Më 5 dhe 6 nëntor në Palestrën e Sporteve “1 Tetori” në Prishtinë do të zhvillohet turneu ndërkombëtar i boksit “Adem Jashari”. Ky turne, që është shndërruar në traditë, është i 24-ti me radhë dhe përveç Kosovës aty marrin pjesë edhe shtete të tjera nga rajoni dhe më gjerë. Gjysmëfinalja mbahet në ora 16:00, ndërsa finalja të dielën në ora 12:00.
Kryetari i Federatës së Boksit, Enver Krasniqi, deklaroi për KosovaPress se tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet për zhvillimin e këtij turneu, por ai shprehet i shqetësuar me mungesën e mbështetjes financiare nga ana e shtetit.
“Turneu ‘Adem Jashari’ siç dihet është turneu i 24-të me radhë që mbahet dhe tashmë është bërë turne tradicional, turne ndërkombëtar. Përgatitjet për turne janë bërë të gjitha me pamundësi të financave por ne e kemi bërë ashtu siç kemi mundur, gati jemi për gjithçka. Turneu fillon më të shtunën dhe finalja mbaron të dielën… Ky është nën patronatin e kryeministrit, mbështetjet kanë qenë gjithmonë me vonesë. Kësaj radhe as që na është lajmëruar dikush edhe pse kërkesat kanë shkuar të gjitha me kohë, edhe te ministria edhe te kryeministria, por nuk është lajmëruar askush. Por ne nuk kemi qare pa e mbajtur kështu, pa marrë parasysh a do të na mbështesin apo jo, ne do ta mbajmë”, tha Krasniqi.
I pari i Federatës së Boksit ka zbuluar më tutje se tashmë janë gjashtë shtete që e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë turne. Aty bënë pjesë edhe Sllovakia, shtet i cili nuk e njeh edhe më tutje Kosovën si shtet.
“Gjashtë shtete vetëm se e kanë konfirmuar ardhjen, është Bullgaria, Zvicra, Italia, Sllovakia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, edhe Kosova do të thotë. Për të gjitha këto shtete kemi siguruar fjetjen dhe ushqimin, besoj që do të vijnë të gjitha, edhe pse Sllovakia nuk na ka pranuar si shtet, ajo ka marrë pjesë gjithmonë në turneun ‘Adem Jashari’… Përgatitjet sipas mendimit të selektorit janë shumë në nivel të lartë, shpresojmë që ne do të triumfojmë prapë se prapë, por mbi të gjitha ky është sport, kush është më i miri do të fitojë.”, tha më tutje i pari i Federatës së Boksit.
Kur flitet për boksin kosovar, Krasniqi nuk la pa përmendur suksesin historik të Donjeta Sadikut e cila së fundi i solli Kosovës medalje evropiane dhe botërore.
“Është kënaqësi që brenda vitit kalendarik të marrim dy medalje: Një botërore dhe një evropiane nga Donjeta Sadiku, medalje të cilat për shumë vite nuk i ka pasur Kosova. Ajo vajzë është një vajzë trime, ushtron vazhdimisht, shpresojmë që edhe në vitit 2024 në Paris të ketë sukses”, tha Krasniqi.
Ashtu sikur vet boksierja Sadiku, edhe Krasniqi u shpreh i zhgënjyer me mungesën e mbështetjes financiare nga ana e shtetit.
“Po është e vërtetë që edhe neve po nga zhgënjen për arsye se ajo e meriton, jo vetëm ajo por çdo sportist i cili ka suksese e meriton mbështetjen nga shteti. Tek ne nuk po shkojnë gjërat ashtu siç duhet, ajo ka vullnet tepër dhe me vullnetin e vetë po i arrin të gjitha këto edhe pse nuk i ka kushtet e duhura në sallën e ushtrimeve e shumë gjëra të tjera, por me mbështetjen e vetë financiare edhe me mbështetjen e federatës sa po ka mundësi vajza është duke ecur përpara”, tha në fund Krasniqi.
Krasniqi gjithashtu bëri të ditur se një ftesë speciale nga ana e federatës për të qenë prezent në turne i është bërë familjes së komandantit legjendar Adem Jashari.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.