(Hutbeja e dytë e
ramazanit)
Falënderimi i takon Allahut. Atë e
falënderojmë dhe prej Tij ndihmë, falje dhe udhëzim kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje
nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Atë njeri të cilin
e drejton Allahu askush nuk mundet ta humbasë, ndërsa atë njeri që humbët
rrugën dhe veten e tij, askush tjetër veç Allahut nuk mundet ta drejtojë.
Dëshmojmë dhe vërtetojmë se nuk ka zot tjetër
që meriton të adhurohet me të drejtë përveç Allahut të Madhërishëm, që është
Një dhe i pa shoq. Dhe dëshmojmë dhe vërtetojmë se Muhamedi është rob dhe i
dërguar i Tij, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin gjithmonë mbi të, mbi
familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi gjithë agjëruesit.
Të dashur vëllezër besimtarë!
Ramazani i hap dyert e
xhenetit, i mbyll dyert e xhehenemit dhe i prangos shejtanët.
Në dyert e xhenetit të cilat hapen në ramazan do të hyjnë ata që meritojnë.
Nuk është i mjaftueshëm vetëm ramazani dhe qëndrimi në të, as përkushtimi i ibadeteve
vetëm në këto 30 ditë për tu bërë banor i xhenetit.
Ramazani është muaj i
udhëzimeve. Në të Allahu i Plotfuqishëm fa filluar t’i flasë njeriut. Ka filluar
të zbresë shpallja e fundit dhe fjala përfundimtare e Allahut për njerëzimin. Ndjekja e udhëzimit
dhe jetësimi i fjalës së Allahut është rruga e cila na çon kah dyert e hapura të xhenetit.
Në ramazan agjërojmë,
urdhrin e Allahut e zbatojmë dhe vetvetes shpërblim të madh i sigurojmë. Allahu
i Madhërishëm thotë: Agjërimi është i Imi dhe Unë për të shpërblej
posaçërisht! Agjërimi bën që era e gojës së agjëruesit për Allahun të jetë
më e këndshme se aroma e miskut.
Në ramazan ne heqim dorë
nga kënaqësitë, të gjitha i bëjmë me dëshirë që ta fitojmë kënaqësinë përfundimtare,
xhenetin.
Duke u tërhequr nga kënaqësia
që është hallall, ne mësohemi të tërhiqemi edhe nga kënaqësia që është mëkat.
Poeti thotë:
‘Ajo që sot të duket e ëmbël, nesër dhimbje
mund të shkaktojë,
prandaj mendo mirë përpara, se pastaj
mundet dobi të mos bëjë.’
Agjërimi na shtynë në këto
mendime, na inkurajon të mendojmë për mëkatin përmes pasojave të tij, dhe
kështu të ikim larg prej tij.
Në ramazan bëjmë ibadete
shtesë. Me përjashtim të 5 namazeve të cilat i kryejmë gjatë vitit dhe gjithë
jetën, ne e kemi edhe namazin e veçantë të ramazanit, teravinë. Duke pasur
parasysh veçantinë e ambientit të ramazanit dhe veçantinë e tij, ibadeti i
kryer në ramazan vlen më shumë. Pejgamberi (savs) na mëson se farzi në ramazan
është si 70 farze jashtë tij, kurse nafilja në ramazan, është si farzi në ditët
e tjera.
Duke bërë ibadet ne ecim
kah mëshira e Allahut dhe e synojmë magfiretin, sepse e dimë se namazet i fshijnë mëkatet,
dhe se ramazani na mundëson që të dalim prej tij të pastër nga mëkatet, si dhe
e dimë që sadaka i fshinë mëkatet ashtu siç e shuan uji zjarrin, andaj
ne edhe këtë ibadet në ramazan do ta plotësojmë.
Në ramazan ne japim,
ndajmë. Me këtë ndarje, ne agjërimit tonë ia trasojmë rrugën kah Allahu por
edhe mësojmë se duke dhënë, ne vetes ia rritim nafakën. Pejgamberi (savs) thotë:
Ju ndihmën dhe furnizimin e fitoni sipas qëndrimit tuaj ndaj të dobëtëve.
Ramazani ia hap dyert e
xhenetit atij që e hap zemrën e tij dhe në të e pranon fjalën e Allahut si
udhëzim, i cili është nxitje për vazhdimësi në vepra të mira. Mbyllja vetvetes derën
e xhamisë pas ramazanit, do të thotë se nuk je i vendosur sikur në ramazan për
të shkuar kah dyert e hapura të xhenetit.
Palosja e sexhadesë dhe largimi
i saj deri në ramazanin e ardhshëm do të thotë të heqësh dorë nga rruga që çon
në dyert e xhenetit. Kthimi në kryerjen e mëkateve, prej të cilave na ka
larguar ramazani me fuqinë e veçantisë së tij, do të thotë, me të gjitha forcat
të mundohesh t’i hapësh dyert e xhehenemit të cilat janë mbyllur në ramazan.
