Kosova kërkon njohjen nga Nepali

Merlinda Guraj Merlinda Guraj Intervista

Ambasadori i Kosovës në Bangladesh, Guner Ureya, ka kërkuar njohjen e Kosovës nga Nepali. Ai në një intervistë me Himalyan Times, ka thënë se njohja e Kosovës është e rëndësishme për paqen dhe stabilitetin në Gadishullin Ballkanik,

“Pavarësia e Republikës së Kosovës i mundësoi popullit të Kosovës të arrijë suksese të mëdha në një periudhë të shkurtër 14-vjeçare. Prandaj si një vend paqedashës, është shumë e rëndësishme që Nepali dhe populli nepalez ta njohin Kosovën”, ka thënë ai.

“Shpresojmë që Nepali ta njohë zyrtarisht Kosovën sa më shpejt që të jetë e mundur dhe që silueta e flamurit të Nepalit të pasqyrohet në ndërtesën e qeverisë së Kosovës me fjalët “Faleminderit Nepal””, tha ambasadori.

Ai foli për mundësitë e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Nepalit.

“Ka mundësi dhe potenciale të shumta për bashkëpunim mes dy vendeve. Marrëdhëniet që kemi zhvilluar me Bangladeshin në pesë vitet e fundit mund të shërbejnë si shembull për marrëdhëniet tona të ardhshme me Nepalin. Pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Bangladeshin, u iniciuan marrëveshje dhe bashkëpunimi tregtar, kulturor, arsimor dhe ndërveprimet mes njerëzve janë rritur. Ne mund ta bëjmë të njëjtën me Nepalin”

Ureya është prononcuar edhe për marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë. Ai tha se shteti serb po përpiqet të destabilizojë Kosovën, derisa shtoi se Kosova është “vend i popullit të saj, i shqiptarëve të Kosovës, boshnjakëve, serbëve, turqve e të tjerë”.

“Në fakt, këto përpjekje janë të dëmshme për të gjithë. Rreth 98 për qind e popullit të Kosovës janë të vendosur për të mbrojtur integritetin territorial të vendit. Dy për qind e popullsisë së manipuluar nga Serbia në këtë fazë herët a vonë do t’i kuptojnë faktet dhe do të integrohen plotësisht në shoqërinë kosovare. Kosova nuk do të jetë kurrë Serbi. Kosova është një vend i popullit të saj, i shqiptarëve të Kosovës, boshnjakëve, serbëve, turqve e të tjerë. Natyrisht, ne vazhdojmë dialogun tonë me Beogradin për normalizimin e marrëdhënieve. Megjithatë, nuk duhet harruar se qëllimi i dialogut është të sigurojë normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve sovrane”, është shprehur ai.

Ai tha se herët a vonë Serbia dhe Kosova do ta njohin njëra- tjetrën.

“Herët a vonë ne do të njohim njëri-tjetrin dhe ajo ditë do të jetë një ditë shumë e bukur”, tha ai.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-