Përfaqësues të bankave në Kosovë e vlerësojnë si të rëndësishëm rolin e sektorit bankar në rimëkëmbjen ekonomike gjatë dhe pas pandemisë Covid-19. Sipas tyre, bankat po e kryejnë “detyrën” e tyre dhe kanë kapacitete të mjaftueshme financiare dhe operacionale për të përmbushur nevojat për financim të korporatave dhe ekonomive familjare të Kosovës.
Njohës të çështjeve ekonomike pajtohen se bankat janë biznese dhe nuk mund të heqin dorë nga fitimi, por theksojnë se në bashkëpunim me Qeverinë mund të bëhet më shumë për të kredituar ekonominë në këtë kohë të vështirë. Kjo mund të bëhet duke dhënë kredi me kushte më të favorshme për bizneset, përfshirë uljen e përqindjes së interesit (që do të subvencionohej nga Qeveria), me greis periudha më të gjata etj.
Albert Lumezi, drejtor i bordit udhëheqës në Bankën NLB, ka thënë për Ekonomia Online se roli i bankave në rimëkëmbjen ekonomike që nga fillimi i pandemisë ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm.
“Sistemi bankar në Kosovë është mjaft i qëndrueshëm, stabil, mirë i kapitalizuar, si edhe likuid. Prandaj ne në asnjë moment nuk e kemi ndalur kreditimin; kemi vazhduar me një tempo të njëjtë sikur edhe përpara pandemisë t’i përkrahim të gjitha degët e ekonomisë, sikurse dhe qytetarët e Kosovës. Besoj që ky është kontributi më i madh në rimëkëmbjen ekonomike pra vazhdimi i kreditimit”, theksoi Lumezi.
Ai tregon se Banka NLB, qysh në fillim të pandemisë, ka dhënë kontributin e saj, duke shtyrë moratoriumin e kredive nga ana e huamarrësve pa llogaritur kamata ndëshkuese.
“Trendi i normave të interesit në Kosovë është gjithnjë në zbritje. Nëse i analizojmë normat e interesit edhe në këtë periudhë, prej kuartalit në kuartal, shkojnë duke u zvogëluar në të gjithë sektorin bankar, gjithashtu edhe në NLB”.
Gjatë këtyre muajve, Lumezi bën të ditur se Banka NLB Banka ka investuar në rritjen e kualitetit dhe përshtatjen e shërbimeve për klientët, sidomos në shfrytëzimit e kanaleve digjitale.
“Pa ashtu, kemi rritur numrin e bankomateve (ATM) në përdorim; si dhe numrin e pos-terminaleve. Në këtë kohë të pandemisë, edhe pse ka pasur aspekte shumë gjëra negative, aspekti më pozitiv është përdorimi shumë i madh i kanaleve digjitale, sidomos nga klientët tanë që janë të rinj në moshë”.
Balija: Nuk ka shumë vend për rritjen e kredive
Drejtori i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, në një bisedë për Ekonomia Online ka thënë se përhapja e pandemisë ka ndikuar edhe në sektorin bankar, duke sjellë vështirësi operative dhe afariste
Por, edhe gjatë muajve të pandemisë, bankat në Kosovë kanë rritur depozitat dhe kreditimin. Sipas Balisë, kjo ka ardhur pasi sektori bankar ka qenë (dhe mbetet) stabil, i kapitalizuar mirë dhe likuid.
“Sa iu përket depozitave, kemi pasur një rritje prej rreth 145 milionë këtë vit, që ka çuar në 4 miliardë euro të depozituara në sektorin bankar. Nga këto 4 miliardë, mbi 70% iu takojnë qytetarëve, ekonomive familjare dhe rreth 30 % bizneseve. Këto depozita janë rritur falë një trendi pozitiv që kemi pasur ndër vite dhe gjatë pandemisë duket se një pjesë e mirë e qytetarëve kanë vazhduar të kenë të ardhura pa ndërprerë. Sektori publik ka pasur të ardhura të vazhdueshme gjithashtu edhe për një pjesë të sektorit privat kanë vazhduar që t’i marrin pagat”.
Ka pasur rritje edhe në kreditim. “Sektori bankar ka kredituar mbi 1 miliard euro këtë vit që do të thotë se ka pasur një kreditim të ngjashëm me vitin e kaluar. Në fakt, kemi pasur ngecje në kreditim gjatë muajve prill dhe maj, kur ka pasur rënie në kreditim në 65%. Mirëpo me lehtësimin e masave është rikuperuar kreditimi dhe shohim se bankat kanë arritur të kreditojnë mbi 1 miliard euro për ekonominë e vendit”, shtoi Balija.
