Prokurori nga Prizreni, Uesin Veliji, është incizuar teksa mundohej ta bindte babanë e një viktime të dhunës në familje që të hiqte dorë nga ndjekja penale. Ai i kërkonte babait të viktimës që të pajtohej me njeriun që para disa ditësh e kishte kërcënuar me vrasje dhe që në të kaluarën ishte dënuar për kërcënime ndaj vajzës së tij.
Disa javë pas tentativës së prokurorit për pajtimin e dorasit me viktimën, kërcënuesi Omer Muhameti e qëlloi me pistoletë Kadri Qusajn. Plumbi i shkrepur depërtoi shumë afër zemrës.
Një hulumtim i KallxoPernime ka zbardhur trajtimin skandaloz që institucionet, përfshirë policinë, prokurorinë dhe gjykatën, i dhanë këtij rasti duke dështuar në hetimin e dorasit dhe mbrojtjen e viktimave.
Vajza e Qusajt ishte ndarë nga Omeri disa vite më, ndërsa për rastin u zhvilluan disa procese gjyqësore, ku Omeri u dënua vetëm me dënime të kushtëzuara të cilat nuk patën efekt.
Me datë 20.01.2024, Omeri pas disa dënimesh e procesesh gjyqësore e kishte thirrë në telefon ish vjehrrin e tij. Kadriu kujton telefonatën të cilën e ka edhe të incizuar.
“A po më nin po thom? Jo me m’thanë hajt mu se robtë kam me t’i q*, t’gjallë e të vdekur. Kudo që të zë në rrugë kam me ta futë plumb në lule të ballit”- i ishte drejtuar përmes telefonit Omer Muhameti, ish vjehrrit të tij Kadri Qusaj më 20.01.2024.
Telefonata ishte raportuar tek autoritetet ndërsa KallxoPernime zbardhë se prokurori Uesin Veliji e kishte telefonuar viktimën me kërkesën që rasti të dërgohej në ndërmjetësim.
Situata nuk ishte rregulluar as në javët në vijim. Me datë 24.04.2024 palët ishin ftuar në gjykatë për një çështje të besimit të fëmijëve. Në korridorin e gjykatës Omer Muhameti është filmuar tek paraqet kërcënime serioze ndaj ish gruas së tij H.Q.
“Ki me hi nën tokë, ko me ta q* familjen, ki me pa kush jam unë e kush je ti” dëgjohet duke thënë Omeri.
Kërcënimet kishin vazhduar edhe në seancë gjyqësore. “Kjo ka me shku në vorr e unë në burg, gjyqtarja ja ka tërheq vërejtjen i ka thanë kqyre çka je tu bë a mundesh me vazhdu seancën sepse ai nuk e ka pas avokatoin e vet” rrëfen H.Q.
Seanca sipas dëshmitares ishte ndërprerë ndërsa vajza dhe babai kërkuan ndihmën fillimisht të gjykatës e më pas të policisë.
“Unë i kam thanë gjyqtares më fal a duhesh me thirrë ti policinë apo kush më mbron mu se ky më kërcënoj në gjyq. Më tha unë nuk jam për me thirrë policinë- tha janë organet e tjera që kujdesen për ty”- rrëfen viktima.
Tragjedia e familjes Qusaj do vazhdonte edhe pasi policia ftohet për t’i mbrojtur ata.
Dy policë pa makinë u vijnë në ndihmë familjes. Ata i sugjerojnë viktimës që në këmbë të shkoj në stacion për të dhënë një deklaratë, ndërsa babai mbetet i ekspozuar ndaj sulmuesit.
“Unë shkova me nxjerrë kerrin nga parkingu, veç kur e kam pa atë. Edhe unë e qeli derën dhe dul e unë mendova që po del me bisedu vec e ka shti kryt mrenda edhe e nxjerri armën e unë kur e pash armën u nisa, e kur u nisa aj ka gjujt, krisma ma thej xhamin dhe më kapi në pjesën e gjoksit më hyri plumbi e më doli nga kjo pjesa tjetër”- shpjegon Kadri Qusaj duke treguar se nga i kaloi plumbi.
I plagosur në krahun e djathtë shumë afër zemrës Qusaj rrugëtoj drejt stacionit të policisë.
Aty për të nuk pati ambulancë ndërsa transporti për në spital u bë me makinën e tij.
