Kuptimet dhe llojet e nefsit

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Falënderimi i takon Allahut, Krijuesit të vdekjes e të jetës, Krijuesit të shpirtit dhe të trupit, si dhe Krijuesit të çdo gjëje. Atij i nënshtrohen shpirtrat dhe trupat dhe vetëm Ai e meriton adhurimin, nuk ka të adhuruar tjetër me meritë përveç Tij. Paqja e mëshira qofshin me të Dërguarin tonë, Muhamedin (s.a.v.s.), shpirtin më të pastër, të zgjedhurin e njerëzimit, udhërrëfyesin dhe imamin e të dërguarve; paqja e mëshira qofshin edhe mbi familjen, shokët, pasardhësit dhe pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Fjala nefs në gjuhën arabe, herë vjen në kuptimin e vetes, herë në kuptim të epshit dhe herë në kuptim të shpirtit.

Njeriu është i krijuar nga shpirti dhe trupi, në të është e vendosur e mira dhe e keqja.  Trupi ynë nuk mund të jetojë pa ushqim dhe pije. E njëjta gjë ndodh edhe me shpirtrat tanë. Edhe ata kanë  nevojë për ushqim. Kjo arrihet përmes adhurimeve të ndyshme, siç janë: namazi, kurani etj. Komplet  jeta jonë është një sprovë deri në vdekje, lidhur me këtë Allahu (xh.sh.), thotë:

Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë; Ai është i Plotfuqishmi dhe Falësi i madh.  (Mulk, 2)

 

Pesë kuptimet më të dalluara të nefsit që Allahu (xh.sh.) përmend, në Kuran janë:

  1. Shpirti-

“…Ah sikur t’i shihje keqbërësit gjatë agonisë së vdekjes, kur engjëjt zgjasin duart (duke thënë): “Dorëzoni shpirtrat tuaj! Sot ju do të ndëshkoheni me dënim poshtërues për shkak të të pavërtetave që keni thënë për Allahun dhe që keni shpërfillur shpalljet e Tij”.

(En‘am , 93).

 

  1. I tërë njeriu me trup dhe shpirt

“Krijimi dhe ringjallja e ju të gjithëve është njësoj si krijimi i një njeriu të vetëm. Vërtet, Allahu i dëgjon dhe i sheh të gjitha.” (Lukman, 28)

 

  1. Fuqia më të cilën mendon njeriu

 

“Kështu, ata i mohuan ato padrejtësisht dhe me mendjemadhësi, edhe pse shpirti i tyre i besonte për të vërteta. Pa shiko, cili ka qenë fundi i shkatërrimtarëve!”   (Neml, 14)

 

  1. Më anë të zemrës

“Përmende Zotin tënd me vete, i përulur dhe me frikë – jo me zë të lartë, në mëngjes dhe mbrëmje, dhe mos u bëj nga ata që nuk i kushtojnë vëmendje!”

(A‘raf, 205)

(Bijtë e Jakubit) thanë: ‘Nëse ka vjedhur, më parë ka vjedhur edhe vëllai i tij!’ Jusufi heshti për këtë dhe nuk shpalli gjë, por mendoi në vetvete: “Ju jeni në pozitë më të keqe. Allahu është më i dijshëm për ato që thoni ju”.  (Jusuf, 77)

 

  1. Fuqia për të mirë dhe të keqe që është tek njeriu

 

“Kurse ai që i është frikësuar madhërisë së Zotit të tij dhe e ka frenuar veten nga dëshirat, pa dyshim që do të ketë për strehë Xhenetin.” (Naziat, 40-41)

Llojet e nefsit (shpirtit) janë tre:

  1. Nefsul-Mutmeinne  (nefsi i qetë) – është ai lloj i vendstrehimit të besimit, dritës hyjnore. Ky lloj shpirti është më i dashur tek Zoti (xh.sh.), pasi nga ai shpirt rrjedh drita e imanit. Ky është shpirti i përkushtuar, i mbrojtur dhe i mbështetur te Krijuesi i gjithësisë. Lidhur më këtë lloj të shpirtit, flet Allahu (xh.sh.), në Kuran:

“O ti shpirt i qetësuar! Kthehu te Zoti yt, ti i kënaqur me Atë dhe Ai kënaqur me ty! Bashkohu me robërit e Mi dhe hyr në Xhenetin Tim!” (Fexhr, 27-30)

 

Ibn Kajjimi ka thënë:  Nefsi (shpirti) i qetë qetësohet vetëm me adhurimin ndaj Allahut dhe ndalimin prej harameve dhe ai nefsi asnjëherë nuk i bindet apo s‘i përulet tjetërkujt përveç Allahut të Madhëruar, sepse ai e përmend çdo herë dhe përmallohet për takimin me Allahun e Lartësuar. ”

 

  1. Nefsul-Ammaretun Bi su (nefsi që urdhëron për të këqija) – është ai lloj i shpirtit, që është i mbushur më të këqija. Dijetarët islamë e përshkruajnë këtë lloj të shpirtit si vendstrehim i çdo të keqeje. Sa herë që një e keqe paraqitet, ajo zë vend në ketë lloj shpirti dhe zemre. Njerëzit që kanë këtë lloj shpirti, gjithmonë vrapojnë pas gjërava të këqija. Allahu (xh.sh.), thotë:

