Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK), ka regjistruar të shtunën 292 raste të reja me coronavirus, pas testimit të 2,833 mostrave në institucionet publike dhe ato private.
Në 24 orët e fundit, ky Institut ka regjistruar tri viktima të diagnostikuar me sëmundjen COVID-19.
Prej 13 marsit të vitit të kaluar, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 65,982 persona të infektuar.
Ndërkaq, nga e hëna deri të shtunën në Kosovë kanë vdekur 27 persona, duke çuar numrin e përgjithshëm në 1,571 viktima, njofton Telegrafi.
Kosova është i vetmi vend në rajon që ende nuk ka nis vaksionimin anti-Covid-19, edhe pse është paralajmëruar se vaksinat e para do të vinë gjatë muajit shkurt.
Kryeministri në detyrë, Avdull Hoti ditë më parë ka thënë se sasitë e para, disa mijë vaksina 10/12 mijë vinë gjatë shkurtit dhe të tjerat vinë çdo dy javë sasi tjera.
“Besoj që deri në muajin e pranverës do t’i vaksinojmë kategoritë më të ndishme. Ndërsa pandeminë e kalojmë kur ta kalojnë edhe vendet tjera”, ka thënë ai.
MSH po ashtu, ditë më parë ka thënë se janë duke bërë përgatitjet e duhura për të ruajtur vaksinat antiCovid, sapo ato të arrijnë.
“Ndërkohë, Komiteti për imunizim kundër COVID-19 në Kosovë ka hartuar planin e Imunizimit kundër COVID në Kosovë, duke bërë gati infrastrukturën e nevojshme dhe siguruar zinxhirin e ftohtë të ruajtjes së vaksinave (deri në -70 gradë celsius) dhe duke përgatitur kapacitet njerëzore që do të kryejnë vaksinimin. Së fundi, dje është bërë e ditur nga mekanizimi COVAX se 100 800 (Astra Zeneca) vaksina pritet të arrijnë në Kosovë gjatë shkurtit për të filluar me vaksinim”, thotë MSH.
Më shumë se 186 milionë doza të vaksinave kundër Covid-19 janë administruar në 82 vende të botës që nga nisja e procesit e deri më tani. Sipas të dhënave të përpunuara nga “Bloomberg”, rreth 6,34 milionë doza vaksine kundër Covid-19 administrohen çdo ditë.
Në botë, kryeson për vaksinimin Izraeli, me 78 doza për 100 banorë, e ndjekur nga Emiratet e Bashkuara Arabe me rreth 52 doza për 100 banorë.
Në Rajon, Serbia ishte vendi i parë që nisi procesin e vaksinimit kundër Covid-19. Ajo nisi procesin e vaksinimit kundër Covid-19, më 24 dhjetor 2020, 3 ditë para vendeve të Bashkimit Evropian. Serbia siguroi vaksina nga BioNTech-Pfizer dhe Sputnik V, vaksina ruse. Më vonë, Serbia siguroi edhe vaksinën kineze.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.