Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka zbuluar detaje se çka po kërkojnë ndërkombëtarët nga Kosova, për të vazhduar tutje plani franko-gjerman.
I ftuar në InDoks, ish-ministri ka bërë me dije se ndërkombëtarët po kërkojnë zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani mes dy shteteve, Kosovës e Serbisë. Përfshirë marrëveshjen e Asociacionit e edhe marrëveshjen për Manastirin e Deçanit.
“Çka kërkohet në dokument është që të zbatohet të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialog, nuk përmendet Asociacioni si i tillë por nënkuptohet që ka të bëjë edhe me Asociacionin dhe unë mendoj që Kosova do të duhej ti respektonte të gjitha marrëveshjet të cilat janë arritur deri më tash në Bruksel”, deklaroi ai për InDoks të Gazetës Insajderi.
Teksa flet për Asociacionin, Hoxhaj thotë se askënd nuk duhet ta pengojë marrëveshja e arritur për këtë çështje.
“Asociacionin në përputhje me vendimin që e ka marrë Gjykata Kushtetuese dhe në përputhje me arritjen e një marrëveshje e cila është marrëveshje përfundimtare, e cila e përmbyll shtetësinë tonë, besoj që është një temë që nuk do të duhej ta pengonte askënd në Republikën e Kosovës”, theksoi Hoxhaj.
Ndërkohë, ish-ministri kërkon që njësoj të veprohet edhe për Manastirin e Deçanit.
“Secili prej nesh i referohet Gjykatës Kushtetuese kur ne flasim për Asociacionin për Komunat me Shumicë serbe, ku kërkohet që të zbatohet ai qëndrim që ka dhënë gjykata dhe të mos dilet prej atij vendimi, nëse ne i referohemi këtij fakti do të duhej njësoj të veprohej me Manastirin e Deçanit dhe këtu mendoj që është përgjegjësi e z.Kurti edhe e jona si opozitë që të jemi të qartë në tema të tilla”, ka thënë ai.
Sipas Hoxhajt, Kosova në 7 vitet e fundit ka krijuar një klimë politike jo serioze që nënshkruan marrëveshje me ndërkombëtarët e nuk i respekton.
“…Dhe unë mendoj që kjo për një shtet serioz dëmton kredibilitetin e vendit”.
“Ne nuk e kemi respektu marrëveshjen për Asociacionin bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese ne e kemi bllokuar për disa vite demarkimin me Malin e Zi në fund e kemi votu, po tash s’po na hynë në punë se është shumë vonë”.
Ai përmend edhe marrëveshjet e nënshkruara në SHBA nga Qeveria Hoti.
“Kryeministri Hoti ka nënshkruar marrëveshjen e Uashingtonit dhe përveç njohjes së Izraelit asnjë element tjetër nuk e respekton Republika e Kosovës duke përfshirë edhe Nismën e Ballkanit të Hapur se formalisht ne jemi pjesë e Ballkanit sipas marrëveshjes së Uashingtonit”, deklaroi Hoxhaj.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.