Njoftimi i plotë nga Komuna e Dragashit:
SQARIM PËR OPINIONIN PUBLIK
Të nderuar qytetarë të komunës sonë,
Ditën e premte (07.07.2023), LVV- Qendra në Sharr përmes një postimi në faqen e saj zyrtare, ka bërë të ditur se Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Komuna e Dragashit në vitin 2022 ka angazhuar 11 zyrtarë për shërbime të veçanta, pa kryer procedurat adekuate ligjore, konkretisht pa procedurë të prokurimit.
Njoftojmë opinionin e gjerë publik se kjo e gjetur nga ZKA (Zyra Kombëtare e Auditimit) për vitin 2022 vjen si rrjedhojë e kontratave të nënshkruara nga qeverisja e kaluar në vitin 2021/22 dhe kryesisht kanë të bëjnë me ofrimin e shërbimeve publike si pastrimi i borës, pra nuk është vepër e qeverisjes Xheladini.
Në vitin 2022, sapo kemi pranuar Raportin e Auditimit për vitin 2021, Kryetari i Komunës ka filluar zbatimin e rekomandimeve nga ZKA dhe që nga ajo kohë nuk është nënshkruar asnjë kontratë për shërbime të veçanta. Si rrjedhojë, Raporti i Auditimit i vitit 2022 është Raporti më i mirë në 14 vitet e fundit dhe do të bëhet publik dhe do të debatohet në njërën nga dy seancat e ardhshme të Asamblesë Komunale.
Shkrimet nga LVV-Qendra në Sharr paraqesin një gënjeshtër dhe tendencë për të njollosur integritetin dhe punën e qeverisjes lokale në përgjithësi dhe Kryetarit Xheladini në veçanti.
Për hir të transparencës, ne jemi të gatshëm të publikojmë edhe listën e personave të angazhuar me kontratat në fjalë. Atëherë do të sqarohej fakti se personat e angazhuar nuk kanë të bëjnë asgjë me nepotizëm apo përkatësi partiake dhe do të dëshmohej se postimi nga LVV- Qendra Sharr paraqet një gënjeshtër të kulluar.
Demanti më i mirë për këtë shpifje është Raporti i Auditimit për vitin 2022, i cilësuar si “Opinion i pamodifikuar për pasqyrat financiare vjetore 2022” (shih sqarimet në foto).
Me respekt,
Zyra për Informim
Komuna e Dragashit
Ju përkujtojmë edhe deklaratën e LVV- Sharr:
Kryetari i komunës dhe vartësit e tij nga LDK-ja paskan vazhduar që komunën ta trajtojnë ashtu sikurse e kemi cekur në reagimin tonë paraprak, si pronë të tyre. Kësaj radhe duke e shfrytëzuar faqen zyrtare të komunës për reagim partiak.
Është fakt i pamohueshëm evidentimi i parregullësive dhe shkeljeve që ka gjetur auditori i përgjithshëm. Ato janë publike dhe të pranuara edhe nga vetë zyrtarë komunal.
Fakt tjetër i pamohueshëm është realiteti që e shohin të gjithë qytetarët. E ai realitet quhet “rehatimi i militantëve partiak të LDK-së në komunën e Sharrit”.
Në reagimin skandaloz e qesharak duke u përpjekur të bëjnë kinse demant, zyra informuese e komunës, thënë më saktë e LDK-së, vetëm se na e ka dëshmuar sikletin që e kanë, e që vjen si pasojë e veprimeve joligjore, të padrejta dhe të dëmshme e në kurriz të taksapaguesëve.
Ju bëjmë thirrje që të jenë më shumë serioz, më pak qesharak dhe të heqin dorë nga uzurpimi që po tentojnë t’ia bëjnë komunës.
Komuna është e qytetarëve, e secilit. Jo e pushtetarëve, e asnjërit.
/OPOJAnet/
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.