Britania kërkon që serbët të kthehen në institucionet e Kosovës

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Kosova

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicolas Abott, ka thënë se pas arritjes së marrëveshjes për targat, duan t’i shohin serbët e Kosovës duke u kthyer në institucione.

Abott përmes një statusi në Facebook ka thënë se kjo është në interes të shtetit të së drejtës.

“Mirëpres një marrëveshje të rëndësishme që heq një burim tensioni dhe përgëzoj të gjitha palët për kompromisin që kanë treguar. Marrëveshja për targat, në veçanti, do të jetë lehtësim për ato në veri të Kosovës. Tani duhet të shohim serbët e Kosovës të kthehen në institucione, në interes të punës, familjeve të tyre dhe shtetit të së drejtës”, ka shkruar Abott.

Edhe ministri i Britanisë së Madhe për Evropën, Leo Docherty, ka mirëpritur marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të mërkurën në Bruksel, lidhur me targat.

Docherty ka shkruar në Tëitter se është jetike që të dy vendet tani do të ulen në tryezë për t’i diskutuar hapat për normalizim të plotë.

“E mirëpres marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për hapat për uljen e tensioneve. Është jetike që të dy vendet të vijnë tani në tryezë për të bërë përparim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja drejt normalizimit të marrëdhënieve të tyre, për të mirën e të gjithë qytetarëve të tyre”, ka shkruar Docherty.

Serbët e Kosovës kanë dhënë dorëheqje nga institucionet pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-