Cili qe kontakti i fundit i Shukrijes me më të dashurin e saj, bashkëshortin Agim Ramdanin. Ajo trigon dhe fjalët e fundit që i tha bashkëshorti.
“Kur filloi të bombardonte NATO, Agimi më tha sa keq që nuk je këtu në Kosovë, meqë unë isha në Zvicër, që ta dëgjosh zërin e lirisë. Sa bukur tingëllon. Dëgjoheshin bombardimet e NATO-s në telefon. Ne e kemi prekur lirinë më tha. Ishte më 9 prill”, tregon mes lotësh Shukrija.
Gruaja e Agim Ramadanit tregon momentin kur ai vendosi t’i bashkohej luftës
Agimi e kreu të vetën. Ia dha hakun detyrës. Hyri si ushtarak në Kosovë, më 24 qershor 1998 dhe u vendos në Zonën e Dukagjinit: në Bjeshkët e Deçanit, Junikut, Jasiqit, Gjocajve, Batushës. Popullata civile e këtyre viseve ishte në rrezik të madh nga okupatorët serbë dhe nga minimet e zonave të këtushme. Ai bëri çminimin e zonës, duke i kaluar rreth 1500 fëmijë, gra e pleq përtej kufirit të pjesës së pushtuar të Shqipërisë Etnike.
Gruaja, Shukrija thotë se vendimi për të marrë pjesë në luftë, Agimit nuk i buroi aty për aty.
“Nuk është marrë brenda ditës e as brenda muajit. Ai vendim ka qenë që nga fëmijëria e tij. Kemi ëndërruar që Kosova të mos ishte kështu, por të ishte e bashkuar me shtetin amë. Të gjitha pjesët shqiptare të bashkohen në një trung. Ai donte që nga brenda t`i hynte armikut”, rrëfen Shukrija.
Më 11 prill 1999, teksa po vëzhgonte terrenin në vendin e quajtur “Rrasat e Koshares”, plumbi i një snajpersiti serb e goditi për vdekje Agimin. Ra heroikisht e mori me vete idealin: heqja e kufirit në mes të trojeve shqiptare.
“Shokët e tij, Bekimi me Hilmiun, më treguan se ishte plagosur rëndë. Nuk iu besoja. I thoja se ai do të më thërriste vetë për të më treguar. U nisëm për në Shqipëri. Atje më treguan se është vrarë. Vrasja u fsheh nga ushtarët shqiptarë për ditë të tëra sepse ata ishin shumë të lidhur me të”, pohon Shukrije Ramadani për “Front Online”.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.