Vlera e koeficientit për pagat në sektorin publik këtë vit do të jetë 105 euro.
Sipas kësaj shume, paga më e lartë në FSK e që është ajo e komandantit, do të jetë 1 mijë e 575 euro.
Ushtari i klasit të parë do të paguhet 609 euro, ushtari do të paguhet 588 euro ndërsa rekruti apo kadeti i FSK-së do të paguhet vetëm 210 euro në muaj.
Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati theksoi për “Front Online” se këto kategori do duhej të shpërbleheshin më mirë.
“Nëse e krahasojmë Kosovën me rajonin, me qenë vlera më e madhe do të ishte më mirë sepse një ushtar ish dashtë me pasë rrogën më të madhe sesa stafi civil sepse jeta, puna, veprimtaria, rrezikshmëria e ushtarëvee është shumë më e madhe sesa e shërbyesve civil që punojnë në zyre. Kam prit që një ushtar të mos ketë pagë nën 650 euro”, theksoi Kastrati.
Sipas tij, pagat e ulëta mund ta ulin interesimin e të rinjve që duan të bëhen pjesë e ushtrisë.
“Për shkak të pagave të vogla, konkursi i fundit nuk ka dhënë rezultatet e pritura”, deklaroi Kastrati për “Front Online”.
Kategoritë tjera qëndrojnë më mirë.
Rreshteri i FSK-së do të paguhet me 693 euro, tetari apo specialisti me 640,5 euro.
Paga mujore e nëntogerit dhe rreshterit të klasit të parë do të jetë 777 euro, ndërsa paga për rreshter shtabor do të jetë 735 euro.
Me koeficient 8.2 janë vlerësuar togeri i FSK-së dhe rreshteri i pari ose rreshteri master, koeficient i cili në pagë përkthehet si 861 euro në muaj.
Kapiteni, rreshter majori i komandës ose rreshter majori i FSK-së, koeficienti i të cilëve është 9, pritet që të marrin pagën prej 945 euro në muaj.
Majori i FSK-së do të marr pagë prej 1 mijë e 50 euro në muaj, ndërsa paga nën 1 mijë euro pastaj vazhdon për 12 pozita të tjera të cilat i takojnë Forcës.
Një koeficient më poshtë merr pozita e nënkolonelit, që në bazë të vlerës së caktuar pritet të paguhet me 1 mijë e 155 euro.
Muaji për shërbimet e një gjeneral brigade do të paguhet me 1 mijë e 365 euro, ndërsa 105 euro më pak në muaj do të marr koloneli i Forcës së Sigurisë, të cilit i bie ta ketë pagën mujore 1 mijë e 260 euro.
Gjenerallejtënanti i bie të ketë pagën mujore 1522,5 euro, ndërsa gjeneralmajori pritet që të paguhet 1 mijë e 470 euro.
Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, me 22 dhjetor 2022.
Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka dekretuar më 5 janar Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.