Rexhep Shyqeriu ishte mësuesi i parë nga fshati Bresanë i komunës së Dragashit sipas një shkrimi të publikuar nga Kasam Muhameti e përcjell televizioni Opoja.
Ne si redaksi ju ofrojmë ketë biografi të Mësuesit të parë nga fshati Bresanë:
Rexhep Shyqeriu (1925 – 1990)‘mësuesi i parë nga Bresana’
Mësuesi, Rexhep Shyqeriu, u lind më 1925 në Bresanë. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, ndërsa shkollimin e më tutjeshëm të asaj kohe, trajnimet dhe kurset për mësuesi i mbaroi në Prizren. Sipas rrëfimeve të të afërmve të tij, babai i mësuesit Rexhep – Shyqeriu, ishte dashamirës i dijes, meqë edhe vetë ai ishte i ditur, prandaj kishte vendosur që djalin e tij – Rexhepin ta shkollojë dhe ta bëjë mësues.
Në bazë të informacioneve që kemi siguruar, mësuesi Rexhep punën si mësimdhënës (në gjuhën shqipe – mësues për vitet 1 – 4 fillore) e kishte filluar më 1950, i cili kishte punuar në disa fshatra të Opojës. Sipas informacioneve që na ka ofruar profesori Naim Ramadani nga Brruti, mësuesi Rexhep ka punuar në Brrut gjatë viteve 1961/62 dhe 1962/63. Ai ka punuar edhe në Zaplluxhe, kurse për këtë na ka rrëfyer Dr. Ajni Sinani nga Zaplluxhja, i cili e ka cituar vitin 1969. Gjithashtu ai ka punuar edhe në Blaç. Ndërsa, deri në fund të jetës së tij (pensionim – 1990), ka punuar në vendlindjen e tij – në Bresanë.
P.S.
Koha në të cilën jetoi e veproi mësuesi Rexhep Shyqeriu – në ish-Jugosllavi, ishte tejet e vështirë. Siç dihet në vitet e 1930-ta dhe të 1940-ta ndodhi Lufta e Dytë Botërore.
Para kësaj lufte, kishte arsimim në Bresanë, por të një natyre tjetër dhe me alfabet osman, duke pasur parasysh mësimin në mejtep të xhamisë, i cili fillet e veta i ka nga vite shumë të hershme, që nga koha e Mehmet Kukli Beut, pra pas vitit 1500. Pastaj, gjatë viteve 1908 – 1949 funksionoi edhe Medreseja e Mesme e Bresanës, nën udhëheqjen e muderris Rexhep Ismailit nga Bresana (1871 – 1956), ndonëse mësimet përktheheshin në gjuhën shqipe. Kurse në mejtep për mësimdhënie qenë të angazhuar: mulla Abdi Xheladini nga Kuklibegu (i njohur në popull si “Avdi Begi”, të cilin së bashku me disa të tjerë e vranë serbët më 1912 te ‘Livadhi i Kasës’). I njohur për mësimdhënie ishte edhe mulla Mehmet Salihu (1898 – 1985), madje ai ka shkruar shkrime të shumta që kanë përmbajtje fetare, me alfabet osman. Kështu që ai sot njihet si “Bejtexhiu i Opojës”.
Gjithashtu, gjatë një periudhe kohore, arsimimi katër vjeçar në Bresanë (para vitit 1950) është bërë në gjuhën serbo-kroate. Mësimdhënës të angazhuar ishin: maqedonë, serbë, malazezë…, të cilët edhe banonin në Bresanë. Më pastaj, qenë të angazhuar edhe disa mësuesë shqiptarë nga vende të tjera – jo nga Opoja, derisa kryen shkollimin për mësimdhënie disa nga banorët vendës.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.