publik, lidhë kontrata pune për kohë të pacaktuar ose kontrata pune për detyra specifike, me personat Agim Muçaj, Gilbehar Kurtai, Zgjim Kryeziu, Ylli Pirkuqi, Majlinda Gërguri dhe Luljeta Kastrati-Mustafa.

Me këto veprime, Basha po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragraf 1 të KPRK-së./BetimipërDrejtësi.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-