“Baba erdh në stacion i plagosun, unë tu bërtit thirreni ndihmën e parë, tu i bërtit policise se u doke sikur në zemër u plagos e ju thojsha thirre ndihmën e parë. Ata s’kishin pas kerr me qu as për ndihmë të parë babin- nuk kanë pas kerr. E kanë marrë me kerr të babit e kanë qu me ja dhanë ndihmën e parë. Kanë shku e kanë qu në spital me marr ndihmën e parë”- thotë H.Q.
Ajo rrëfen për dështimin e policisë për ta kontrolluar situatën dhe për t’ju garantuar siguri familjes. Omeri për momentin është në paraburgim sipas avokates së tij.
Problemet e vazhdueshme mes familjes Qusaj dhe Omer Muhametit
Dhuna në familje është shndërruar në problem serioz për Kosovën. Në shumicën e rasteve të vrasjeve dhe plagosjeve hulumtimet kanë dëshmuar veprime joprofesionale të institucioneve të drejtësisë.
Edhe çështja Qusaj është në mesin e këtyre rasteve.
Dorasi i ngjarjes ka të paktën dy dënime me kusht ndërsa kërcënimi i fundit kishte ndodhur para katër muajsh. Më 20.01.2024, Kadri Qusaj kishte pranuar një telefonatë.
“Hej, o zotni, a je tu e pru qet vajzën a po t’them, (fjala është për mbesën) a mos dil prej shpisë jam tu t’thanë, qashtu jam tu t’thanë unë. Mos ma ban punën ti m’u mshel në shtëpi. A po më nin po thom? Jo me m’thanë hajt mu se robtë kam me t’i q*, t’gjallë e të vdekur. Kudo që të zë në rrugë kam me ta futë plumb në lule të ballit”- ishin fjalët që Omer Muhameti i kishte drejtuar Kadri Qusajt.
Kjo bisedë ishte incizuar ndërsa menjëherë ishte njoftuar policia për ngjarjen, por askush nga institucionet nuk e arrestoj Omerin, e as nuk i kreu kontrolle për armët.
“Nuk u arrestu atëherë. E kam incizimin i ka thanë a po ma jep vajzën mos ma mbaj mshel se unë ko me të vra kudo që të za në lulë të ballit. E ka thirrë me zë, videon e kam incizimin. Jo nuk e kanë arrestu, policia po thotë na nuk kemi diçka në dorë, krejt çka na thotë prokurori ne bëjmë. Unë kam qenë jam anku kam thanë çka është puyna aj po më kërcënon kam dy urdhërmbrojtje e kanë dënu 300 euro send nuk i kanë bërë”- rrëfen Q.H.
Pasi rasti ishte raportuar, Kallëzimi Penal ishte dorëzuar në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, rasti i ishte ndarë prokurorit Uesin Veliji.
Ai kishte telefonuar Kadri Qusajn si palë e dëmtuar në atë kohë pasi ishte kërcënuar dhe i kishte ofruar mundësinë që rasti të dërgohet në ndërmjetësim.
”A ekziston ndonjë mundësi që ju me u pajtu që mos me u marrë me kësi raste, ai mos me të kanosë dhe me kërku falje? Me qesi gjana, me kanosje e sulme, duhet me shku në procedura ligjore me respektu njëri-tjetrin, ai ty mos me të kanosë, mos me të ngucë” dëgjohet prokurori duke folor në telefon.
Kadri Qusaj thotë se nuk kishte pranuar që të shkonte përmes ndërmjetësimit pasi që kishte vazhdimisht kërcënime nga ish- dhëndri i tij.
“I kam tregu, i thash, e di që ai ka tensionet e veta por me qeta sun ja fali. Po e tha ai ka plot dosje, po ai ka kërku me ja falë ndërsa prokurori kërkojke ndërmjetësimin a po don me ja falë e qeshtu”- shton Kadri Qusaj.
Prokurorit Usein Veliji nuk ka pranuar të komentoj bisedën e incizuar, ndërsa Prokuroria Themelore e Prizrenit është arsyetuar se ky veprim është bërë në kuadër të procedurave të zgjidhjes në formë alternative të rasteve.
Por, prokuroria nuk ka sqaruar nëse masa të tilla alternative mund të përdoren për njerëz të dënuar me dënime me kusht siç është Omeri.
Sipas ligjit, në rastet kur personat e dënuar me kusht kryejnë vepra penale, ata duhet të kthehen në burg, ndërsa në rastet kur kërcënimet janë me vrasje prokuroria duhet të urdhëroj bastisje dhe kontrolle të detajuara për të verifikuar nëse personat janë të armatosur. Në Rastin e Dragashit këto nuk kanë ndodhur.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.