Largimi i mjekëve nga Kosovë për të kërkuar punë dhe kushte më të mira në vende të ndryshme të botës, mbetet sfidë për institucionet e vendit, pasi ikja e tyre është reflektuar në mungesë të stafit institucionet shëndetësore në vend. Ky trend ka vazhduar edhe këtë vit e shifrat janë shqetësuese.
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu ka thënë sot për Gazetën Express, se nga janari i këtij viti e deri më sot, 96 profesionistë mjekësor e kanë lënë Kosovën.
Ai dha shifra edhe për vitin e kaluar.
“Deri me sot janë 96 mjekë që kanë marr dokumentin e “pastërtisë profesionale” (good standing) kurse vitin e kaluar 167 mjekë kanë marr dokumentin respektiv”, ka thënë Sejdiu për Express.
Në shkurt të këtij viti, teksa po raportonte në Komisionin për Shëndetësi, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kur u pyet nga deputetët nëse ka një strategji për ta ndalë këtë dukuri dhe në përgjigje Vitia thotë se me këtë problem përballen edhe vendet perëndimore dhe shprehur drojën se ikja do të vazhdojë.
“Në shkurtin e 2023-s, mendoj që ka qenë rritja më substanciale për mjekët specialistë, kjo ka qenë e para në këtë funksion, sa i përket kushteve të punës, po në QKUK janë duke u bërë transformime rrënjësore në shumë prej klinikave të cilat kanë pas nevojë që të investohet për shumë vjet me radhë, në anën tjetër specializantët të cilët gjatë vitit 2020, kanë marrë specializime me vetëfinancim, ka vazhduar subvencionimi i vazhdueshëm i tyre përkundër që kanë nënshkruar një kontratë ku ata pranojnë që ata vet t’i bartin shpenzimet e këtij specializimi, por një gjë e kam vërejtur është që ky migrim është i pashmangshëm, po vazhdon edhe në vendet tjera të Ballkanit Perëndimor por po vazhdon edhe në vende si Gjermania duke ikur në Zvicër dhe ky është një fenomen që ne përkundër të gjitha masave që i kemi marrë në përmirësimin e rrogave, shtesave, kushteve, pajisjeve, kam drojën që do të vazhdojë. Ideja është që ne duhet të bëjmë planifikime duke u bazuar edhe në këtë drejtim”, pati thënë ai.
Sipas të dhënave mjekët e Kosovës po ikin kryesisht në vendet evropiane. Kjo për shkak të kushteve më të mira të punës.
Ndryshe, sipas odave të profesionistëve shëndetësorë, në Kosovë ka 24 mijë e 92 punonjës shëndetësorë të licensuar dhe prej tyre 14 mijë e 966 janë gra dhe 9 mijë e 126 burra.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.