Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gramos Agusholli, ka kritikuar blerjen prej 10 mijë eurosh nga shteti të një fotografie në të cilën shihen dy çifte duke u puthur.
87 vepra që u blenë për 300 mijë euro nga Ministria e Kulturës u shfaqën në Galerinë Kombëtare para pak ditësh. Ndër to ishte instalacioni i “Haveit”. Në të katër vajza shkëmbejnë puthje franceze në qendër të qytetit si reagim në “Ditën e Shën Valentinit”. Ishte vepra më e paguar nga shteti.
Megjithatë, deputeti i partisë në pushtet e ka quajtur këtë fotografi “dhunë psikologjike”.
“Për këtë foto janë ndarë 10 mijë euro prej buxhetit të Kosovës. Me taksat tona financohet ky projekt ‘arti’. Absurde është tendenca që dhunshëm me ‘normalizu’ seksualitetin e dikujt. Dhunë psikologjike mbi ne dhe fëmijët tonë. Askujt mbi këtë tokë nuk po i intereson çka bëni ju nëpër shtëpitë tuaja. Pse po besoni që keni kaq shumë relevancë?! Shumë zor po i japin disa, e prapë as nuk po i dojnë as nuk po i pranojnë. Krejt aparatin propagandistik, fondet dhjetëra milionëshe, edhe rezultati ne fund zero. Për disa përshkrimi i punës: Ndjekim fonde! Sqarim për fund: Te unë nuk pinë ujë: cancel kultura, presioni, shantazhi e aq më pak ofendimet”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Ministria e Kulturës hapin e parë për blerje të veprave të artit e kishte bërë në fund të vitit të kaluar. Por, i kishte shkuar ters. Në ditën e 9-të të dhjetorit, procesin e blerjes së veprave të artit pamor – të paralajmëruar me pompozitet e të përuruar si nismë në ndihmë të artistëve edhe nëpërmjet konferencave – Ministria e Kulturës e kishte zhvlerësuar. Për këtë nuk ishte menduar fort. S’i ishin dashur më shumë se 48 orë, pasi e kishte marrë vendimin dhe ka publikuar listën e veprave që ka blerë për çerek milioni euro, që ta anulojë krejt procedurën. E kishte anuluar pas një proteste të vogël të nja 20 artistëve para MKRS-së, përderisa debati midis komunitetit artistik kishte marrë hov. Në atë kohë KOHA kishte raportuar se në nëntor të po atij viti në një ankand televiziv në Shqipëri është shitur një vepër e maestro Ibrahim Kodrës (1918 – 2006), i konsideruar si njëri prej piktorëve më të njohur shqiptarë i të gjitha kohëve, që ka ekspozuar edhe përkrah Picassos, Henri Matisse, Amedeo Modiglianit, Georges Rouaultit e deri te Salvador Dali. “Instrumentisti rozë”, vaj dhe media mikse në kanavacë, 70 me 60 centimetra e vitit 1974, u shit për 7 mijë euro.
E konkursi i sivjetmë me jurinë në përbërje të Sislej Xhafës, Edi Mukës, Dita Starova-Qerimit, Sezgin Boynik dhe Dhurata Ramosajt doli të jetë i suksesshëm. Prezantimi i së martës mbrëma i ka shtuar edhe një faqe të re historisë së artit pamor në Kosovë. Se kur do të shkruhet ajo, mbetet të shihet.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.