Presidentja Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit të saj në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, është takuar të martën me përfaqësuesin e të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në drekën e organizuar nga ai, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor.
Zyra e Presidencës ka njoftuar se në këtë takim ndër tjera është diskutuar edhe për masat e BE-së të vendosura ndaj Kosovës, për të cilat Osmani ka thënë se nuk i kontribuojnë avancimit të dialogut.
“Presidentja Osmani shtroi nevojën e përshpejtimit të procesit dhe marrjen e vendimeve të nevojshme nga ana BE-së për integrimin e Kosovës, duke i dhënë statusin e vendit kandidat, si dhe anëtarësimin e shteteve të rajonit bazuar në përmbushjen e kritereve. Ajo po ashtu ka theksuar se masat e BE-së ndaj Kosovës përveç që nuk i kontribuojnë avancimit të dialogut, ato, nëpërmjet pezullimit të projekteve të BE-së, më së shumti prekin interesat dhe mirëqenien e qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Më tutje Osmani citohet të ketë thënë se Kosova është palë konstruktive dhe e përkushtuar për paqe e stabilitet, e bashkërenduar tërësisht me politikat e BE-së edhe sa i përket sanksioneve dhe me procese reformuese të rëndësishme.
“BE duhet t’i shpërblejë shtetet të cilat janë të bashkërenduara me BE dhe në të njëjtën kohë kanë ndërmarrë reforma, sidomos në sundimin e ligjit, ekonomi dhe standarde evropiane”, ka theksuar Osmani.
Ndërkohë presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka deklaruar se zbatimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi dhe rikthimi te dialogu midis dy vendeve është garanci për sigurinë në rajon.
“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE”, ka shtuar ai në njoftimin e publikuar në Facebook.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.