Sa kanë shpenzuar kosovarët për viza drejt BE-së?

Opoja.net Opoja.net Kosova

Gjatë ditës së sotme, Parlamenti Evropian pritet të votojë për heqjen e vizave për kosovarët, sipas draft agjendës së miratuar nga Konferenca e Presidentëve.

Këshilli i Ministrave i BE-së votoi më 9 mars pro liberalizimit të vizave për Kosovën, duke e konfirmuar se qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza nga 1 janari i vitit 2024. E tash, gjithçka është në duart e Parlamentit Evropian.

Sipas njoftimit nga PE-ja, sapo të miratohet liberalizimi në seancë plenare të martën, të nesërmen akti formalisht bëhet ligj, e që nënshkruhet nga presidentja PE-së dhe përfaqësuesi i Suedisë që mban presidencën e BE-së deri më 30 qershor.

Por sa aplikime janë bërë për vizë Schengen nga kosovarët që kur Komisioni Evropian i BE-së më 2012 nisi zyrtarisht dialogun me Kosovën për procesin e liberalizimit të vizave?

Që nga nisja e këtij dialogu e deri në fund të vitit 2021, kosovarët kanë parashtruar 659.029 aplikime për vizë Schengen, sipas të dhënave të Komisionit Evropian.

Sipas të dhënave të Grupit për Ballkanin (BRPG), 60% e kosovarëve kanë kërkuar vizë Schengen, që mundëson lëvizjen e lirshme në vendet e BE-së, për vizita turistike. Interesimi i kosovarëve për të vizituar vendet e BE-së kishte qenë në rritje deri në vitin 2020, kur trendi ndryshoi shkaku i COVID-19.

Sipas një hulumtimi të bërë nga BRPG-ja, qytetarët e Kosovës kanë paguar mesatarisht 165 euro për aplikimin për vizë Schengen. Kjo kosto arrin shifra prej dhjetëra miliona eurosh kur merret parasysh numri i aplikimeve në vit.

Ndërkohë, të dhënat e Grupit për Ballkan tregojnë gjithashtu kosovarët shpenzojnë mesatarisht 165 euro për aplikim për vizë Schengen. Kur kjo vlerë i shtohet numrit të aplikimeve, del që kosovarët kanë shpenzuar mbi 72 milionë euro gjatë viteve 2016-2021.

Po i njëjti hulumtim i BRPG-së thekson se kosovarët kanë pritur mesatarisht nga një deri në gjashtë muaj deri në përfundimin e procedurës për vizë në zonën Schengen. Përveç kësaj pritjeje, kosovarët janë ankuar edhe për pritje të gjata në rend për dorëzimin e dokumenteve.

Por, me gjithë pritjet e gjata dhe paratë e shpenzuara gjatë aplikimit, një numër i aplikuesve është përballur me përgjigje negative.

Sa për qind e aplikimeve janë refuzuar?

Në vitin 2021, numri i aplikimeve për vizë në zonën Schengen që morën përgjigje negative u përgjysmua në krahasim me vitin paraprak.

Komisioni Evropian në vitin 2018 kishte propozuar liberalizimin e vizave për Kosovën. Edhe Parlamenti Evropian e kishte mbështetur këtë vendim, mirëpo vendet si Franca dhe Holanda nuk ishin të pajtimit.

Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk e kanë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Schengen./REL/

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-