I pyetur për mundësinë e futjes në ekonomi të këtyre 4 miliardëve të depozituara, drejtori i Shoqatës së Bankave thekson se nuk ka edhe shumë vend për rritjen e kreditimit.
“Nëse shohim depozitat të cilët kanë arritur në 4 miliardë euro shohim se rreth 3.2 miliardë euro janë në kredi dhe mbeten 800 milionë euro në likuiditet të sektorit bankar. Këto mjete do të mund të plasoheshin gradualisht varësisht prej dinamikës së rimëkëmbjes ekonomike. Por, për të marrë kredi bizneset dhe ekonomitë familjare duhet të ekzistojë një kapacitet absorbues i tyre. Nuk mund ta ngarkojmë më shumë me kredi”, tha ai.
Pavarësisht kritikave publike, Balija mendon se sektori bankar po e luan rolin e saj për rimëkëmbjen e ekonomisë. Sipas tij, nuk iu është dhënë merita e duhur bankave, të cilat kanë punuar pandërprerë dhe kanë ofruar lehtësira për qytetarët.
“Duhet të jemi koshientë që shoqëria jonë është duke kaluar nëpër një krizë shëndetësore, politike, ekonomike, dhe të gjitha këto bëjnë që shoqëria në Kosovë të ketë nevojë për ndihmë dhe mbështetje. Por, duhet të kuptojmë rolin e sektorit bankar siç është kreditimit i bizneseve dhe ruajtja e depozitave… Bankat kanë bërë tërë atë që është e mundur sa i përket ofrimit të lehtësirave për qytetarët”. Si të mirë nga bankat, ai veçon shtyrjen e kredive deri në 1.5 miliard euro.
“Është një diskurs negativ që është zhvilluar nga qarqe të ndryshme në mënyrë të panevojshme, ndërkohë që sektori bankar që nga fillimi i pandemisë ka vazhduar të ofrojë shërbime pa ndërprerë”.
Balija konsideron se sektori bankar duhet të ndihmohet me masa konkrete nga Qeveria, përfshirë rritjen e kapitalit për fondin kreditor dhe subvencionimin e normave të interesit. “Nëse këto bëhen atëherë mund të themi që i është ofruar një ndihmë sektorit bankar në mënyre që të vazhdojë të financojë ekonominë”.
Drejtori i Shoqatës së Bankave e përkrah tërheqjen e 10-përqindëshit nga Trusti Pensional nga qytetarët, sepse kjo e rritë kërkesën agregate në këtë kohë të vështirë. “Kështu rritet konsumi në Kosovë dhe kjo i ndihmon dhe rritjes ekonomike të vendit”, shprehet ai.
Vula-Pozhegu: Mungon paraja e gatshme, bankat duhet të mbështesin sidomos prodhuesit
Drejtoresha Ekzekutive e Shoqatës së Përpunuesve të Drurit, Arieta Vula-Pozhegu, ka folur për vështirësitë e prodhuesve, sidomos në kohën e pandemisë për të siguruar likuiditet.
Vula-Pozhegu thekson se e kupton që bankat janë biznese dhe nuk heqin dorë nga fitimet. Por, ajo konsideron se ka vend për uljen e interesave për kredimarrje, që aktualisht, sipas saj, janë mjaft të larta.
“Gjithashtu, greis periudha e kthimit është shumë e shkurtër. Nëse kjo periudhë do të ishte me e gjatë dhe nëse do të kishim ndryshime në interesin që kompanitë e paguajnë dhe në raste të ndryshme të ketë dhe shkallëzime të tjera, kjo do të ishte një ndihmesë për neve”.
Vula-Pozhegu tregon se ka kompani prodhuese, të cilat duhet të investojnë, si për lëndën e parë, por paratë i marrin ndoshta pas gjashtë muajve, kur dorëzohet produkti në Zvicër, Gjermani apo gjetiu.
I gjithë ky cikël duhet të financohet prej vetë firmës. Në këtë rast, thekson ajo, mungon paraja e gatshme dhe kjo e sjell kompaninë në një situatë që ta përgjysmojë prodhimin. Sipas saj, bankat do të duhej të mbështesnin sidomos prodhuesit.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se bankat duhet të luajnë rolin e tyre në financimin e bizneseve, por ndihma kryesore në këtë kohë duhet të vijë nga Qeveria.
