Kryeministri Albin Kurti, të mërkurën ka takuar ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.
Në QUINT bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia.
Siç njoftohet nga Kryeministria, gjatë takimit është diskutuar rreth zhvillimeve të fundit, situatën e sigurisë e të sundimit të ligjit, dhe zhvillimin e gjithmbarshëm.
Po ashtu u bisedua për rëndësinë e bashkërendimit të veprimeve institucionale për hapjen e urës mbi lumin Ibër edhe për vetura.
“Kjo do të mundësonte lirinë e plotë të lëvizjes e cila i ndihmon qytetarët në të dy anët e urës, pa dallim, dhe në të njëjtën kohë i shërben zhvillimit të ekonomisë dhe tregut përmes lëvizjes më të lehtë të mallrave dhe kapitalit”, thuhet në njoftim.
Në fund të majit, asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Mitrovicës së Veriut kërkuan që të zbatohet vendimi për hapjen e urës kryesore mbi Ibër për trafik.
Kjo urë që nga viti 1999 e ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe atë veriore, të banuar me shumicë serbe.
Edhe misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka kërkuar që çështja e hapjes së urës mbi Ibër të zgjidhet në kuadër të dialogut.
Karabinierët e KFOR-it kanë prezencë të përhershme në urën mbi lumin Ibër./Opoja.net/
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.