Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se sistemi i drejtësisë duke menduar që po e godet Qeverinë është duke i goditur kandidatët me shtyrjen e provimit të jurisprudencës.
Haxhiu ka thënë të shtunën se provimi është shtyrë për shkak të situatës së krijuar pas vendimit të Qeverisë për uljen e pagave në sistemin gjyqësor.
“Sigurisht që sa i përket shtyrjes së provimit të jurisprudencës nuk është lajm i mirë dhe kjo në radhë të parë është në kundërshtim me interesat e kandidatëve të cilët kanë aplikuat për t’iu nënshtruar këtij provimi. Sistemi i drejtësisë duke menduar që po e godet Qeverinë në fakt po i godet kandidatët, qytetarët e këtij vendi. Kemi marrë një shkresë nga ana e kryesuesit të Këshillit Gjyqësor e Komisionit të Provomit të Jurisprudencës, Zogaj që të shtyhet ky provim për shkak të situatës aktuale, që ndërlidhet me vendimin e paligjshëm që Qeveria jonë e ka shfuqizuar sepse ishte i paligjshëm. Dhe në këtë drejtim pas këtij vendimi ata kanë marrë veprime të tilla që kanë pezulluar punën në komisionet që propozohen në Ministrinë e Drejtësisë dhe që përbërja e tyre është prej gjyqtarëve e prokurorëve”, ka thënë Haxhiu.
Këtë javë kandidatët e kanë marrë një email nga ministria që tregon se provimi shtyhet, por pa cekur datë apo arsye konkrete.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.