Policia sot ka informuar se janë arrestuar pesë persona që kanë lënduar 4 zyrtarë policorë dhe kanë dëmtuar sallën në Pallatin e Rinisë në Prishtinë gjatë në ndeshjeje basketbolli, të zhvilluar më 8 dhjetor.
Policia ka bërë të ditur se nga ana e tifozëve, deri tani nuk është raportuar për ndonjë të lënduar.
Tre nga të arrestuarit, sipas njoftimit, me vendim të prokurorit të shtetit, janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.
“Pas vënies nën kontrollë të situatës, policia në koordinim me prokurorin e shtetit, kanë nisë një hetim për identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar për veprat Sulm ndaj personit zyrtar dhe asgjësim apo dëmtim i pasurisë. Informacion shtesë: Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme (NjHP), që operon në rajonin e Prishtinës, ka punuar intenzivisht për zbardhjen e të gjitha rrethanave që ndërlidhen me incidentin dhe dëmin e konsiderueshëm që është shkaktuar në rastin e sipër shënuar. Pas ekzaminimeve, veprimeve hetimore dhe sigurimit të provave është bërë ri-cilësimi i veprës penale në Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm. Vepër kjo për të cilën hetuesit e NjHP-së, kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë 5 perona të dyshuar : – A.B. mashkull, 30 vjeç dhe -A.B. mashkull, 25 vjeç, K.R, mashkull, 31 vjeç, B.M, mashkull, 33 vjeç, dhe F.T, mashkull, 29 vjeç, tre prej të cilëve, pas intervistimit me vendim të lëshuar nga prokurori i shtetit, janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.”, ka bërë të ditur Policia.
Nga ana e hetuesve, siç është shtuar, në vazhdimësi janë duke u ndërmarrë veprime hetimore me qëllim të identifikimit dhe procedimit të të gjithë të dyshuarve të përfshirë në këtë rast.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.