“Mungon vullneti i ndërkombëtarëve për heqjen e barrikadave”

Merlinda Guraj Merlinda Guraj Intervista

Bashkësisë ndërkombëtare po i mungon vullneti politik për largimin e barrikadave të vendosura tash e 17 ditë në veri të Kosovës. Kështu po vlerëson njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami i cili thotë se sulmi i mbrëmshëm afër patrullës së KFOR-it me mjete shpërthyese në Zubin Potok është veprim i sinkronizuar me qeverinë serbe.

Islami në një intervistë për KosovaPress thekson se veprimet nga grupet kriminale serbe në veri janë të rrezikshme.

Sipas tij, qeveria e Serbisë po i ndërmerr të gjitha këto veprime në kohën kur po flitet për një afat për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë.

“Janë veprime të matura dhe të rrezikshme, por të gjitha ato veprime që po i bëjnë janë në pajtim, koordinim, sinkronizim me Vuqiçin, asnjë veprim nuk mund të bëhet pa lejen e tij. Dhe rasti i mbrëmshëm ku vetë KFOR pranoi dhe tha në një deklaratë se janë sulmuar forcat e KFOR nga grupet e panjohura tregon seriozitetin e qeverisë serbe në raport me veriun e Kosovës ku me çdo kusht është i interesuar ta përshkallëzoj dhunën dhe situatën në atë pjesë që për interesa të veta ta rris pazarin ku veç mendohet se është fundi i marrëveshjes Kosovë-Serbi për një pajtim të përgjithshëm”, theksoi Islami.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami konsideron se po mungon vullneti politik i bashkësisë ndërkombëtare që barrikadat e vendosura tash e 17 ditë në veri të Kosovë të largohen.

Sipas tij, duke i lënë këto barrikada po tentohet të bëhet presion karshi Kosovës për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Është duke munguar vullneti politik i bashkësisë ndërkombëtare që ato barrikada të hiqen sa më parë, kjo është duke u bërë në një mënyrë që Qeverisë së Kosovës t’i bëhet presion për formimin e asociacionit të komunave sa më parë që të jetë e mundshme sepse deklaratat e përfaqësuesit special të SHBA-së, Escobar se nëse Qeveria e Kosovës nuk e formon asociacionin e komunave ne do ta bëjmë me shoqërinë civile dhe të tjerë, kjo është deklaratë diplomatike dhe kjo tregon se Qeveria e Kosovës duhet ta formojë Asociacionin, edhe unë jam i mendimit që asociacioni i komunave duhet të formohet”, thotë Islami.

Njohësi i sigurisë, Avni Islami thotë se vetëm me një vendim politik të marrë nga Qeveria e Kosovës mund të largohen këto barrikada.

Sipas tij, Policia e Kosovës në koordinim me KFOR-in mund ta bëjë largimin e tyre.

“Pas vendosjes së barrikadave KFOR ka kërkuar dy ditë që ato do të largohen dhe u bënë 17 ditë dhe barrikadat janë aty ku janë dhe deklarata e përfaqësuesit të KFOR në Kosovë se ato do të largohen me një vendim politik do të thotë se barrikadat janë vendosur për qëllime politike dhe do të largohen me vendim politik. Mendoj se Policia e Kosovës duhet t’i heq barrikadat por assesi pa ndonjë marrëveshje dhe koordinim me forcat e KFOR-it. Duhet të hiqen bashkërisht dhe kur e them këtë ky është vendim politik që duhet merret nga Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me përfaqësuesit legjitim ndërkombëtar me SHBA-në dhe BE-në… Ato barrikada që janë të vendosura nuk kanë afat sepse nuk është dashur të vendosen së pari, ato është dashur të mos lejohen por për shkak të situatës që të mos tensionohet edhe më tutje janë lejuar të vendosen, duhet të hiqen me vendim politik që e marrin institucionet e Kosovës, janë ato që vendosin afatet së bashku me bashkësinë ndërkombëtare dhe ato është dashur të hiqen kaherë që tu lejohen qytetarëve lokalë serbë që të lëvizin lirshëm dhe ta bëjnë një jetë normale”, tha ai.

Përmes një e-mail KFOR-i ka konfirmuar të shtënat në afërsi të patrullës së tij në Zubin Potok.

Nga KFOR po ashtu është konfirmuar se nuk ka të lënduar dhe as dëme materiale.

“Mund t’ju konfirmojmë se para disa orësh një patrullë e KFOR-it, derisa ishte në detyrë në rrethinën e Zubin Potokut, ka dëgjuar dhe parë disa të shtëna afër. S’ka të lënduar dhe as dëme materiale. Jemi duke i kryer hetimet dhe sapo ato të përfundojnë do të njoftoheni”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Lidhur me situatën në veri gjatë ditës së sotme kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim komandantin e Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneral Major Angelo Michele Ristuccia dhe Shefin e EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark.

Që nga 10 dhjetori grupe të ndryshme të qytetarëve serbë kanë ngritur barrikada në disa pika në pjesën veriore të Kosovës, për të kundërshtuar arrestimin e ish-policit serb, Dejan Pantiq.

Ai u arrestua nën dyshimin për sulm kundër anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Barrikadat në veri po vëzhgohen nga Policisa e Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-