Presidenca Çeke mbrëmë, në momentin e fundit, ka njoftuar vendet anëtare se e ka hequr nga rendi i ditës nga takimi i Coreperit, miratimin e vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën, që në këtë takim është dashur të kalojë si formalitet, pa diskutim.
Kjo Presidencë, siç mëson KOHA nga burimet e saja në BE, si arsyetim për heqjen nga rendi i ditës, dhe shtyrjen për takimin e radhës të këtij trupi ku janë ambasadorët e vendeve anëtare, i ka përmendur zhvillimet politike në veri.
Duket se në këtë vendim ka pasur ndikim edhe kërcënimi që një ditë më herët Kosovës ia dha Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri Josep Borrell, pasi Kosovën e fajësoi për refuzim të propozimit për zgjidhjen e krizës rreth targave të veturave. Borrell pati thënë se ai do të njoftojë për sjelljen e palëve ministrat e vendeve anëtare, dhe kjo çon sinjal negativ politike, e vlen posaçërisht për Kosovën.
Është hera e parë që në procesin e vendimit për liberalizimin e vizave, në çfarëdo mënyre vendimet apo agjende, lidhen me dialogun dhe situatën në veri të Kosovës. Deri më tash në BE, gjithmonë kanë insistuar se procesi i dialogut dhe ai i liberalizimit të vizave janë dy procese të ndara nga njëri-tjetri.
Se raportet mes Kosovës dhe Përfaqësuesit të lartë Borrell dhe të Dërguarit të tij të posaçëm, Lajçak janë acaruar u pa edhe pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Borrell ka hequr dorë nga propozimi i BE-së për marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani akuzoi Borrellin për njëanshmëri.
Në qarqet diplomatike në Bruksel nuk e dinë se kush dhe në cilën mënyrë është angazhuar të ndikojë te Presidenca Çeke që ta heqë nga rendi i ditës miratimin formal të vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën.
thonë se “ka pasur ndërhyrje të disa vendeve anëtare”.
“Për shkak të zhvillimeve politike në veri të Kosovës, ta kemi këtë pikë në gjendën e Coreperit nesër, nuk duket ideale. Prandaj kemi vendosur ta shtyjmë këtë pikë deri javën që vjen më (30 nëntor)”, është mesazhi të cilin presidenca Çeke e BE-së u ka dërguar vendeve anëtare.
Sipas tekstit të vendimit, me të cilin janë pajtuar vendet anëtare në takimin e këshilltarëve për vizat të martën më 22 nëntor, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hynte në fuqi sëbashku me nisjen e funksionimit të sistemit ETIAS, por jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.