Ushqime natyrore apo përforcuese

Opoja.net Opoja.net Shëndeti

Nuk ka ditë që në median e shkruar të mos ndeshemi me artikuj apo lajme rreth ushqyerjes, shëndetit, jetës së gjatë dhe jetesës cilësore. Të dhënat e ndryshme dhe të shumta që formulohen në lidhje me jetesën e shëndetshme, duam apo s’duam, tërheqin vëmendjen e njerëzve.

Orientimet rreth ushqyerjes organike dhe natyrale, që vitet e fundit janë bërë edhe pak modë, pothuajse janë shndërruar në kamerdare shpëtimi për njeriun e sotëm që është i lodhur, i mërzitur dhe i dëshpëruar.
Problemet e shumta shëndetësore dhe gjërat negative me të cilat përballemi, si rezultat i gabimeve të pafalshme që bëjmë në të ushqyer, në stilin e jetesës dhe në jetën tonë, na përgatisin terrenin për të vepruar në mënyrë të pavetëdijshme.

Informimet e pabaza që dëgjohen andej-këndej, ose sensacionet e partnerëve e të miqve gjoja se kjo vitaminë i bën mirë filan sëmundjeje dhe numri i njerëzve që presin shërim për shqetësimet e tyre të ndryshme nga disa vitamina minerale përforcuese, po shtohet çdo ditë me shpejtësi.
Nëse jeni një njeri i painformuar mjaftueshëm nga aspekti i dijes shëndetësore, jeni pak i ndjeshëm ndaj dobive e dëmeve dhe lehtësisht i imponuar nga të tjerët, duhet ta lexoni këtë artikull. Duhet ta lexoni, sepse industria e vitaminave, ushqimeve përforcuese dhe ilaçeve nga e cila vendet perëndimore kanë shumë vështirësi për të dalë, ka filluar të bëhet problem edhe në vendin tonë.
Njeriu i sotëm po përballet me këto ushqime përforcuese sikur të ekzistonin disa sëmundje që janë bërë problem për njerëzit në kohëra të jashtëzakonshme, si luftë, tërmet apo zi buke. Vallë, sa janë të vërteta dhe të sinqerta këto këshilla dhe sugjerime që duken si të pafajshme e që na ngjiten pothuajse si rrodhe me logjikën, “unë e kam marrë dhe më ka bërë mirë, prandaj merre edhe ti”, gjë e cila transmetohet pareshtur në programet televizive apo që shkon gojë më gojë nga fqinji te fqinji tjetër!

Vitaminat A-D-E-K, që njihen edhe si ADEK, janë vitamina që nuk mund t’i hedhim lehtë, ngaqë mbarten në qelizat tona duke u shkrirë në dhjamë pasi të merren. Domethënë, teprica e tyre që organizmi nuk e nxjerr dot jashtë, mund të na helmojë duke u mbledhur në indet dhe qelizat tona.
Në të njëjtën mënyrë, edhe metalet, si: kalciumi, zhiva, fosfori dhe arseniku, që gjenden te disa ushqime përforcuese, të cilat quhen suplement, hyjnë në qelizat tona dhe shkaktojnë dëmtime të përhershme. Edhe disa prej problemeve më të rëndësishme të njeriut të sotëm, e dimë se janë dobësia, lodhja dhe gjumi i çrregullt që kanë lidhje me helmimin e rëndë të metaleve.
Kur studiojmë probleme, të tilla si sjelljet e çrregullta te fëmijët, mangësia e përqendrimit dhe shpërqendrimi i memories e vëmendjes, shohim se ata lindin nga ushqimet e rafinuara, pijet me gaz dhe kola, ushqimet me ngjyrues dhe ushqimet përforcuese.

Arritjet në shkencë e në art dhe zhvillimi marramendës në teknologjinë e përparimit të shpejtë në civilizim, i kanë bërë njerëzit e vërtetë pothuajse artificialë. Tashmë, mjaftohemi me aromën e frutave në vend të shijes dhe erës së tyre dhe jetojmë duke pandehur se kemi ngrënë fruta.
Përse vitaminat dhe ushqimet përforcuese, që na shfaqen si kamerdare shpëtimi nuk e japin efektin e pritshëm prej tyre, në mënyrë që të shpëtojmë nga shumë sëmundje, si: hiperaktiviteti, shpërqendrimi i vëmendjes, sëmundjet alergjike, astma, stresi, çrregullimi i gjumit, dobësia, kapitja, lodhja, dëshpërimi etj…

Përse nuk vijmë në vete prej sëmundjeve, edhe pse i bëjmë analizat dhe filmat me teknologjinë më të përpiktë? Përse nuk e arrijmë dot rezultatin e pritshëm në shumë sëmundje nga ilaçet dhe ushqimet përforcuese që na shfaqen si zgjidhje të mrekullueshme? Ne duhet ta pranojmë të vërtetën se nuk mund të arrijmë në një rezultat duke bërë letërsi zgjidhjesh e çajresh dhe duke shtuar pyetjet…
Nëse i hedhim një sy të shpejtë fabrikës së qelizës, që është guri më i vogël bazë i strukturës sonë, menjëherë mund të shikojmë përsosmërinë dhe natyrshmërinë e saj. Kjo fabrikë pothuajse ka një mbrojtje të veçantë kundrejt çdo gjëje që nuk është e natyrshme. Kur elementin e hekurit, ndaj të cilit ka nevojë për të prodhuar gjak, ta sigurojmë nga rrugë të natyrshme, ajo funksionon më me produktivitet dhe më shëndetshëm. Një qelizë gjaku e përpunon shumë më lehtë hekurin nga materialet e natyrshme, si: pekmezi, perimet me gjethe jeshile, fasulja, thjerrëza dhe mishi. Ndërsa hekurin e ushqimeve përforcuese të rafinuara, lëre që nuk e përpunon, por e ka shumë të vështirë edhe për ta thithur…

Ne mund të japim edhe shumë shembuj të tjerë, por përmbledhja e kësaj çështjeje është kjo: Kur të konsumojmë fruta e perime në stinën e tyre, duke marrë ushqime natyrale me masë e ekuilibër, nuk kemi nevojë ta mashtrojmë veten duke marrë preparate (përgatesa) të ushqimeve përforcuese apo të vitaminave. Uroj që nën dritën e maksimës “mbrojtje nga dëmi”, që është pranuar universalisht në mjekësi, ta mbajmë larg trupin tonë nga çdo gjë negative, të cilin Zoti (xh.xh.), na e ka dhënë amanet dhe na e ka bërë obligim ta ruajmë.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-