Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 18 dhjetorin si datë për zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave veriore të Kosovës: Mitrovicë Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
Të katër komunat veriore kanë mbetur pa kryetarë, pas dorëheqjeve të kryetarëve nga radhët e Listës Serbe.
Presidentja Osmani sot është konsultuar me partitë politike për datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Në fund është vendosur për datën 18 dhjetor.
“Udhëzohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kryetar të Komunave: Mitrovica e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, në përputhje me ketë vendim dhe ligjin në fuqi”, thuhet në vendimin e Presidentes Osmani për caktimin dhe shpalljen e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në veri të vendit.
Osmani në konferencë për media pas takimit me partitë politike kishte thënë se do t’i dërgojë kërkesë partnerëve ndërkombëtarë për monitorim të zgjedhjeve.
“Presidentja Osmani, ka theksuar gjithashtu se institucionet e sigurisë do t’i ndërmarrin të gjitha masat në mënyrë që qytetarët pa dallim etnie, të ndihen të mbrojtur, të sigurt dhe t`i realizojnë të drejtat e tyre kushtetuese”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.