Kuqezinjtë gati për Spanjën: Çdo gjë është e mundur

Opoja.net Opoja.net Sport

Respekti i Sylvinhos për Spanjën është maksimal. Ai ka lidhje emocionale me Spanjën. Por Sylvinho para së gjithash i respekton lojtarët e tij të Shqipërisë. I respekton edhe 10 milionë shqiptarët që i përfaqëson Shqipëria.

Në konferencën për shtyp të mbajtur të dielën mbrëma, Sylvinho ka përsëritur shumë herë se “çdo gjë është e mundur”. Pra edhe fitorja e Shqipërisë ndaj Spanjës, ndonëse deri më tani nuk e ka asnjë të tillë.

Shqipëria e Spanja takohen të hënën prej orës 21:00 në Duesseldorf. Shqipërisë i duhet fitorja për avancim në fazën nokaut të Evropianit. Spanja tashmë është atje. Por Spanja synon titullin dhe nuk dëshiron të ndalë serinë e fitoreve.

Këtë e di Sylvinho.

“Është goxha emocionuese. Spanja më ka mirëpritur mua, familjen time. Kam krijuar jetën time atje. Kam luajtur gjatë atje. Të paraqitem kundër Spanjës është fantastike. Spanja është përfaqësuese brilante. Kemi kaluar grup të vështirë për të ardhur këtu dhe tani jemi në grupin e vdekjes ku e luajmë ndeshjen e fundit me Spanjën. Do të luajmë kundër njërës prej përfaqësueseve më të mira në botë, me disa prej lojtarëve më të mirë në botë”, ka thënë Sylvinho në konferencë për shtyp.

Ai u është përgjigjur pyetjeve të shumta, që ishin kryesisht nga gazetarë të huaj. Braziliani ka thënë se Spanja është prej favoriteve për ta fituar Evropianin.

Spanja e ka ADN-në e vet. E ka posedimin e topit. Por kjo skuadër e Spanjës ka edhe diçka tjetër. Luan shumë mirë në qendër të mesfushës, por edhe në krahë. Ka shumë cilësi në këtë ekip. Ka disa lojtarë shumë të shpejtë. E kam vëzhguar që kur është hedhur shorti. Është shumë e mirë edhe në mbrojtje. Është shumë mirë e organizuar. Ka fituar kundër Kroacisë, kundër Italisë. Është kualifikuar si fituese e grupit. E kemi një lojë shumë të vështirë nesër”, ka vazhduar Sylvinho duke folur për kundërshtaren e së hënës mbrëma.

Vetëm më pas selektori i Shqipërisë nisi të flasë për lojtarët e tij.

“Por edhe ne kemi lojtarë brilantë, shumë ambiciozë dhe jemi të entuziazmuar të luajmë kundër Spanjës. Lojtarët e mi janë të guximshëm, do të dalin në fushë dhe do të japin çdo gjë që munden. Çdo gjë mund të ndodhë gjatë 90 minutave, kemi cilësi dhe do të dalim në fushë për të luajtur”.

Shqipëria nisi paraqitjen në Evropian me humbje 2:1 nga Italia, kurse e kërkoi barazimin deri në fund. Më pas barazoi 2:2 me Kroacinë.

Sylvinho thotë se shumë njerëz kanë menduar se kuqezinjtë do t’i pranojnë nga 4-5 gola në dy ndeshjet e para dhe ndeshja me Spanjën do të jetë e pavlerë.  Por Shqipëria e kërkon fitoren dhe kështu edhe avancimin në një të tetën e finales.

“Jemi duke vazhduar të ëndërrojmë dhe gjatë 90 minutave çdo gjë është e mundur. Është një ndeshje me rëndësi dhe një ndeshje që nuk do ta harroj. Të luaj për herë të parë ndaj Spanjës, jam gjysmë spanjoll, gjysmë brazilian dhe nuk do ta harroj këtë ndeshje. Është ndeshje shumë e rëndësishme. Gjithnjë ndeshja që vjen është më e rëndësishmja, kështu që ndeshja me Spanjën është më e rëndësishmja. Do të luajmë gjatë tërë 90 minutave, nëse fitojmë e kalojmë grupin, atëherë edhe më mirë. Do të ishte kënaqësi e madhe të luajmë në mesin e 16 më të mirave. Do të bëjmë performancën tonë më të mirë, nëse bëjmë këtë do të kemi mundësi”, ka theksuar Sylvinho.

Sa më shumë pyetje që i bëheshin, Sylvinho shprehej më optimist.

“Asnjë trajner nuk e përgatit ekipin për të barazuar. Secili trajner kërkon fitoren. Nëse duam të kalojmë këtë fazë të grupeve duhet të fitojmë. Nuk është e lehtë. Ne shkojmë për të fituar. Është e vështirë të përgatitësh ndeshjen për barazim. Përgatitesh për fitore. Kjo është ideja”.

Ka pasur raportime që Spanja mund të luajë me ekipin e dytë. Por Sylvinho thotë se Spanja edhe me ekipin e dytë mund të shkojë në finale dhe ta fitojë Evropianin. Ka thënë se është i fokusuar në atë që do të bëjë Shqipëria e jo në atë që bën Spanja.

Sylvinho e ka në mendje 11-shen startuese, por nuk e ka zbuluar atë. Ka thënë se vendimin final do ta marrë pak para ndeshjes.

Edhe kapiteni Berat Gjimshiti ka vlerësuar nivelin e Spanjës, ndërsa ka thënë se të gjithë janë gati.

“Gjëja e rëndësishme është që jemi ende në garë. Do të bëjmë më të mirën nesër për të bezdisur Spanjën. Asgjë nuk është e pamundur. Këtë e kam mësuar në jetë. Por do të jetë vështirë. Do të tentojmë ta shqetësojmë Spanjën”, ka theksuar Berat Gjimshiti.

Shqipëria llogarit edhe në përkrahjen e madhe nga tribunat. Dhjetëra mijëra tifozë shqiptarë ishin në ndeshjet ndaj Italisë e Kroacisë. Dhjetëra mijëra pritet të jenë edhe të hënën në Duesseldorf.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-