Allahu i Madhërishëm premton
se do të nderohen me kopshte të xhenetit:
ata të cilët sinqerisht
besojnë;
ata që e falin namazin me
kohë;
ata që në pasuritë e të
cilëve ka një pjesë për nevojtarët;
ata të cilët besojnë në
jetën e përtejme;
ata që i frikësohen ndëshkimit;
ata që u shmangën mëkateve;
ata që detyrat e tyre dhe amanetet
e besuara besnikërisht i përmbushin; dhe
ata të cilët namazin e
ruajnë, duke e kryer rregullisht.
Ibn Abbasi (r.a.)
transmeton se Pejgamberi (savs) ka thënë: Vërtet, për çdo vit xheneti dekorohet
dhe zbukurohet për shkak të ardhjes së ramazanit. Kur hyn nata e parë e
këtij muaji, nën Arshin e Allahut fryn një erë e cila i lëkund gjethet e pemëve
të xhenetit dhe i lëviz hallkat në portat e xhenetit. Prej tyre formohet një tingull
i tillë, çfarë askush asnjëherë nuk ka dëgjuar. Do të paraqiten hyritë e
xhenetit, do të renditen nëpër kopshtet e tij dhe do të thonë: A ka dhëndër të
cilët do të na kërkojnë te Allahu dhe të martohen me ne? O Ridvan, cila është kjo
natë? Ai do të përgjigjet: Kjo është nata e parë e ramazanit.
I Lartëmadhërishmi
urdhëron: O Ridvan, hapi dyert e xhenetit për agjëruesit e umetit të Muhamedit (a.s.)!
Pastaj i kthehet Xhibrilit dhe i thotë: O Xhibril, zbrit në Tokë dhe prangosi në
pranga shejtanët, që mos të mund t’i mashtrojnë pasuesit e të dashurit Tim Muhamedit
(a.s.) e t’ua prishin agjërimin.
Allahu i Madhërishëm për çdo natë të ramazanit
thirr tri herë:
– A ka dikush që kërkon diçka, që t’i japë atij?
– A ka pendues të cilëve do t’ua pranojë pendimin?
– A ka ndokush që kërkon falje që Unë ta fal!
Kur vjen Nata e Kadrit,
Allahu i Madhërishëm e urdhëron Xhibrilin të zbresë me një grup të melekëve në Tokë. Xhibrili i ka 600 krahë,
dy prej të cilëve i hap vetëm në Natën e Kadrit. Atë natë i shtrinë ata dhe e
mbulon me ta edhe Lindjen edhe Perëndimin. Xhibrili i shpërndan melekët
në të gjitha anët, dhe ata e përshëndesin me selam secilin njeri që e gjejnë
duke bërë ibadet. Ata i shtrëngojnë duart me
ta, dhe bëjnë amin në lutjet e tyre. Kjo zgjat deri në agim. Kur të lind dielli,
Xhibrili thërret: O melekë, nisje, nisje! Melekët pyesin: Çfarë bëri Allahu për
besimtarët e umetit të Muhamedit? Ai u thotë atyre: Allahu i fali të gjithë,
përveç 4 prej tyre! Ata pyesin: Kush janë ata? Xhibrili thotë: (1) Ai që
konsumon alkool, (2) ai që është i padëgjueshëm dhe mosmirënjohës ndaj
prindërve të tij, (3) ai që nuk i mban lidhjet familjare, dhe (4) ai që me vëllain
e tij musliman nuk flet më shumë se tri ditë. /Tenbihul gafilin /
Ajo që na ofron ramazani
është tepër e madhe. Ai na ofron dyer të hapura të xhenetit. Mos t’i mbyllim ato me largimin
tonë nga ajo që ramazani i ka sjellë njeriut, ia ka sjellë Udhëzimin dhe Paralajmërimin.
Kur të kalojë ramazani përsëri ta hapim derën e xhamisë, të vazhdojmë ta shtrojmë
sexhaden në shtëpinë tonë për ta falënderuar Allahun. Përsëri ta kundërshtojmë
shejtanin dhe të vazhdojmë në shmangien e mëkateve kështu
që dyert e xhenetit para vetes t’i mbajmë gjithmonë të hapura.
Dhe në fund, i lutemi Allahut të Madhërishëm, që të na udhëzojë dhe të na japë forcë që t’i rezistojmë ndikimit të shejtanit, që obligimet tona t’i përmbushim në përputhje me urdhrat dhe udhëzimet e Allahut, në mënyrë që Ai të jetë i kënaqur me ne dhe ta arrijmë lumturinë në këtë botë dhe në botën tjetër. Amin!
Hatib: Izet ef. Čamdžić;
Përshtati: Miftar Ajdini
(Islampress)
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.