Është gatishmëri e të dyja shteteve për të pasur më shumë prezencë të Francës në Kosovë, thuhet në komunikatën që Qeveria e Kosovës ka publikuar të martën pas takimit që kryeministri Albin Kurti ka pasur me ambasadorin francez Olivier Guerot.
Sipas njoftimit, ambasadori Guerot “rikonfirmoi qëndrimin e Presidencës dhe Qeverisë franceze për shtim të angazhimit dhe rol më aktiv në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, dhe në Kosovë në veçanti”.
Ndërkaq, kryeministri Kurti ka shprehur mirënjohje për angazhimin e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, për liberalizim të vizave si dhe për përfshirjen në dialogun me Serbinë.
“Kryeministri Kurti shprehu mirënjohje për angazhimin e Presidentit Macron, të shprehur në qershor, për të mbyllur çështjen e kahershme të liberalizimit të vizave për Kosovën. Ai vlerësoi lart përfshirjen e ripërtërirë franko-gjermane në rajon, për procesin e Berlinit dhe për zgjidhjen e dialogut me Serbinë, duke theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar dhe konstruktive në këto procese”, thuhet në njoftim.
“Gjatë takimit u rikonfirmua edhe gatishmëria e të dy shteteve, për të pasur më shumë prezencë të Francës në Kosovë, përfshirë edhe investitorët francezë, e duke theksuar potencialin e mërgatës nga Kosova. Në këtë drejtim, kryeministri potencoi se mirëpresim përfshirjen e Agjencisë Franceze të Zhvillimit, si një aktor i rëndësishëm”, thuhet më tej në komunikatë.
Gjatë takimit u bisedua për bashkëpunim, në mënyrë sepcifike mes ministrive të drejtësisë, si dhe për aktivitete të shumta në kulturë e sport.
“Po ashtu u veçua bashkëpunimi shkencor në misionin arkeologjik Francë-Kosovë, si dhe nisma e qershorit të kaluar me kryetarët e komunave, që duket premtues për sa i përket binjakëzimit dhe urave të ardhshme mes komunave dhe shteteve tona”, thuhet në komunikatë.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.