 

“Unë nuk e shfajësoj veten, sepse shpirti (i njeriut) është fort i prirur për të keqe, përveç atij që e mëshiron Zoti im. Me të vërtetë, Zoti im është Falës dhe Mëshirë-plotë.”  (Jusuf, 53)

 

  1. Nefsul-Levvame (nefs i cili qorton, i cili ndjen keqardhje) – sa herë që bën ndonjë mëkat, ky lloj shpirti ndjen keqardhje dhe e kritikon vetveten, e qorton atë. Kur flet Allahu (xh. sh.), mbi këtë lloj shpirti për Ditën e Kijametit, thotë:

“Betohem në Ditën e Kiametit! Betohem në shpirtin qortues! A mendon njeriu se nuk do të mund t’i mbledhim eshtrat e tij?! Po, si jo! Ne jemi të Zotë t’ia ribëjmë bashkë me përsosmëri edhe majat e gishtave të tij. Por njeriu dëshiron të gabojë sa të jetë gjallë dhe pyet: Kur do të jetë Dita e Kiametit?. Por, kur sytë t’i verbohen dhe të zihet Hëna dhe Dielli e Hëna të bashkohen, atë ditë njeriu do të thotë: Ku të iki?” (Kijame, 1-10)

 

Këto janë llojet e nefsit (shpirtit), andaj gjithësecili prej nesh duhet ta pyesë veten se në cilin grup bën pjesë, ta kuptojmë qëllimin e krijimit tonë, të jemi ata që ia kemi frikë-respektin vetëm Allahut (xh.sh.), si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër. Ka njerëz që për fat të keq lindin dhe vdesin pa asnjë qëllim të kësaj jete, thjesht lindin dhe vdesin, hanë dhe pinë si kafshet. Për këtë lloj të njerëzve thotë Allahu (xh.sh.):

“Ne kemi paracaktuar për Xhehenemin shumë xhinde dhe njerëz, sepse ata kanë zemra, por nuk kuptojnë, kanë sy, por nuk shohin dhe kanë veshë, por nuk dëgjojnë. Ata janë si bagëtitë, madje edhe më zi. Pikërisht këta janë të shkujdesurit.” (Araf, 179)

 

Ajo që e dallon vesvesin e shejtanit nga nefsi, është se shejtani ta zbukuron të keqen të shtyn të veprosh fillimisht. Nëse e refuzon, ai largohet prej atij gjynahu dhe kalon tek një gjynah tjetër, pasi nuk ka si qëllim vetëm një lloj gjynahu, por çfarëdo që të mundet. Andaj besimtari duhet të jetë gjithmonë i vetëdijshëm,  të jetë i lidhur me fjalët e Zotit (xh.sh.) dhe hadithet e Muhamedit (a.s.).

Një ditë Pejgamberi  (a.s.), i tha Muadhit: “O Muadh, a të tregoj se cila është gjëja më e rëndësishme në këtë botë?” “Po i tha Muadhi.” “Gjëja më e rëndësishme në këtë botë është Islami, shtylla e saj është namazi dhe kulmi i saj është xhihadi.” 

Rebia bin Kab El-Eslemi, thotë që çdo natë i shërbeja Muhamedit (a.s.) dhe flija në shtëpinë e tij. Një natë Pejgamberi (a.s.), më tha: “O Rebia, kërko nga unë ç’të duash.” Unë i thashë: “O i dërguari i Allahut, më lër pak kohë sa të mendoj.” U ula duke menduar rreth kësaj bote dhe se ajo një ditë do të zhduket dhe thashë me vete: ‘nuk do të kërkoj veçse diçka që lidhet me jetën tjetër.’ Shkova dhe i thashë Muhamedit (a.s.): “O i dërguari i Zotit, dua të jem me ty në Xhenet!” Pejgamberi (a.s.), tha: “A nuk ke ndonjë kërkesë tjetër, o Rebia?” I thashë: “Kjo është e mjaftueshme.”  Pejgamberi (a.s.), më tha: “Më ndihmo me namaze të shumta.”

Nëse dëshiron ti o vëlla dhe motër të jesh pranë Muhamedit (a.s.), lufto me nefsin tend dhe fal sa më shumë namaze.

Ibn Kajjimi thoshte: “O ti me vullnet të dobët. Kjo është një rrugë në të cilën u thinj Nuhu (a.s.), për 950 vjet. U ther Jahja (a.s.), për këtë rrugë, u sharrua më sharrë Zekerijai (a.s.), u hodh në zjarr Ibrahimi (a.s.) dhe u torturua Muhamedi (a.s.), kurse ti kërkon Islam të lehtë?”

Të gjitha këto që përmendëm të ndihmojnë të luftosh nefsin dhe të gjesh kënaqësinë e kësaj dhe botës tjetër. Të jesh i sigurt se Allahu i Madhëruar ka mundësi të ndryshojë çdo lloj realiteti. Mirëpo, Ai nuk e bën këtë gjë deri atëherë kur përtacia dhe dembelizmi të jenë zhdukur nga zemrat e njerëzve.

Lus Allahun të na mundësojë realizimin e çdo vepre të dashur për Të, të na përmirësojë jetën e kësaj bote dhe të botës tjetër.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-