Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës u votuan masat e reja antiCOVID, të propozuara nga Ministria e Shëndetësisë, raporton Gazeta Sinjali.
Këto masa më së shumti prekin personat të cilat nuk janë vaksinuar ende me asnjërën nga dozat e vaksinës kundër koronavirusit.
Nga data 20 gusht e deri më 10 shtator, për një muaj rresht, qytetarët që nuk janë imunizuar ende kundër COVID-19, nuk do të lejohet të hyjnë në ambientet e klubeve të natës, diskotekave dhe ambientet ku mbahen ahengjet (dasma, fejesa, ahengje familjare, etj.), grumbullimet, tubimet masive (festivale, koncerte, etj.), të cilat kanë kapacitet mbi 100 persona, si dhe organizimi i këtyre aktiviteteve, nëse nuk posedojnë një nga dëshmitë e mëposhtme:
- Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një dozë të vaksinës kundër COVID-19;
- Testi RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë;
- Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik –IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve;
- Test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë.
Nga 20 gushti deri më 10 shtator, njëra nga këto dëshmi duhet të posedohet nga të gjithë punëtorët në kuadër të bizneseve/aktiviteteve, të cilët janë në kontakt të drejtpërdrejtë me klientët.
Personat përgjegjës të bizneseve/aktiviteteve janë të detyruar të caktojnë një person, i cili do të kontrollojë posedimin e njërës prej këtyre dëshmive.
Me vendimin e ri, qeveria zgjati orarin e punës për klubet e natës.
Nga sonte, këto klube do të lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 23:00 deri në ora në ora 03:00.
Kryerja e pagesave, si dhe lirimi i hapësirës nga ana e klientëve në klubet e natës duhet të bëhet deri në ora 03:15.
Në ambientet e mbyllura të klubeve të natës lejohet shfrytëzimi deri në 50% e kapacitetit të hapësirës.
Në ambientet e hapura të klubeve të natës lejohet shfrytëzimi deri në 70% e kapacitetit të hapësirës.
Këto masa, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, do të hyjnë në fuqi nga sot.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.