Sot në Komunën e Dragashit filluan aktivitetet për shënimin e Muajit Rozë të Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit, me një ligjëratë informuese dhe ndërgjegjësuese të mbajtur në sallën e Asamblesë Komunale.
Ligjërata u organizua nga Grupi i Grave Asambleiste në bashkëpunim me kryesuesen e Kuvendit, znj. Arijeta Skeraj, dhe zyrtaren për Barazi Gjinore. Pjesëmarrëse ishin një numër i madh i grave dhe vajzave nga Komuna e Dragashit, të cilat patën rastin të marrin informacione të rëndësishme për parandalimin dhe diagnostifikimin e hershëm të kancerit të gjirit, sëmundje që vazhdon të preokupojë shumë gra në mbarë botën.
Ligjërata u udhëhoq nga gjinekologia Sebahate Sylejmani Shala, e cila ndau me të pranishmet këshilla për kujdesin dhe kontrollat e rregullta mjekësore, duke theksuar rëndësinë e zbulimit të hershëm të kësaj sëmundjeje për rritjen e mundësive të shërimit. Kryetari i Komunës, z. Bexhet Xheladini, falënderoi organizatoret për këtë nismë dhe u shpreh se Komuna do të vazhdojë të mbështesë aktivitete që synojnë ndërgjegjësimin për çështje të rëndësishme shëndetësore, duke vlerësuar se ligjërata do të shërbejë për rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e kujdesit shëndetësor dhe diagnostikimit të hershëm.
Kryetari Xheladini vlerësoi angazhimin e institucioneve lokale për përkrahjen e grave, sidomos atyre nga grupet e ndjeshme, dhe përmendi se do të mbështesë çdo iniciativë që përqendrohet në shëndetin publik, me theks të veçantë te grupet e margjinalizuara, përfshirë gratë, komunitetet joshumicë dhe personat me aftësi të kufizuara. Ai theksoi gjithashtu se përmirësimi i shërbimeve shëndetësore për gratë është një prioritet për Komunën.
Kryesuesja Arijeta Skeraj falënderoi gratë dhe vajzat për interesimin e tyre dhe premtoi vazhdimin e aktiviteteve të tjera në kuadër të Muajit Rozë, për të forcuar ndërgjegjësimin dhe parandalimin e kancerit të gjirit. Ajo theksoi se Komuna e Dragashit ka marrë dy vendime të rëndësishme për gratë: të gjitha gratë e prekura nga kanceri do të subvencionohen me 500 euro, ndërsa duke filluar nga viti 2025, Papa Testi do të ofrohet falas për gratë në këtë komunë.
Në shenjë mirënjohjeje për kontributet e tyre, gjatë ngjarjes u ndanë certifikata falënderimi për Kryetarin Xheladini për mbështetjen e dhënë në avancimin e pozitës së grave, për doktoreshën Sebahate Sylejmani Shala për kontributin e saj në mbrojtjen e shëndetit të grave, dhe për Besarta Halimin, Zyrtaren Nacionale të Programeve në OSBE, për mbështetjen e projekteve dedikuar grave të Komunës së Dragashit.
Pas përfundimit të ligjëratës, aktivitetet u mbyllën me një marsh simbolik në shenjë solidariteti dhe mbështetjeje për të gjitha gratë e prekura nga kanceri i gjirit. /Opoja.net/
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.