Mbijetesa “mision” jo i lehtë: Drenica e Malisheva të kënaqur me fondin e lojtarëve, por me mendje tek merkato e janarit

Merlinda Guraj Merlinda Guraj Intervista

Drenica dhe Malisheva janë dy nga klubet me synime të qarta këtë edicion në Superligën e Kosovës në futboll. Largimi nga pozitat e poshtme të tabelës dhe stabiliteti në mesin e skuadrave që nuk rrezikohen nga rënia janë dy nga objektivat e këtyre dy klubeve. Për fondin e futbollistëve aktual dhe synimet në merkaton e janarit, për Demokracia.com kanë folur trajneri i Drenicës, Bekim Shotani dhe trajneri i Malishevës, Sami Sermaxhaj.

Shotani, shefi i shtabit teknik te Drenica është shprehur i kënaqur me fondin e futbollistëve që ka, ky bazuar në rezultatet dhe pozitën tabelore momentale në elitë.

Pavarësisht kësaj, trajneri i mirënjohur kosovar ka lënë të kuptohet se Drenica është me mendje tek afati kalimtar i janarit.

Grupin e lojtarëve që e kemi mbledhur ka qenë situatë emergjente. Ka qenë situatë që ka qenë gjithçka kontestuse për shkak të situatës që ka qenë klubi. Drejtori sportiv dhe unë e kemi bërë të pamundurën të bëjmë grumbullimin e lojtarëve për aq sa kemi pas mundësi dhe aq sa na është lejuar. Besoj që ka qenë një grumbullim pozitiv në bazë të asaj çfarë kemi arritur deri më tani, pavarësisht që nuk është e mjaftueshme kurrë. Superliga dihet që është shumë e zorshme dhe kërkon fond të madh të lojtarëve për shkak se kemi ndeshje të shpeshta gjatë javës. Gjithsesi do të ketë nevojë edhe për lojtarë të tjerë. Do të shikojmë cilat janë mundësitë dhe si do të veprojmë”, tha Shotani të martën për Demokracia.com.

I vetëdijshëm se stinori pranveror kërkon më shumë “djersë”, Shotani shtoi se te Drenica pas përfundimit të stinorit vjeshtor do të mbajnë një takim dhe është shprehur optimist se ata do të jenë aktiv në merkato.

Për momentin po presim të përfundojnë këto ndeshje të mbetura. Pastaj ta mbajmë takimin të shikojmë të arriturat dhe objektivat e klubit dhe me siguri nga aty do të dalim me një konklodim. Dihet se stinori pranveror ka me qenë edhe më e vështirë se stinori vjeshtor. Besoj se ne do të veprojmë”, shtoi Shotani.

Me grupin e futbollistëve është shprehur i kënaqur edhe Sami Sermaxhaj, trajneri që mori “timonin” e Malishevës më 19 shtator, duke e zëvendësuar të larguarin Arsim Thaqin.

Sermaxhaj pranoi se fondi i futbollistëve ishte një nga arsyet që pranoi të merrte drejtimin e Malishevës, por nuk ka përjashtuar edhe forca shtesë në disa pozicione ku ata e shohin se është e nevojshme në merkaton e janarit.

Fondi i lojtarëve te Malisheva është shumë kualitativ dhe kjo ka qenë arsyeja që kam vendosur t’i bashkohem klubit. Gjithë lojtarët që janë aty kanë kontrata dhe do të respektohen në maksimum prej anës tonë. Jam shumë i kënaqur me gjithë lojtarët. Mirëpo do të shohim nëse kemi nevojë për ndonjë forcë shtesë në ato pozita ku e shohim se nuk kemi mjaftueshëm alternative”, deklaroi trajneri i Malishevës, Sami Sermaxhaj për Demokracia.com.

Pas 15 xhirove të zhvilluara, Drenica pozicionohet në vendin e pestë me 17 pikë, dy më shumë se “zona e kuqe”.

Malisheva në anën tjetër ka grumbulluar 15 pikë në pozitën e shtatë dhe ndodhet njëjtë me pikë me Dukagjinin dhe Trepçën ’89 që janë në zonën e barazhit, respektivisht të parafundit që largon nga elita e futbollit kosovar./Demokracia.com/

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-