Isha duke ecur rrugës dhe papritmas m’u paraqit një njeri, filloi të më përqafojë e të më puthë dhe më tha: “A nuk të rikujtohem?! Unë jam filani, shoku i shkollës, ishim bashkë me një klasë.”
Me të vërtetë nuk e rikujtoja! Shikimin e drejtova kah ai, e shikoja në sy, e ai bërtiste dhe më thoshte: “A nuk të kujtohem?!”
Unë me të vërtetë nuk e rikujtoja!
U ul në tokë dhe filloi të qajë dhe të më thotë: “Si më ke harruar? Pasha Allahun, më mbyte! Si më ke harruar?!”
I thashë: “Pasha Allahun, kërkoj ndjesë, mirëpo nuk më kujtohesh, ndoshta për shkak preokupimeve të shumta.”
U ktheva në shtëpi, mirëpo, kjo situatë tepër e çuditshme ma preokupoi mendjen.
Ajo që më tepër më preokupoi nuk ishte personaliteti i këtij njeriu, se a ishte shoku i klasës apo jo, por më shumë më preokupoi gjendja e tij kur e ndjeu se si një njeri i dashur, i shtrenjtë tek ai dhe që e donte, vetëm se e ka harruar.
Mendova dhe thashë në vete: A mundet Allahu që të më harrojë?! Si do të jetë gjendja ime nëse Allahu më harron? A do të jem sikurse ky njeri apo gjendja ime do të jetë edhe më e rëndë?
Mirëpo, Allahu a e harron dikë?
Përgjigjja, për fat të keq, është “po”! Allahu ka mundësi që ta harrojë robin e vet.
Allahu në tre ajete tha:
- “Ata e kanë harruar Allahun, por edhe Ai i ka harruar ata.”[1]
- “Pastaj do t’u thuhet: “Ne sot po ju braktisim në harresë, ashtu siç e keni harruar ju takimin e kësaj dite. Vendqëndrimi juaj është Zjarri dhe për ju nuk ka kurrfarë ndihmësi.”[2]
- “(Allahu) do t’i thotë: “Kështu të erdhën shenjat Tona dhe ti i harrove ato e po kështu sot do të jesh i harruar.”[3]
Këtë ngjarje na e rrëfen dijetari i nderuar, Muhamed Husejn Jakubi, Allahu e ruajttë!
Nga arabishtja: Irfan JAHIU
[1] (Et-Teube: 67)
[2] (El-Xhathije: 34)
[3] (Ta Ha: 126)
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.