FFK-ja e “varfër”, gjyqtarët kosovarë nuk janë paguar që gati dy muaj

Opoja.net Opoja.net Sport

Infrastruktura duket se nuk është problemi i vetëm aktualisht në futbollin kosovar.

Gjatë këtij sezoni është shtuar edhe një tjetër për Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK).

Disa gjyqtarë të Superligës, Ligës së Parë dhe Ligës së Dytë kanë treguar për TV Dukagjinin se nuk i kanë marrë mëditjet që gati dy muaj.

Ata kanë thënë se ende nuk i kanë marrë as paratë për muajin nëntor. Po ashtu nuk janë paguar ende as për ndeshjet që kanë gjykuar në muajin dhjetor.

Disa prej tyre gjithashtu kanë thënë se “me paratë e referimit mbajnë familjet” dhe se këto mjete i kanë të hyrat e vetme financiare.

TV Dukagjini ka dërguar pyetje edhe në adresën elektronike të FFK-së rreth kësaj çështjeje, megjithatë deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Zyra për media e institucionit më të lartë të futbollit kosovar që një kohë të gjatë nuk i është përgjigjur TV Dukagjinit edhe për disa tema të tjera.

Përveç FFK-së, televizioni ka kontaktuar edhe kryetarin e Komisionit të Referëve, Përparim Hasani, por ai nuk e ka hapur telefonin.

Televizioni e ka kontaktuar të martën dhe të mërkurën, por Hasani nuk është përgjigjur.

Gjyqtarët kryesorë në elitën e futbollit kosovar paguhen 200 euro për ndeshje, teksa anësorët 150 euro dhe i katërti 100 euro.

Në Ligën e Parë gjyqtari kryesor merr 150 euro për ndeshje, ndërsa anësorët 120 euro.

Në Ligën e Dytë gjyqtari kryesor paguhet 100 euro për ndeshje, e asistentët 80 euro.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-