Nga mbyllja e syve te mbyllja e derës – vazhdon saga e moskomunikimit Kurti-Rama

Opoja.net Opoja.net Kosova

Edi Rama tha se pavarësisht insistimit të tij për një takim me Albin Kurtin, ky i fundit nuk e ka pritur në Prishtinë.

“Debatet me Albinin ne i bëjmë në WhatsApp”, tha Rama, i cili tregoi përpjekjet e tij për një takim me homologun e tij kosovar.

“Gjëja më e rëndësishme sot është që njerëzit të takohen, të flasin – duke u takuar dhe duke folur mbase kuptojnë më mirë njëri-tjetrin”.

“Unë jam përpjekur të komunikojë, por ka qenë e vështirë. Është një moment i tillë, dhe unë nuk dua të jap gjykime”, ka thënë Rama në Klan Kosova, shkruan Gazeta Sinjali.  

Ai ka treguar se si disa ditë para ardhjes në Prishtinë ka kërkuar të takohet me të qoftë në Kukës, Gjakovë, Prizren apo kudo.

“Unë jam kërkuar disa ditë më radh takim me Albinin, pasi kam dasht t’ia përcjellë disa shqetësime, nuk ka qenë e mundur për ta bërë takimin – ai ka qenë shumë i zënë, ka pas punë të tjera”.

“Unë madje i kam kërku Josep Borrellit që t’i shtyjë masat për disa ditë për Kosovën – por meqë takimi nuk ka ndodhur – ato janë marrë”, tha tutje Rama, duke thënë se nuk di tutje ta interpretojë këtë çështje, shkruan Gazeta Sinjali.

Ai ka vazhduar të flasë për raportin me Kurtin.

“Ne nuk e kemi marrë një përgjigje zyrtare, serioze – nga një shtet serioz – ne ende nuk kemi një pergjigje zyrtare”.

“Të gjitha qeveritë janë përgjigjur ndërmjet kabineteve, në bazë të kërkesës sonë, por ende nuk kemi marrë një përgjigje nga kabineti i Kurtit”, tha Rama, shkruan Gazeta Sinjali.

Kurti nuk ka folur sot nëse do ta takojë Kurtin ose jo.

Teksa sot dilte nga ambientet e zyrës së tij Kurti është pyetur nga mediat nëse ka në plan të takohet me Ramën, pyetje së cilës kreu i qeverisë së Kosovës ka refuzuar t’i përgjigjet.

Kurti ka përshëndetur gazetarët dhe ka hyrë në automjetin e tij dhe është larguar.

Por, para pak ditësh ai foli pak mbi këto arsye.

“I kërkova të mbajmë mbledhjen e qeverisë që u anulua. Do rrijë 2 ditë dhe 1 natë në Prishtinë në kuadër të Procesit të Berlinit. I kërkova të bënim mbledhje qeverie për të firmosur marrëveshjet. Nuk e takoj nëse nuk do jetë mbledhje e përbashkët e qeverive që u anulua”, tha Kurti.

Ndonëse marrëveshjet u nënshkruan, Kurti dhe Rama sërish s’u takuan.

Por, vetëm pak më vonë – sot gjatë ditë – për arsyet e mostakimit Kurti-Rama ka folur kryetari Kuvendit, Glauk Konjufca.

Ai tha se raportet e kryeministrit Albin Kurti, me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, janë lënduar, por sipas tij, nuk janë acaruar sa për të mos u takuar.

“Kjo do të rregullohet se shpejti, ata do të takohen së shpejti”, tha ai.

“…Kosova gjithmonë ka bërë hapa gjigantë në kauzën e vet, në çdo kohë, për sa kohë që Republika e Shqipërisë i ka qëndruar prapa. Mua më kujtohen vetëm 2-3 momente nga vitet e 90-ta, edhe gjatë kohës së presidentit Rugova, ku Shqipëria i ka dalë kundër Kosovës. Ato kanë qenë raste shumë të rralla”, deklaroi Konjufca, shkruan Gazeta Sinjali.

Kryetari i Kuvendit i përmendi “krizat” që sipas tij, Kosova i ka pasur me Shqipërinë

“Vetëm një moment ose 2 kanë qenë momente krizash, kur kryeministri shqiptar i ka dalë kundër presidentit ose ministrave… ne patëm një krizë në 2017-n, kur u duk se sikur për Kosovën, edhe Republika e Shqipërisë po është në anën e shkëmbimit territorial. Mendoj se kjo e dëmtuar Republikën e Kosovës. Mendoj se e ka dëmtuar edhe ideja e ‘Ballkanit të Hapur’”.

“Sepse ky është dallim nga ajo që ka nevojë Kosova. E tash e treta është kjo që po e dëmton Republikën e Kosovës, kur ne jemi në të drejtën tonë dhe ku nuk po na kupton as Republika e Shqipërisë. Prej kësaj nuk ka gjëra pozitive, me këto pozicione Kosova mundet vetëm të dëmtohet”, deklaroi tutje kryetari i Kuvendit, shkruan Gazeta Sinjali.

Por, si nisi krisja mes dy kryeminstrave shqiptar të Ballkanit?

Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë kaluan në një nivel tjetër, kur më 13 qershor, Rama njoftoi se do ta anulojë mbledhjen e dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, që ishte paraparë të mbahej në Gjakovë.

Kjo kishte ndodhë pas situatës në veri, dhe pasi Rama i kishte kërkuar Kurtit një takim kokë më kokë, dhe ky i fundit nuk kishte pranuar.

Megjithatë, diskutimet për një “krisje” të raportit mes dyve kishin nisur para 13 qershorit.

Më 8 qershor, në një konferencë urgjente për tensionet në veri, Rama bëri të ditur se i kishte dërguar presidentit francez, Macron dhe kancelarit gjerman, Scholz një dokument konfidenciale për draft-statutin e Asociacionit.

Këtë e kishte bërë pa u koordinuar me Kurtin.

Pak ditë më vonë, Kurti gjatë një konference tha se nuk e ka lexuar draftin e Ramës, por tha se do të ishte mirë që atë të ia prezentonte Vuçiqit për shqiptarët e Preshevës.

Pas kësaj, Rama kishte deklaruar se nuk ishte prekur nga komentet e homologut të tij kosovar, dhe shtoi me se “Kurtin kanë qëllime të njëjta”, por pranoi se rrugët i kanë gjithmonë të ndara.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-