Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren, thotë Ambasada Amerikane në Prishtinë.
SHBA ka bërë thirrje tek të dyja palët e përfshira “ndërmarrin hapa për të ulur tensionet dhe për të siguruar paqe dhe stabilitet në terren”.
“Veprimet dhe retorika që rrisin mundësinë e dhunës vënë në rrezik të panevojshëm jetët e pafajshme dhe ato të forcave paqeruajtëse ndërkombëtare në terren”, thotë deklarata e SHBA’së gazetën online Reporteri.
“Shtetet e Bashkuara pajtohen me Bashkimin Evropian se zhvillimet e fundit rreth marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë shqetësim i madh dhe e vënë në rrezik progresin e rëndësishëm të arritur në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren”, thotë tutje deklarata e SHBA’së.
Prandaj, Shtetet e Bashkuara i bashkohen BE-së duke u bërë thirrje përfaqësuesve të Serbisë dhe serbëve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre të Dialogut dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale.
“Në të njëjtën kohë, ne përsëri i bashkohemi BE-së për t’i kërkuar autoriteteve kosovare që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë. Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të ri-regjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM derisa të zgjidhet çështja e targave nga palët në kuadër të Dialogut”, thotë SHBA’ja.
“Kjo gjithashtu nënkupton fillimin e menjëhershëm të negociatave për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që Asociacioni duhet të krijohet, gjë që e bën themelimin e tij obligim ligjor për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm i Kosovës për të zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës”.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.