Bëhu i kënaqur me atë që të ka dhënë Allahu, do të jesh njeriu më i pasur!

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

Allahu e ka ndarë
furnizimin dhe begatitë e tjera midis njerëzve. Dikush fizikisht është i fortë,
por është i varfër, dikush është inteligjent, por me shëndet të dobët, dikush është
i pasur, por nuk ka fëmijë, disave Allahu nuk ju jep fëmijë meshkuj, kurse ju
jep fëmijë femra, e të ngjashme.

Allahu i Plotfuqishëm
thotë: “Vallë, a mos e ndajnë ata mëshirën e Zotit tënd? Na, furnizimin e
kësaj jete e kemi ndarë, në mes tyre dhe i ngritëm disa mbi të tjerët me
shkallë (për nga pozita dhe malli), që disa t’u shërbejnë të tjerëve, e mëshira
e Zotit tënd është më e mirë nga ajo që grumbullojnë ata.”
(ez-Zuhruf, 32)

Allahu nuk e ka
harruar dhe nuk e ka lënë as një milingonë të vogël pa ia caktuar nafakën,
atëherë, pse ne duhet të kemi frikë për nafakën, nëse e dimë se nuk do të
vdesim para se të shpenzohet nafaka jonë.

Imam Shafiu ka
thënë: Krenaria dhe reputacioni janë tek tri gjëra: tek devotshmëria në
vetmi, tek ndarja në varfëri dhe tek thënia e së vërtetës para atij prej të
cilit shpreson shpërblim dhe nderim dhe nga ndëshkimi i të cilit ke frikë.

Pak njerëz i
posedojnë këto cilësi, por kjo është dëshmi e besimit të sinqert, e
devotshmërisë dhe njohjes së fuqisë, mëshirës dhe ​​mirësisë së Allahut, si dhe
e begative të pakufishme të cilat Ai ua ka dhuruar njerëzve.

Imam Dhehebiu
në veprën e tij Sijerul-e’alamin-nubela’, ka regjistruar tregimin për një njeri të
quajtur Ebu Kilabe, që përndryshe ishte mufesir, i cili në një nga
udhëtimet e tij, kishte kaluar pranë një tende të vjetër, dhe kishte hyrë brenda
për të parë nëse kishte dikush në tendë. Në tendë brenda e gjeti një plak të
verbër, i cili ishte i mbështjellë me një mantel të vjetër dhe e dëgjoi duke
përsëritur të njëjtat fjalë: Faleminderit Allahut që më ka dalluar me
shumë begati mbi njerëzit e tjerë!

Ebu Kilabe rrëfen: “Hyra
brenda tek ai dhe i dhashë selam, edhe ai ma ktheu selamin.

Unë i thashë: ‘Unë
jam një udhëtar dhe ty të gjeta pranë tendës sate dhe i dëgjova fjalët që po i përsërisësh,
të cilat më mahnitën.

Ai më pyeti: Cilat
janë ato fjalë?

Unë i thashë: Faleminderit
Allahut që më ka dalluar me shumë begati mbi njerëzit e tjerë!

Vëlla i dashur, ti nuk
ke pasuri, nuk ke fëmijë, nuk ke shtëpi, nuk ke shëndet, je i verbër, atëherë,
me çka të ka dalluar ty Allahu?

Ai më tha: Ulu dhe
unë do të tregoj. A nuk më dha Allahu dëgjimin?

Unë u përgjigja: Po.

Ai më pas më pyeti: Po
sa njerëz ka që janë të shurdhër dhe Allahu i ka privuar nga begatia e të
dëgjuarit?’

Shumë – u përgjigja
unë.

Ai tha: Faleminderit
Allahut që më ka dalluar me begatinë e dëgjimit mbi të gjithë ata.

Pastaj, ai më pyeti:
A nuk më dha Allahu mua gjuhën dhe fuqinë e të folurit?

Po – u përgjigja unë.

Ai tha: Po sa ka, të
cilët nuk kanë mundësi që të flasin?

Shumë – u përgjigja
unë.

Kurse ai më tha: Faleminderit
Allahut që më ka dalluar mbi të gjithë ata të cilët i ka privuar nga kjo
begati.

Pastaj më pyeti: A
nuk më ka dhënë Allahu mendjen?

Po – i thashë unë.

Kurse ai më tha: Po
sa njerëz ka, që nuk kanë mendje?

Shumë – i thashë unë.

Kurse ai tha: Faleminderit
Allahut që më ka dalluar mbi të gjithë ata mua.

Atëherë ai e pyeti:
A nuk më ka bërë Allahu mua musliman?

Po – i thashë unë.

Kurse ai më pyeti:
Po sa njerëz ka, që enden të devijuar?

Shumë – i thashë
unë.

Kurse ai tha: Faleminderit
Allahut që më ka dhuruar begatinë e udhëzimit dhe më ka dalluar mbi shumë
njerëz.

Besimtari musliman gjithnjë
duhet të mendojë për madhësinë e begative të cilat i posedon, dhe jo për ato që
nuk i posedon, dhe pastaj të demoralizohet, të bëhet mosmirënjohës ndaj Allahut
dhe ziliqar ndaj njerëzve.

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-