Në seancën e së hënës, në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Dragash, Elez Elezi është dëgjuar në cilësi të dëshmitarit, për rastin ku Berat Gërdellaj ka paditur Drejtorinë Komunale të Arsimit në Dragash, për anulim të njoftimit dhe transferim në vendin e punës.
Dëshmitari Elezaj ka deklaruar se gjatë kohës kur është shpallur konkursi për pozitën e arsimtarit të matematikës në shkollën “Fetah Sylejmani” në Dragash, në vitin 2015, ka qenë në cilësinë e pedagogut komunal dhe ka qenë anëtar i komisionit lidhur me konkursin që ishte shpallur në gazetën “ Epoka e Re”.
Ai ka thënë se asnjëherë nuk ka marrë ndonjë shkresë nga drejtori i shkollës “Fetah Sylejmani”, me të cilën është kërkuar përjashtimi i tij, për shkak të lidhjes familjare me njërin nga kandidatet.
Pas dëgjimit të tij, gjyqtarja Sabaheta Kurteshi e ka caktuar seancën e radhës për 15 janar 2021, në ora 13:15, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas padisë së ushtruar me 3 nëntor 2015, Berat Gërdellaj ka paditur Drejtorinë Komunale të Arsimit në Dragash, për anulim të njoftimit dhe transferim në vendin e punës.
Në padi thuhet se paditësi ka qenë i angazhuar si arsimtar i lëndës së matematikës, me normë jo të plotë (12 orë në javë), në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Restelica”, në Restelicë, në paralelen e ndarë në gjuhën shqipe.
“Duke qenë i njoftuar se njëri nga arsimtarët e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Fetah Sylejmani” në Dragash do të pensionohet, i është drejtuar të paditurës me kërkesë me shkrim që të transferohet pranë shkollës në fjalë ngase edhe ashtu është i pasigurt në shkollën ku është i angazhuar, ngase numri i nxënësve në paralelen e ndarë është shumë i vogël, e gjithashtu edhe norma jo e plotë e punës”, thuhet në padi.
Sipas padisë, e paditura nuk është përgjigjur rreth kërkesës në fjalë, e gjithashtu më 9 shtator 2015 ka hapur konkurs plotësues, edhe për pozitën e arsimtarit të matematikës në shkollën “Fetah Sylejmani” në Dragash, për të cilën paditësi ka parashtruar kërkesë për transferim.
Paditësi pretendon se e paditura nuk i ka dhënë përgjigje edhe pse ka qenë e obliguar dhe se qysh me publikimin e konkursit në fjalë, ka pasur parregullsi, pasi sipas tij, afati ligjor i konkursit është 14 ditë, kurse aty kanë qenë 7 ditë afat. Tutje, ai pretendon se parregullsi ka pasur edhe me rastin e thirrjes për intervistë dhe gjithë rrjedhja e mëtutjeshme.
Tutje, në padi thuhet se përkundër shkeljeve, e paditura me njoftimin e 1 tetorit 2015 ka vlerësuar Leutrim Qengajn si kandidatin më të suksesshëm, që sipas paditësit “rastësisht” ka qëlluar të jetë vëllai i drejtorit të shkollës ku ka qenë i publikuar konkursi, edhe pse sipas tij në këtë rast është dashur të jetë konkurs intern, duke përmendur edhe dënimin e shkaktuar nxënësve me mungesën e arsimtarit të lëndës në fjalë për më shumë se një muaj nga fillimi i vitit shkollor. /BetimipërDrejtësi
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.