“Bankat janë aktorë që i financojnë bizneset me kushte të caktuara. Rritet rreziku, rritet edhe kostoja e financimit. Andaj ne këtu kërkojmë që ndihmën duhet ta japë shteti. Sistemi bankar operon si çdo biznes tjetër”.
Sipas tij, nevojitet koordinim dhe bashkëpunim nga të gjithë që të ruhen vendet e punës derisa të kalojë kriza e shkaktuar nga Covid-19.
“As sistemit bankar, as bizneseve që janë në tregun e vendit, nuk iu konvenon që një biznes i vetëm të mbyllet dhe të humben vende pune. Për bankën është humbje e klientit dhe humbje e mundësisë për të kthyer mjetet. Për bizneset është një humbje e tregut dhe për qeverinë është një kosto më e madhe sociale. Kështu që të gjithë duhet të koordinohen në mënyrë që të ketë ruajtje të bizneseve deri në një fazë kur dalim nga kjo krizë”, shtoi Rukiqi.
Muhaxhiri: 4 miliardë euro kursimeve, nevojitet “kreativitet” për t’i investuar
Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Arton Muhaxhiri, thotë se me të goditurat nga pandemia, në Kosovë janë bizneset dhe kompanitë private dhe pikërisht këto duhet të ndihmohen më së shumti.
Muhaxhiri përmend se janë 4 miliardë euro të kursimeve të qytetarëve nëpër bankat komerciale në Kosovës, dhe konsideron se këto para duhet të investohen në ekonomi.
Sipas tij, bizneset duhet të ndihmohen nga bankat me kredi më afatgjata, me një pjesë të interesit që do të subvencionohej nga Qeveria.
“Bizneset të mund të marrin kredi të caktuara për një vjet ose gjashtë muaj të pauzojnë apo të mos paguajnë kredinë, të krijohet favorizim për ta në zhvillimin e biznesit të tyre derisa ta marrin veten”.
“Qeveria një pjesë të interesit e paguan bashkë me biznesin. Janë dy forma, por që tek ne nuk po aplikohet asnjëra dhe nuk ka asnjë iniciativë nga bankat në këtë dinamikë të rimëkëmbjes ekonomike. Në bankat tona janë 4 miliardë euro të kursimeve të qytetarëve të Kosovës dhe me një kreativitet të qeverisë duhet t’i nxjerrim jashtë bankave dhe të investojmë diku në Kosovë”, deklaron Muhaxhiri.
Ai ka kritikuar kryeministrin Avdullah Hoti se nuk ka asnjë plan konkret për rimëkëmbjen ekonomike, megjithëse është ekonomist.
“Ekonomia është terreni i kryeministrit Hoti dhe ai po dështon në terrenin e tij. Nuk ka asnjë strategji sesi do të mund të dalim nga kjo situatë… Problemet politike po ndikojnë edhe në ekonomi. Kemi një qeveri që nuk bashkëpunon me opozitën dhe po i shkakton dëm vendit”, shprehet Muhaxhiri për Ekonomia Online.
Guvernatori i Bankës Qendrore, Fehmi Ahmeti, në një konferencë shtypi së fundi, ka deklaruar se përkundër vështirësive ekonomike aktuale, sistemi financiar vazhdon të mbetet i shëndoshë dhe stabil.
“Bankat vazhdojnë të kreditojnë ekonominë e Kosovës. Gjithsej kreditë në muajin gusht 2020 janë në shumë prej 3.02 miliardë euro duke vazhduar trendin e rritjes edhe gjatë këtij viti, me një rritje vjetore prej 7.6 për qind. Vlera e kredive të reja të lëshuara për periudhën janar-gusht 2020 është 912.5 milionë euro që paraqet një rënie prej 5 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ku kreditë e reja ishin 959 milionë euro. Megjithatë, gjatë muajve korrik-gusht të këtij viti kemi të dhëna premtuese, ku kreditë e reja të lejuara nga sektori bankar janë në vlerë prej 320.7 milionë euro krahasuar me kreditë e reja të lëshuara në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar prej 260 milionë, apo një rritje prej 23 për qind”, ka thënë Mehmeti.
Sipas parashikimeve të BQK-së, ekonomia e Kosovës këtë vit pritet të shënojë rënie prej rreth 7.2 % si pasojë e krizës së shkaktuar nga pandemia Covid-19, që ndikoi negativisht në pothuajse të gjitha aktivitetet ekonomike në vend.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.