Mbi 2.500 euro borxh për ilaçin që mungon në QKUK

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Kosova

Ilaçi i imunoterapisë Keytruda – Pembrolizumab, i cili shërben për trajtimin e disa llojeve të kancerëve, ka më shumë se një muaj që mungon në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Askush nuk tregon se kur do të mund të bëhet rifurnizimi, e as si mund t’ia dalin pacientët gjatë kohës sa ka mungesa.

Pjetër Zeqiri, në të 60-tat, përdor këtë ilaç së paku një herë në muaj për trajtimin e kancerit në lëkurë.

“Qe dy muaj më së paku, kjo terapi nuk është në Onkologji”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Zeqiri, i cili vjen nga Komuna e Klinës dhe shërben si pjesëtar i Policisë së Kosovës, thotë se i është dashur të marrë para borxh për ta siguruar privatisht ilaçin.

“Sa kam hequr nëpër Turqi që ta gjej këtë ilaç. E kam blerë 2.565 euro”, tregon ai.

Doza prej 200 miligramësh, Zeqiri thotë se i duhet vetëm për një përdorim.

“Më 24 të këtij muaji e kam sërish datën kur duhet ta marr dozën tjetër. Nuk e di se si do t’ia bëj”, thotë Zeqiri, duke shtuar se nëse nuk e merr dozën me kohë, do të ketë pasoja në shëndet.

Furnizimi me ilaçe i klinikave në QKUK bëhet nga barnatorja qendrore e këtij institucioni.

Operatori për furnizim zgjidhet nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës.

SHSKUK nuk i është përgjigjur interesimit të Radios Evropa e Lirë se përse mungon ky ilaç dhe kur do të mund të sigurohet.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës së Onkologjisë, Arben Bislimi, thotë se mungesa e ilaçit është pasojë e planifikimeve jo të duhura.

Sipas tij, ilaçi Pembrolizumab është përdorur për disa sëmundje në vitin 2021, ndërsa nga ky vit ka filluar të rekomandohet edhe për disa të tjera.

“Ka dalë pak jashtë planifikimit se janë shpenzuar më shumë. Do të thotë, ka qenë i planifikuar, për shembull, vetëm për melanoma [sëmundje e lëkurës], kurse tash po jepet edhe për patologji të tjera, për mushkëri, edhe për [probleme në] ezofag e kështu me radhë”, thotë Bislimi për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se Pembrolizumabi futet në kategorinë e ilaçeve me kosto të lartë të blerjes.

Aktualisht, sipas tij, janë rreth 30 pacientë në QKUK, të cilët kanë nevojë për këtë terapi.

Në pyetjen e Radios Evropa e Lirë se a ka Ministria e Shëndetësisë mundësi që t’i ndihmojë pacientët për sigurimin e medikamenteve për imunoterapi, nga ky institucion janë përgjigjur shkurtimisht me shkrim se këto medikamente “janë përfshirë në listën e barnave esenciale qysh nga viti 2019”.

Lista e barnave esenciale krijohet në bazë të kërkesave që i bëjnë spitalet, ndërsa furnizimi është kompetencë e SHSKUK-së.

Që nga paslufta në Kosovë, spitalet publike nuk kanë arritur asnjëherë ta përmbushin 100 për qind listën esenciale – kryesisht për shkak të mungesës së mjeteve. Për rrjedhojë, ka pasur vazhdimisht mungesë të barnave dhe pacientët janë obliguar që gjatë trajtimit t’i blejnë vetë ato.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-