Shtrenjtohen përsëri produktet bazike, qytetarët të shqetësuar

Opoja.net Opoja.net Kosova

Trendi i rritje se çmimeve për disa produkte ka vazhduar edhe në vitin 2023. Shtrenjtimi është vërejtur më shumë në produktet bazike. Rritjen e çmimeve e ka dëshmuar edhe Agjencia e Statistikave të Kosovës. Qytetarët janë shprehur të shqetësuar me çmimet, ndërsa ekonomistët i kanë bërë thirrje Qeverisë që të ndërhyn.

Ermonda Gashi, një qytetareve nga Prishtina, është shprehur e brengosur më rritjen e çmimeve për produktet bazike.

Ajo ka thënë për gazetën Nacionale se me vështirësi të mëdha po ia dal me shtrenjtimin e produkteve për të cilat ka nevojë çdo ditë.

Gashi ka bërë me dije se me rrogën e saj detyrohet të paguaj shumë shpenzime, duke shtuar se Qeveria nuk po kujdeset aspak për qytetarët.

E kam shumë të vështirë me një pagë të mbuloj të gjitha shpenzimet për një muaj për gjithë familjen duke e parë këtë rritjen e madhe të çmimeve këto ditët e fundit. Unë mendoj se Qeveria nuk po e vë në konsideratë aspak qytetarin që nuk po aktivizon inspektor në treg për të kontrolluar çmimet pasi në disa vende ato janë më të lira, ndërkohë në disa të tjera janë të shtrenjta”, ka thënë Gashi.

Më tej, ajo ka deklaruar se ka menduar që të mbaj edhe një punë të dytë.

Unë e kam menduar shpesh të gjejë edhe një punë tjetër të mbaj për t’ia lehtësuar vetëm më shumë këtë barrë që po më shkaktohet çdo ditë, mirëpo nuk po mundem për shkak të angazhimeve që kam”, është shprehur ajo.

Rritjen e çmimeve po e dëshmon edhe Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Siç shihet në tabelën e ASK-së, gjatë këtyre ditëve është vërejtur një rritje tek mielli, ku nga 3 euro e 71 centë sa ishte ditë më parë, është rritur në 3 euro e 81 centë.

Tutje, edhe çmimi i vajit ushqimor është rritur për 10 centë. Nga 1 euro e 93 centë sa ishte në muajin janar, aktualisht është 2 euro e 03 centë për litër.

Siç shihet në këtë tabelë, çmimi i çajit është shkuar në 10 euro e 03 centë, ndërkohë që ditë më parë ishte 9 euro e 46 centë.

Edhe çmimi i kafes është rritur për 45 centë. Gjysmë kilogrami i kafes së bluar kushtonte 5 euro e 76 centë, ndërsa aktualisht shitet për 6 euro e 21 centë.

Rritjes se çmimit nuk i ka shpëtuar as detergjenti për enë, i cili është shtrenjtuar dukshëm. Sipas të dhënave të ASK-së, 2 euro e 1 centë kushtonte detergjenti për enë në ditët e para të muajit shkurt, ndërsa aktualisht çmimi i tij është rritur në 2 euro e 31 centë.

Ekonomistët fajësojnë Qeverinë

Gazeta Nacionale ka kontaktuar me disa njohës të fushës së ekonomisë për t`i pyetur se pse po vazhdon ky trend i rritjes së çmimeve në vend.

Ekonomisti, Mustafë Kadriaj, në një prononcim për gazetën Nacionale ka thënë se kjo rritje e vazhdueshme e çmimeve është si pasojë e mos veprimit të Qeverisë në këtë aspekt.

Ai ka thënë se kjo ndodhë për shkak të mos subvencionimit të prodhimeve vendore.

Qeveria nuk e ka kryer punën e vet. Përkundër deklarimeve se do të ketë subvencionim të prodhimit vendor që do të ndikonte në fuqizimin e prodhimit dhe në mbushjen e tregut me prodhime vendore, detyrimisht do të ndikonte edhe në uljen e çmimeve për shkak se nuk do të ishim shumë të varur nga importi. Kur flasim për produktet e konsumit, vlerësoj se është shqetësim pasi edhe përkundër deklarimeve të Qeverisë së viti 2023 do të jetë vit i këndelljes, prap po ka rritje të vazhdueshme të çmimeve. Në këtë drejtim do të pësojnë vetëm qytetarët dhe shporta e konsumatorit, por këtu mbetet të shihet se sa do të reflektoj Qeveria në këtë drejtim”, ka thënë Kadriaj.

Ai nuk pret që të ketë ulje të çmimeve, derisa Qeveria të merr ndonjë hap konkret në këtë aspekt.

Mos intervenimi i Qeverisë në këtë aspekt do të bëjë që të ketë rritje të vazhdueshme dhe gatishmëri të qytetarëve për ikje nga vendi. Përderisa nuk merr ndonjë hap Qeveria, nuk mendoj se do të ketë ulje të çmimeve, sepse në ekonomi nuk vlerësohen gjerat në mënyrë magjike, pra me shkop magjik por vetëm duke vepruar”, ka thënë Kadriaj.

Edhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka bërë me dije se Qeveria duhet të bën diçka për të ndalur këtë rritje te çmimeve për produktet bazike.

Në një prononcim për Nacionale, ai ka thënë se rritja e çmimeve po e vështirëson jetën e qytetarëve.

Qytetarët e Kosovës janë duke u ballafaquar me një dukuri shumë shqetësuese, me një rritje të çmimeve në mënyrë të vazhdueshme. Duhet bërë diçka për ta ndaluar. Nga ana a institucioneve nuk ka një dialog të mirëfilltë as me qytetarët e as me bizneset. Është koha kur duhet të mendohet për jetën dhe standardin e qytetarëve të Kosovës, pasi inflacioni është shumë i lartë, kemi ngrirje të pagave, rritje e vazhdueshme e çmimeve. Kjo situatë duhet t’i shqetësoj të gjithë krerët e institucioneve në veçanti të gjithë deputetet e kuvendit. Shumë tregtar e shfrytëzojnë këtë situatë duke rritur çmimet, duke e ditur që kemi një numër shumë të vogël të inspektorëve për të monitoruar tregun e Kosovës”, ka thënë Gerxhaliu.

Sipas tij, çmimet e disa produkteve janë më të larta se në vendet e Evropës.

Diaspora çuditet kur vjen në Kosovë, pasi këtu çmimet janë më të larta sesa në Evropë. Unë mendoj që nga marsi do të ketë trende pozitive dhe do të këtë një lëvizje në këtë drejtim”, ka thënë ndër të tjera ai.

Kujtojmë, se përveç rritjes së vazhdueshme të çmimeve të produkteve bazike, në Kosovë pati edhe rritje të çmimit të tatimit në pronë. Kjo ka ngjallur shumë reagime të qytetarëve.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-