Gjatë dy viteve të fundit, rreth 220 mjekë e kanë lënë Kosovën, për të kërkuar punë në Gjermani dhe vende tjera të BE-së. Arsye për këtë duket të jetë paga e lartë që mjekëve iu ofrohet në këto shtete.
Trendi i ikjes së mjekëve nga Kosova, për në vendet e BE-së, po vazhdon të jetë në rritje.
150 mjekë pritet të largohen nga Kosova vetëm këtë vit.
Përfaqësues nga Oda e Mjekëve të Kosovës, thonë se ky trend i rritjes po thellon krizën për staf shëndetësor. Sipas tyre, arsyet e largimit të mjekëve nga Kosova, kanë të bëjnë me kushtet e këqija të punës, problemet me specializim dhe pagat e ulëta.
Paga bruto (e pataksuar) e mjekëve në Kosovë është 610 euro, derisa në Gjermani, ata paguhen deri në 4 mijë euro.
Për një vit në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, diplomojnë rreth 150 mjekë të rinj.
Sipas Odës së Mjekëve të Kosovës, një numër i përafërt pritet të largohet nga Kosova deri në fund të këtij viti./REL/
Pleurat Sejdiu nga kjo Odë, tha se shumica e mjekëve që largohen nga Kosova, shkojnë në Gjermani.
“Që nga funksionalizimi i Odës së Mjekëve të Kosovës, tash është viti i katërt, këtë vit ka qenë numri më i madh. Vetëm për 7 muajt e parë kemi pasur 82 mjekë, të cilët kanë kërkuar dokumentin për largim, i cili iu duhet si referencë apo si dokument nga Oda e Mjekëve që nuk kanë ndonjë problem me kodin e etikës profesionale dhe me ligjet në Kosovë”, tha Sejdiu.
Sejdiu tha se rreth 220 mjekë janë larguar nga Kosova në dy vjetët e fundit dhe nëse vazhdon ky trend i largimit, Kosova do të përballet me mungesën e mjekëve.
“Unë mendoj që brenda 5 vjetëve do ta kemi krizën se trendi shkon edhe tek rritja e numrit të specialistëve të rinj që largohen. Në gjashtëmujorin e parë, kemi pasur 7 specialistë të rinj që janë larguar dhe kjo e keqëson edhe më shumë situatën, kur ne kemi moshën mesatare mbi 50 të mjekëve të punësuar në Kosova”, tha Sejdiu.
Sipas Sejdiut, 90 për qind e atyre që largohen nga Kosova janë mjekë të përgjithshëm të sapo diplomuar.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.