Joselu ka shpërthyer në fundin e ndeshjes për t’ia siguruar Real Madridit finalen e Ligës së Kampionëve.
“Mbretërit” fituan 2:1 ndaj Bayernit në gjysmëfinalen e dytë, të mërkurën mbrëma në “Santiago Bernabeu”.
Reali e Bayerni kanë luajtur superndeshje, ndërsa ishin madrilenët që festuan në fund. Rikthimi ishte më shumë se dramatik.
Joselu, që hyri në lojë në minutën e 81-të, shënoi për 1:1 në minutën e 88-të. Pas një goditjeje të Vinicius Juniorit, Manuel Neuer intervenoi dobët dhe topi erdhi te Joselu që nuk fali nga afërsia.
Në minutën e 91-të, Joselu shënoi golin për 2:1. Në fakt fillimisht u dha pozitë jashtë loje, por pas rishikimit të VAR-it u pranua goli i 34-vjeçarit. Asistues ishte Antonio Rudiger.
Në fund të kohës shtesë, topin në rrjetë e dërgoi edhe Bayerni. Por, arbitri më herët sinjalizoi për ofsajd. Kishte reagime të shumta lidhur me këtë nga lojtarët e trajnerët e Bayernit. Por, arbitri vendosi të mos e rishikonte situatën në VAR. Dhe rezultati mbeti 2:1 për Realin.
Kështu Real Madridi u kualifikua në finale me rezultatin e përgjithshëm 4:3. Ndeshja në Munih kishte përfunduar 2:2.
Por Bayerni ishte shumë, shumë pranë. Alphonso Davies kaloi në epërsi 1:0 Bayernin në minutën e 68-të. Ai shënoi supergol me goditje të fuqishme nga zona.
Real Madridi në finalen e 1 qershorit në “Wembley” do të përballet me Borussia Dortmundin. Dortmundi në gjysmëfinale e eliminoi PSG-në.
Reali kërkon titullin e 15-të evropian, ndërsa Dortmundi të dytin.
Ashtu si pritej, ritmi i ndeshjes në “Bernabeu” ishte shumë i lartë. Skuadrat nuk janë ndalur duke kërkuar golin. Në pjesën e parë vendimtarë me pritje ishin portierët Neueri i Bayernit dhe Andriy Lunini i Realit.
Real Madridi i kishte 19 raste gjithsej, ndërsa Bayerni tetë. Goditje në kornizë të portës madrilenët i kishin shtatë e bavarezët pesë.
Më i miri i ndeshjes u shpall Vinicius Junior. Përzgjedhjen e ka bërë një panel i ekspertëve të UEFA-s.
“Loja e tij direkte ishte një kërcënim që ia dha Real Madridit besimin në fitore. Situatat e tij një kundër një ndihmuan në shënimin e golit të parë, shumë të rëndësishëm për ekipin vendas”, shkruan në arsyetimin e vendimit që Viniciusi të shpallet më i miri.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.