Sot janë bërë dhjetë ditë që kur Kosova i ka vendosur reciprocitet Serbisë për targat.
Që nga 20 shtatori dy, pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, Jarinje dhe Bërnjak janë bllokuar.
Atje qytetarët serb kanë vendosur kamionë derisa njësitë speciale të policisë së Kosovës po qëndrojnë aty për të mbajtur situatën nën kontroll.
Si shkak i këtij vendimi, bllokimi i këtyre dy pikave, ka çuar në ulje të numrit të mallrave të importuara nga Serbia në Kosovë.
Front Online për këtë ka kërkuar përgjigje edhe në Doganën e Kosovës.
Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci për FrontOnline, ka treguar sa ka qenë vlera e mallit që është importuar një javë para se të merret vendimi për reciprocitet dhe një javë pasi ka hyrë në fuqi ky vendim.
“Vlera e mallrave nga Serbia ka pasur një rënie të lehtë gjatë javës së parë të reciprocitetit për targa. Trafiku komercial është riorientuar në drejtim të Merdares. Nëse një javë para datës 20 shtator kemi pasur rreth 601 dërgesa me vlerë rreth 4.9 milionë euro, javën pas datës 20 shtator kemi pasur 501 dërgesa me vlerë rreth 3.9 milionë euro”, ka treguar Stavileci për FrontOnline.
E, situata që është krijuar në veri të vendit ka ngjallur reagime të shumta edhe tek ndërkombëtarët.
Pikërisht, për këtë sot do të takohen në Bruksel edhe ekipet negociatore të të dyja vendeve, zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi dhe nga Serbia, Petar Petkoviq.
Në Bruksel do të jetë edhe Zëvendësndihmës Sekretari për Çështje të Evropës dhe Euro Azisë në Departamentin amerikan të Shtetit, njëherësh i dërguar i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, por ai nuk do të jetë pjesë e takimeve zyrtare.
Me vendimin e Qeverisë së Kosovës, të datës 20 shtator, të gjitha automjetet me targa serbe, që hyjnë në Kosovë, duhet t’i heqin targat dhe të vendosin targa të përkohshme të lëshuara nga autoritetet e Kosovës.
Një masë të ngjashme për automjetet me targa të Kosovës, Serbia e zbaton tash e sa vite.
Përfaqësuesit e Serbisë e akuzojnë Kosovën për shkeljen e dispozitave të Marrëveshjes së Brukselit për lëvizje të lirë, por përfaqësuesit e Kosovës thonë se po veprojnë në përputhje me Marrëveshjen./FrontOnline/
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.